Gjergj Ruli: Luiza në ritmin e rekordeve, Izmiri do përgatitet në Mançester

856
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për arritjet në “Diamond Leauge” dhe përgatitjet për Botërorin e Londrës, flet për “Telegraf” Presidenti i FSHA-së
Cila është situata aktuale në atletikën shqiptare, pas “Diamond Leauge”, dhe para Kampionatit Botëror të Londrës?
Situata e gjitha është në aktivitet e nën kontroll. Atletët stërviten periodikisht, e duke u përqendruar tek dy “Yjet” tanë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, stërvitja e tyre është e orientuar tek Kampionati Botëror. Luiza e ka kapur normën për të hyrë direkt në Botëror, ndërsa Izmiri do të jetë me ftesë, sepse është 7 cm larg nga norma e Botërorit në garën e kërcimit së gjati.

Duke qenë se Luiza e ka kapur normën e Botërorit, ndërsa Izmiri doli Kampion Evrope, si është gjendja e tyre në raport me kohën?
Luiza, së bashku me trajnerin e talentuar Taulant Stërmasi, vazhdon stërvitjen sistematike, duke e konvertuar me thyerje rekordesh. Ajo tashmë është kthyer në një “Oskar” i sportit shqiptar dhe nuk pushon asnjëherë, ndërkohë që Izmiri, pas shpalljes Kampion Evrope, ka patur shumë angazhime marketingu, dhe stërvitshmërinë nuk e ka zhvilluar në ngarkesa të plota. 

Si ndikon kjo shkëputje e tij nga stërvitshmëria periodike?
Ndoshta mosha e re, bëri që nga rezultati që arriti, të gëzonte më shumë ditë të lumtura. Kjo duhet ta impenjojë më shumë, jo vetëm se do të shkojë i ftuar në Kampionatin Botëror, por edhe ra ruajë rezultatin që arriti si Kampion Evrope. Unë e quaj atë një ndër atletët më të talentuar në Botë.

Çfarë rezultatesh arritën këta dy atletë në Kampionatin Kombëtar që u zhvillua ditë më parë?
Izmiri vetëm një provë bëri, duke kërcyer 7.98 m. Kjo na preokupoi shumë, sepse ai nuk është atlet i rëndomtë. Ka dy ditë që ka dalë në stërvitje për të testuar veten, ndërsa Luiza, në Kampionat ishte e padiskutueshme, dhe së bashku me trajnerin Stërmasi po përgatiten ritmikisht, për të ruajtur performancën e sezonit të kaluar.

Çfarë synojnë në Londër këta dy atletë?
Të gjithë duhet të kuptojnë se është një kampionat botëror, më i fortë nga garat olimpike, e veprimtaritë e tjera. Konkurrenca është e egër, dhe Luiza do garojë me atlete të forta nga vendet afrikane. Ne një Luizë kemi, do mundohemi që ta ruajë performancën e saj. Uroj të përsërisë rezultatin që arriti në Oslo, e po kjo i kërkohet edhe Izmirit.

Ku do t’i zhvillojnë përgatitjet këta dy atletë, para garave të Botërorit në muajin gusht 2017?
Izmiri do të përgatitet në Mançester nën kujdesin e një trajneri anglez, për tu ambientuar më shumë me klimën në Angli. Ndërkohë që Luiza do të ketë angazhime me gara të ndryshme, dhe do të jetë në tonusin e përgatitjeve deri në startin e Botërorit.

Cili është apeli juaj si President i FSHA-së, jo vetëm për dy atletët pjesëmarrës në këtë Kampionat Botëror?
Për atletët e trajnerët e tyre, apeli është i thënë, dhe unë ja u përmenda më sipër, por në këtë situatë, do të bëja një apel të veçantë për Presidentin e Republikës. Ai tani e ka kohën e duhur për ti dhënë titullin e merituar Luizës, si sportistja shqiptare më e mirë e të gjitha kohëve. Federata e Atletikës i ka kërkuar që të dekorohet me urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Punës”, sepse kjo do të ndikojë pozitivisht tek ajo, tani para Botërorit. Kjo e inkurajon atë dhe trajnerin e saj që të përmirësohen në çdo tregues.
Në Kampionatin Botëror të Atletikës në Londër, do të marrin pjesë atletë nga 213 shtete të Botës. Në garën e Luizës, 3000 m/p, do të garojnë mbi 1000 atletë të nivelit të lartë, ndërsa në garën e kërcimit së gjati ku do të marrë pjesë Izmiri, marrin pjesë 1500-2000 atletë nga e gjithë Bota. Po kërceu mbi 8.10 m, shpresojmë të jetë finalist
Sigal