INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit, Gentian Stojku, “skanon” renditjen
Agron KAJA

Superiorja është në mbyllje të fazës së tretë, si paraqitet situata e skuadrave në të tre fazat?
Faktikisht ka qënë një kampionat shumë i vështirë për të gjitha skuadrat, si për ato në zonën “Final 4”, ashtu edhe për ato që rrezikojnë rënien nga Superiorja. Madje për mbijetesë është bërë një situatë e vështirë dhe e paparashikueshme.
Referuar tabelës së renditjes, mund të themi se “Final 4” po luan me veteveten?
Po po, ashtu duket. Por përderi sa matematika është ende në lojë, duhet të presim. Ndaj duhet që të presim edhe pak sa të mbyllet matematika, sepse kjo lojë brënda këtërshes së parë mund të ketë dritëhije në faqen e katërt.
Nëse i referohemi pikëve të disa skuadrave në fundin e renditjes, sa prej tyre mund të jenë në “vallen” e mbijetesës?
Në fakt, duke parë renditjen, duket sikur në zonën e mbijetesës janë pesë skuadra. Por ende nuk mund të themi gjë të saktë, sepse ndeshjet janë bërë shumë të vështira, Kur fiton vëndi i fundit me kreun e renditjes, kjo na detyron të presim.
Në javën e kaluar të Superiores përsëri u largua një trajner, si e përshkruani këtë dukuri dhe si ndikon kjo te skuadra?
Në përgjithësi, lëvizjet e trajnerëve në këto momente janë të vështira për vazhdimësinë e ekipeve. Duhet dhënë më shumë kohë trajnerit dhe do jetë një rrezik më vete për objektivin e Partizanit, që ka treguar luhatje në ndeshjet e fundit.
Ndërkohë që kjo është java e fundit e fazës së tretë, çfarë mund të presim ndryshe në nëntë javët e mbetura?
Me sa kam parë, ekipet kanë treguar luhatje si brënda ndeshjeve, ashtu edhe nga njëra ndeshje në tjetrën. Skuadrat të gjitha kanë treguar luhatje, dhe ndaj pritet të ketë ndryshime. Dhe këto kryesisht nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë.
Sot nisin ndeshjet e kthimit të turit çerekfinal, do jenë vendimtarë takimet e para për kalim në gjysmëfinale?
Duke qënë se luhen ndeshjet e kthimit të turit çerekfinal, besoj se do ketë kujdes nga të gjitha skuadrat. Sepse ka edhe ekipe që në Kupë kërkojnë arritjen e synimeve të tyre të sezonit. Ndaj i mendoj ndeshje interesante dhe me rivalitet,
Nga sezoni 2016-2017 me fituese Tiranën, Kupa e Shqipërisë është fituar jashtë kryeqytetit, e mendoni kështu edhe këtë sezon?
Me shumë përqindje është PO. Sepse të gjitha ndeshjet kanë çifte me interesa e synime në Kupë. Partizani-Laçi e vështirë, Vllaznia-Elbasani është e pa parashikueshme, Egnatia e ka objektiv Kupën. Skënderbeu-Dinamo do jetë ndeshja surprizë që duhet parë deri në fund për skuadrën e kualifikuar.
Mund të ndikojnë këto ndeshje çerekfinale të Kupës në dritëhijet e vazhdimit të kampionatit?
Kjo është për t’u parë, por edhe mund të ketë. Sepse ka ekipe që janë siguruar në kampionat dhe i hyjnë edhe vazhdimësisë Kupës. Nga ana tjetër, ka ekipe që në Kupë mund të shpëtojnë sezon. Pra, rezultatet e tyre do ndikojnë edhe në kampionat.
Cili është parashikimi juaj për verdiktet në fundin e kampionatit?
Unë mendoj se zona “Final 4” është e përcaktuar, por edhe brenda saj mund të ketë ndryshime. Për mbijetesë, duke përjashtuar Elbasanin, Laçi, Bylis, Tirana, Teuta dhe Skënderbeu janë në “vallen” e mbijetesës.
Veselinoviç, gjashtë muaj për asgjë te Partizani
Aleksandar Veselinoviç është trajneri më i fundit i Abissnet Superiore që u shkarkua nga Partizani pas humbjes 2-3 ndaj Bylisit në javën e 26-të. Ai e mori drejtimin e Partizanit më 31 gusht 2024, në javën e 3-të, teksa Partizani fitoi 3-0 në transfertë ndaj Teutës. Nën drejtimin e tij në kampionat, Partizani arriti 8 fitore, 13 barazime dhe 3 humbje. Edhe pse skuadra e kuqe është në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ku sot do të presë Laçin në “Arena e Demave”, drejtuesit nuk menduan bashkpunimin e mëtejshëm. Sot në bankinë do të jetë drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj.
ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 27
Datë 1 mars 2025
Laçi-Vllaznia 14:00
AF Elbasani-Partizani 17:00
Datë 2 mars 2025
Bylis-Skënderbeu 14:00
Tirana-Dinamo City 17:00
Egnatia-Teuta 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 26 48
2.Vllaznia 26 45
3.Dinamo City 2 6 44
4.Partizani 26 40
5.AF Elbasani 26 31
6.Laçi 26 30
7.Bylis 26 28
8.Teuta 26 27
9.Tirana 26 26
10.Skënderbeu 26 23
Tirana dhe Dinamo “ledhatojnë” javën e “Derbi”-it
Kjo fundjavë që përkon edhe me nisjen e muajit mars 2024, ka në kalendar ndeshjet e javës së 27-të të Abissnet Superiore, e cila mbyll edhe fazën e tretë. Dhe kjo javë, sikundër edhe në dy fazat e para, sjell një ndeshje të veçantë, “Derbi” të kryeqytetit, Tirana-Dinamo, që figurativisht e “ledhatojnë” javën. Sot, me emocionet e këtij “derbi”, vjen elbasanasi Gentian Stojku. Jo si aktor në ndeshjet e luajtura mes këtyre dy skuadrave të mëdha në futbollin shqiptar, por si protagonist dhe një kundërshtar i “egër” i tyre, i cili larg tij e shijonte madhështinë e kësaj sfide. “Zakonisht, në kohën kur unë luajta futboll, ndeshjet “derbi” të kryeqytetit përjetoheshin me emocion edhe nga ne që ishim jashtë kryeqytetit. Sepse aty të gjithë shikonim testin ndaj këtyre dy skuadrave. Kam ndjekur shumë prej tyre, por kujtoj se të gjithë zbarkonim nga Elbasani në Tiranë, dhe në “Qemal Stafa” bënim tifo për skuadrën që ne na interesonte në renditje. Ky do jetë një “derbi” ndryshe nga historia e tyre, ku Tiranës i duhet mbijetesa dhe Dinamo luan vetëm për prestigj”. Në këtë sezon, Tirana e Dinamo janë ndeshur dy herë: Tirana-Dinamo City 0-0 dhe Dinamo City-Tirana 2-1. Nga viti 1947, ky është “Derbi” i 172-të mes tyre.