FSHF-ja pranon trukimin e ndeshjeve

239

Komisioni i Etikës dënoi Shkumbinin dhe Kastriotin, me nga 15 milionë lekë. Kombëtarja e Futsallës paditet në Prokurori

Federata Shqiptare e Futbollit pranoi indirekt trukimin e rezultati të ndeshjeve në futbollin shqiptar, pavarësisht se flitet për “komplotim dhe influencim rezultati. Komisioni i Etikës dënoi Bylisin dhe Kastriotin, me një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për “komplotim dhe influencim” të rezultatit në Superligë, ndërsa trajneri i Kombëtares së Futbollit në Sallë, Alban Neziri dhe ndihmësi i tij, Ramazan Konçi janë paditur në Prokurori për shkak të manipulimit të ndeshjeve të Shqipërisë në eliminatoret e Europianit.

NJOLLË E ZEZË

Vendimi i drejtë i Komisionit të Etikës i vendos një njollë të zezë historisë futbollistike në vendin tonë, pasi deri tani ishim mësuar me gjoba për grushte ndaj gjyqtarëve, rrahje masive midis lojtarëve, apo hedhje fishekzjarrësh. Kjo është hera e parë që merret qartësisht një vendim që, në bazën e tij ka trukimin e rezultatit, pavarësisht se skuadra e Bylisit thjesht “lejoi me vetëdije” pësimin e golave nga ana e Flamurtarit. Gjithsesi, gjoba e madhe në dukje, nuk është është shoqëruar me penalizime të tjera, kur nga të tilla komplote, sikurse i ka përkufizuar Etika në vendimet e saj, mund të kenë dëmtuar indirekt ndonjë palë tjetër, teksa sjellja në fushën e lojës të dy skuadrave ka të bëjë direkt me Nenin 68, të rregullores së aktivitetit. Neni 68, “Trukimi i ndeshjeve” shpreh qartësisht: “me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, shkelësit do të dënohen me përjashtim përjetë nga veprimtaritë futbollistike”. Në përfundim të sezonit të kaluar, Komisioni i Etikës, i ngritur si organizëm në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së (më 22 shkurt, në Shkodër), anuloi dhënien e trofeut të “Këpuca e Artë”, për futbollistin e Shkumbinit, Roland Dervishi. Mesfushori peqinas shënoi 20 gola në 26 javë, 1 me shume se Endri Bakiu i Tomorit, 19. 30-vjeçari Roland Dervishi shënoi tre gola në barazimin 4-4 të Shkumbinit me Vllazninë, ndërkohë që rivali i tij, Bakiu, realizoi katër gola në Apolonia-Tomori 6-5.

 RASTET FLAGRANTE

I drejtuar nga avokati Fatmir Braka, me nënkryetar Bejkush Birçen, Komisioni i Etikës shqyrtoi dokumentacionin zyrtar të treshes së arbitrave të takimit të Flamurtari-Bylis (3-0, java e 14-të e Superiores), të hartuar nga Olsi Sokoli, Rejdi Avdo dhe Gerand Qirici, si dhe procesverbalin e mbajtur nga delegati, Hito Hitaj, dhe vëzhguesi Astrit Mema. Përballë Komisionit të Etikës, zyrtarët e këtij takimi kanë dhënë fakte, sipas tyre, kryesisht për sjelljen e lojtarëve të Bylisit në 10 minutat e fundit të ndeshjes. Pas minutës së 85-të, ballshiotët lëshuan totalisht në lojë, aq sa Memelli shënoi edhe dy gola të tjerë, pa hasur në ndonjë vështirësi serioze nga ana e mbrojtësve të Bylisit. Dënimi i dytë maksimal ka të bëjë me ndeshjen e çerekfinaleve të Kupëss së Shqipërisë, atë midis Kastriotit dhe Shkumbinit (15 dhjetor 2012), të përfunduar me rezultatin 4-2. Ndeshja, në pamje të parë e luftuar, për vetë ecurinë e golave (pjesa e parë përfundoi 2-0), konsiderohet si i paracaktuar nga Komisioni i Etikës. Kastrioti udhëhoqi 3-0 (deri në minutën e 53-të: Gocaj 6’, Tanushi 17’, Karapici 53’), por Shkumbini e ngushtoi rezultatin në 3-2 në minutën e 72-të (Magani 62’ dhe Gjata 72’, me penallti. Caca shënoi golin e 4-2 (82’). Ajo që çoi në dyshime për këtë ndeshje, ishte lehtësia e shënimit të golave nga të dyja skuadrat. Dënim administrativ për drejtuesit e kombëtares së futsallës, për të njëjtat shkaqe, “komplotim dhe influencim të rezultatit” të ndeshjes Shqipëri–Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Europian të Futsallit. U shkarkuan trajneri Alban Neziri dhe zv.trajneri Ramazan Konci. Po ashtu është bërë kallëzim penal për të gjithë ekipin e kësaj kombëtareje kuqezi për trukimin e ndeshjes Shqipëri–Zvicër, një takim i përfunduar me rezultatin 2-8 (e luajtur, më 26 janar 2013).

