Goleada pa fund, ndeshjet kthehen në stërvitje

448
Sigal

Zbulohen 16 skuadrat e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë

Kupa e Shqipërisë seleksionoi 16 skuadrat që do të marrin pjesë në turin e dytë, të cilën e arritën 14 ekipet e Superligës dhe dy nga Kategoria e Parë, pikërisht Kamza dhe Lushnja. 16 ndeshjet prodhuan rezultate të bujshme, por dhe përmbysje të ndeshjeve të para, por dhe moszhvillimin e ndeshjes Teuta-Gramozi, pasi skuadra kolonjare nuk denjoi të shkonte në Durrës. Durrsakët, të cilët e kishin fituar takimin e parë 4-0 në Ersekë, priten ta fitojnë 3-0 takimin në tavolinë, me vendim të Komisionit të Disiplinës. Tirana fitoi 1-0 me Partizanin ndeshjen e dytë, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3-1 për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Ndesha u vendos nga një gol i Mirel Çotës në minutën e 6-të. Abilaliaj mban rekordin e rasteve të humbura, ku në tre-katër mundësi të paktën duhet të kishte shënuar një gol, por i është afruar vetëm me goditjen e shtyllës. Në fakt, derbi i dytë nuk dhuroi ato emocione, atë spektakël, atë entuziazëm, si në ndeshjen e parë të mërkurën e kaluar në “Qemal Stafa” tek “Selman Stërmasi”, por edhe orari i takimit që u ndryshua disa herë, gjë që bëri që një pjesë e mirë e tifozëve të mos ishin të pranishëm për të ndjekur sfidën e kthimit të Kupës. Skënderbeu i dha një leksion të vërtetë futbolli modestëve të Olimpikut të Kategorisë së Dytë, duke fituar me rezultatin tensitik 7-2. Ndeshja e parë e luajtur në Yrshek kishte përfunduar 2-2. Besa e Ilir Dajës e kthyen në një ndeshje kotrolli sfidën me Burrelin, duke fituar 6-1. Kukësi, që fitoi në Lezhë 4-2, humbi në shtëpi 2-1 me Besëlidhjen, por u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 5-3. Flamurtari shkatërroi 4-1 Naftëtarin (Veliu 2 dhe Muzaka 2). Kastrioti fitoi dhe ndeshjen e dytë me Himarën me rezultatin 2-1. Luftëtari i Nevil Dedes e kishte humbur ndeshjen e parë në Gramsh, me rezultatin 1-0, fitoi thellësisht 5-0 në ndeshje e kthimit: Lluka, Fanka, Stoja, Mersini dhe Thimio. Shkumbini fitoi 3-0, duke anuluar atë fitore 2-0 të Butrintit në ndeshjen parë në Sarandë. Laçi dhe Mamurrasi e mbyllën pa gola takimin midis tyre, por me kurbinasit që u kualifikuan pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë. Bylisi fitoi 1-0 me Tërbunin (gol i Ferkos) dhe preu biletën për në turin tjetër. Hysko i dha fitoren 1-0 Tomorit ndaj Adës, me beratasit që u kualifikuan me gol në fushën kundërshtare, pasi takimin e parë e kishte humbur 2-1. Vllaznia fitoi 2-1 me Ilirinë, ndërsa Apolonisë i ka mjaftuar goli i Ribajt ndaj Elbasanit. Në Mamurras, ku Kamza priti Dinamon, është përsëritur rezultati i ndeshjes së parë. Kanë triumfuar të besuarit e Sajmir Malkos me rezultatin 1-0, duke u kualifikuar për më tej.