Ministri Halimi: “Mënyra e trajtimit të të burgosurve, tregon fytyrën e vërtetë të shtetit”

343
Sigal

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ministri Eduard Halimi, përuruan dje ambientet e qendrës së paraburgimit në ish-Kombinatin Metalurgjik

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, përuruan dje ambientet e qendrës së paraburgimit ndërtuar në ambientet e brendshme të Ish-Kombinatit Metalurgjik. Ambasadori duke vlerësuar ministrin Eduart Halimi dhe Ministrinë e Drejtësisë përsa i përket reformave të kryera nga kjo ministri, tha se, “dëshiroj të inkurajoj politikanët shqiptarë që të përfundojnë reformat e nevojshme përpara publikimit të raportit të progresit të BE”. Ndërkaq, nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deklaroi se, “për herë të parë në Shqipëri, por edhe në rajon ndërtohet një institucion paraburgimi me dy sisteme njëkohësisht ngrohje dhe ftohje”. Por, risia për këtë projekt është zbatimi për herë të parë në objekte të këtij lloji në Shqipëri i sistemeve alternative të furnizimit me energji të pastër, që është sistemi i paneleve diellore së bashku me pompat e nxehtësisë të cilat mundësojnë uljen e kostos për ngrohje”. Sipas Halimit, ky institucion paraburgimi sjell jo vetëm standarde të larta përsa i përket kushteve, por sjell edhe një tjetër standard atë të kursimit të energjisë elektrike. Duke u ndalur tek trajtimi që i bëhet të burgosurve në vend, Halimi shtoi se, “mënyra e trajtimit të të burgosurve të një shteti, tregon edhe fytyrën e vërtetë të një shteti. Ky institucion që ne përurojmë tregon qartë përpjekjet e përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe BE-së për të garantuar sigurinë publike edhe në sektorin penal në vend”. Ndër të tjera Halimi shtoi se, “aktualisht ne jemi në proces realizimi për ndërtimin e paraburgimit të ri në Berat, në Fier dhe së shpejti edhe në Shkodër, me një fond prej 40 milionë euro”. Ndërsa përsa i përket reformave në drejtësi, Halimi shtoi se “rruga e reformave nuk është e lehtë, por është po aq e bukur kur bëhet me miq të mirë të Shqipërisë, siç janë partnerët tanë ndërkombëtarë”. Ndërtimi i institucionit të paraburgimit është realizuar në kuadër të programit IPA 2007 me bashkëfinancim të delegacionit të BE-së dhe qeverisë shqiptare. Kapaciteti i këtij paraburgimi është për 120 të paraburgosur.

Ministri Halimi, organizon tryezë diskutimi: “Përmirësimi i legjislacionit në kuadër të rritjes së efiçencës së sistemit gjyqësor”

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi organizon sot  në orën 11:00 në sallën e konferencave të Ministrisë së Drejtësisë, tryezë për diskutimin e çështjeve në lidhje me përmirësimin e efiçencës së sistemit gjyqësor në Shqipëri: Rishpëmdarja e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe apelit sipas studimit të kryer gjatë vitit 2012, përmirësimi i legjislacionit në kuadër të rritjes së efiçencës së sistemit gjyqësor; përcaktimi i numrit të nevojshëm të gjyqtarëve për çdo gjykatë administrative të Shkallës së parë dhe Apelit në Shqipëri dhe fillimi i procedurave për funksionimin e tyre.