 RAPORTET E UEFA-s

Qeveria europiane e futbollit ka sjellë tre raporte konfidenciale në FSHF (në harkun e muajve dhjetor 2011-shkurt 2012), që kanë të bëjnë me shitjet e ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, është një nga sitat kryesore të të gjithë kampionateve europiane. Ky sistem monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve, që sipas specialistëve sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo. Në raportin e parë të UEFA, atë muajit dhjetor 2012  në listë ishin 14 ndeshje, ndërsa në të dytin, të janarit 2011, 10 ndeshje. Në raportin e UEFA-s përmendjen 12 ndeshje të sezonit 2010-2011, dhe vetëm 1 në sezonin 2011-2012 (Kastrioti-Vllaznia 2-1). Sipas raportit të UEFA-s, analizat tregojnë se një pjesë e tyre janë shumë të dyshimta, disa të fiksuara, dhe të tjera 100 për qind të fiksuara. Pesë ndeshje të javës së 29-të Superligës kanë rezultuar të trukuara, pra ndeshjet e zhvilluara në 20 prill 2011: Skënderbeu–Laçi 2-0, Flamurtari–Dinamo 6-2, Besa–Kastrioti 3-2, Elbasani–Teuta 2-4 dhe Bylis–Shkumbini 2-0. Vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana i ka shpëtuar trukimit në këtë javë të Superligës. Në raportet e UEFA-s janë edhe 7 ndeshje të tjera të sezonit 2010-2011: më 12 mars 2011: Dinamo–Elbasani 3-1; më 1 prill 2011, Laçi–Elbasani 3-1; më 15 prill 2011, Dinamo–Skënderbeu 2-3 dhe Tirana–Elbasani 6-1, më 19 mars 2011, Elbasani–Bylis 0-2; 24 prill 2011, Shkumbini–Besa 2-2 dhe 25 prill, Kastrioti–Teuta, 3-1. Raporti i përcakton këto ndeshje të trukuara me rezultate të sakta. Në raportin e tretë janë dy ndeshje të Kategorisë Superiore, në të cilën janë përfshirë katër skuadra të Superligës.UEFA ka sjellë dhjetëra prova, raporte dhe analiza që mbyllen me konkluzione për manipulimin dhe fiksimin e ndeshjeve të Superligës shqiptare.

  Neni 68, Trukimi i ndeshjeve

 “1. Kushdo që komploton për influencimin e rezultatit të një ndeshjeje në kundërshtim me etikën sportive do të dënohet me pezullim nga ndeshjet për një periudhë prej 6 (gjashtë) muajsh, si dhe me gjobë me një vlerë nga 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë deri në 3.000.000 (tre milionë) lekë. Me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, shkelësit do të dënohen edhe me përjashtim përjetë nga veprimtaritë futbollistike”.

 VENDIMET E KOMISIONIT TË ETIKËS

 1. Dënimin me gjobë kundrejt K.F. Bylis me vlerë 1.500.000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Flamurtari-Bylis, në kundërshtim me etikën sportive, bazuar në nenin 68.1 të Kodit të Drejtësisë Sportive (KDS).

 2. Dënimin me gjobë të K.S. Kastrioti me vlerë 1.500.000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Kastrioti-Shkumbini, në kundërshtim me etikën sportive, bazuar në nenin 68.1 të KDS.

 3. Për komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Europian të Futsallit, shkarkimin e trajnerit Alban Neziri dhe të zv.trajnerit Ramazan Konci. Kallëzim penal për trukimin e ndeshjes Shqipëri-Zvicër për të gjithë ekipin Kombëtar të Futsalit.

 Dënim penal, 7 vjet burg për trukimet

 Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para tri viteve, pas iniciativës për një futboll “me këmbë të pastra”.