Agron KAJA

E hënë, 14 tetor 2024, ora 18:00 në stadiumin “Mikheil Meskhi”, në Tbilisi
GJEORGJI – SHQIPËRI 0-1
Shënues: / Asllani 48’
Gjeorgjia (1-4-1-4-1): Mamardashvili; Kakabadze, Kashia, Dvali, Lochoshvili (Tsitiashvili 81’); Kiteishvili; Davitashvili (Shengelia 90+5’), Mikautadze, Shatvetadze, Kvaratskhelia; Zivzivadze. Trajner: Vili Sanjol
Shqipëria (1-4-2-1-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Bajrami (Seferi 78’); Asani, Laçi, Tuci (Daku 66’). Trajner: Silvinjo
Kartonë të verdhë: Dvali 76’, Sanjol 76’/ Bajrami 77’, Mitaj 90+2’, Laçi 90+4’
Arbitrat: Kryesor: Dani Makeli; Asistentë: Hesel Stegstra, Jan de Vries; Arbitër i katërt: Allard Lindhout; Në VAR: Rob Dieperink; Në AVAR: Ervin Blank (Të gjithë nga Holanda).
Kapaciteti me shikues: 27.223
Dje, Kombëtarja jonë e thyeu tersin e dy humbjeve radhazi në Ligën e Kombeve. Por këtë herë me një “hakmarrje” pas humbjes 0-1 që Gjeorgjia na shkaktoi në sfidën e shtatorit në “Air Albania”. Nuk ishte një nga ndeshjet më të mira, por ishte një fitore që erdhi nga një aksion shumë i bukur me protagonist Bajramin, me një finalizim po kaq të bukur nga Asllani. Dhe kështu kalojmë në kuotën e 6 pikëve, në mundësi që të synojmë kualifikimin. Duke ju referuar kronikës së ndeshjes, duhet thënë se luajtëm një pjesë të parë ku duhet barazimi 0-0 ishte edhe rezultati më i mirë. Fillimi për Kombëtaren tonë ishte më i vrrullshëm, i kujdesshëm dhe me kundërsulme, prej të cilëve, disa herë përfunduan edhe në rrezik tek zona e gjeorgjianëve. Kujdesi për të mos pësuar, duke e mbuluar në çdo sektor të fushës lojtarin në të rrezikshëm në sulm, Kvaratskelia, bëri që lojtarët tanë të luanin me më shumë besim, por edhe këtë herë me hapësira në mbrojtje. Mbi të gjitha, ishin 45 minuta të pastra, pa asnjë karton nga të dyja skuadrat dhe ku vëndasit e kontrrolluan më mirë lojën. Ndryshe nisi ndeshja në pjesën e dytë, ku gjeorgjianët kërkuan që të shënonin, me presion në gjysmëfushën tonë e duke lënë hapësira nga mesfusha në mbrojtjen e tyre. Dhe nisur nga kjo situatë, me një aksion perfekt nga mbrojtja me protagonist Bajramin, dhe me gjuajtjen e Asllanit jashtë zone, e detyruam topin në rrjetën e portierit Mamardashvili. Minuta e 48-të dhe 0-1, nga kjo minutë nisi Shqipëria ëndrrën e fitores dhe të kthimit në pretendente në grup, Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, por vetëm presioni i gjeorgjianëve, të cilët me rastet e krijuara vetëm vijën fatale nuk e kaluan. Nga Strakosha, tek dy mbrojtësit Ajeti e Ismajli, te Asllani që shënoi golin e fitores dhe deri në sulmin me Tucin debutues, të gjithë në këtë ndeshje treguan vlerat e tyre, por edhe të Kombëtares. Këtu Silvinjo u korrigjua në gabimet e dy ndeshjeve të kaluara, lajm I mirë për muajin nëntor. Me këtë fitore në transfertë, Shqipëria kthehet si një pretendente për të fituar Grupin B1 në Ligën e Kombeve. Me fitoren në Gjeorgji, Kombëtarja e ka marrë fatin e vet në dorë, sa i përket renditjes kualifikuese në grup. Janë edhe dy ndeshjet e fundit, të dyja luhen në Tiranë, me Çekinë dhe Ukrainën, dy sfda ku nuk duhet gabuar si në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë në “Air Albania”.
Liga e Kombeve
SHQIPËRIA
LIGA B-GRUPI B1
Ndeshjet e luajtura
Ukrainë-Shqipëri 1-2
Shqipëri- Gjeorgji 0-1
Çeki-Shqipëri 2-0
Gjeorgji-Shqipëri 0-1
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Çekia 4 7
2.Gjeorgjia 4 6
3.Shqipëria 4 6
4.Ukraina 4 3
Ndeshjet që do luhen
Datë 16 nëntor 2024
Shqipëri-Çeki 20:45
Datë 19 nëntor 2024
Shqipëri-Ukrainë 20:45
Përballjet me Gjeorgjinë
BILANCI HISTORIK
Euro 2004: 2 ndeshje
F 1, B 0, H 1, Golat 3:4
Botërori 2006: 2 ndeshje
F 1, B 0, H 1, Golat 3:4
Miqësore 5 ndeshje
F 0, B 3, H 2, Golat 5:7
Liga e Kombeve: 2 ndeshje
F 1, B 0, H 1, Golat 1:1
Në Total: 11 ndeshje
F 3, B 3, H 5, Golat 12:16
Duka: Ky është futbolli, tani për vëndin e parë në grup
Pas fitores, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se ishte e rëndësishme, një ndeshje e mirë pas dy ndeshjeve jo fort të mira. “Ky është futbolli, skuadra ka përbërje të mirë dhe sot (dje) arritëm një fitore, që na përgatit për vëndin e parë në grup. Arritëm ku duhej, e meritojmë të vazhdojmë me objektivin tonë për kreun e grupit. Gjeorgjia tregoi se do na kalonte, pas fitores në Tiranë, por çunat bënë më të mirën duke na dhënë një shtysë për dy ndeshjet e fundit muajin tjetër. Me Ukrainën pres të na rikthehen edhe disa lojtarë të dëmtuar, për ta kompletuar më mirë skuadrën. Uroj të kthehemi me këmbë në tokë në dy ndeshjet e fundit, kemi dy kundërshtarë shumë të fortë të cilët duhen kaluar”.
Asllani në delir: Kjo është Shqipëria, bluzën e kam dedikim
Një autor goli tripikësh nuk mund të fliste ndryshe, këtë e bëri dje mesfushori Klodian Asllani pas ndeshjes me Gjeorgjinë. “Këtë bluzën sot do ta mbaj gjithmonë, sepse ia dedikoj vëllait tim që ka ditëlindjen”, kështu u shpreh dje Klodian Asllani, autor i golit të fitores së Kombëtares sonë në Gjeorgji. Mesfushori ynë e vlerësoi si ndeshje të vështirë, por sipas tij, kur fiton është mirë. “Ishte ndeshje shumë e vështirë, kishim përballë një ekip shumë i organizuar, por sot (dje) ne ishim më agresivë. Patëm minuta që u trembëm pak, por me shpirt dhe karakter ia dolëm, sepse edhe u mbrojtëm shumë mirë. Kjo është Shqipëria, dhe kur fiton është mirë. Ne e dimë që ka pasur kritika pas ndeshjes me Çekinë, por sot jemi të gjithë bashkë dhe në fund ia dolëm”.