FOTO/ Tifozët shqiptarë alarmojnë Italinë: Do të jenë të shumtë

583
Edhe pse ndeshja Itali-Shqipëri do të zhvillohet pas afro dy muajsh, interesi për këtë sfidë ka nisur prej kohësh, për të mos thënë që në momentin e hedhjes së shortit, sidomos nga tifozëria shqiptare, pasi për herë të parë Kombëtarja kuqezi do të luajë një ndeshje zyrtare me axurrët.
Por nëse dikush nga shqiptarët mendon se do të jetë e njëjta atmosferë si në ndeshjen miqësore në Genoa, ku mbizotëronin ngjyrat kuqezi, gabohet rëndë. Federata Italiane e Futbollit jo më kot zgjodhi Palermon për të zhvilluar këtë ndeshje.
Megjithatë, pavarësisht kalkulimeve dhe masava të marra nga federata italiane, qytetarë të ndryshëm italianë kanë lëshuar alarmin në rrjetet sociale se shqiptarët e pajisur me dokumente italiane mund të blejnë biletat pa problem dhe të ulen ku të duan në stadium dhe të bëjnë tifo për Shqipërinë.
Dihet që në Itali jetojnë një komunitet mjaft i madh shqiptarësh të shpërndarë nga Veriu në Jug, madje deri në Siçili dhe Sardenjë. Llogariten rreth 600 mijë shqiptarë në vendin fqinj përtej Adriatikut dhe janë kryesisht popullsi në moshë të re.
Sikur 1% të kishte interes, do të ishin 6 mijë shqiptarë në stadium, pa llogaritur pjesën që mund të vinte nga Shqipëria apo nga shtetet e tjera të Europës.
Stadiumi “Renzo Barbera” i Palermos ka një kapacitet prej 36 mijë e 349 vendesh. Që do të thotë se zyrtare për tifozët shqiptarë do të jenë 1800 vende, më saktësisht 5% e stadiumit, ashtu siç e parashikon rregulli.
Duke parë interesin e madh nga pjesa shqiptare, natyrisht që këto vende janë shumë pak. Kujtojmë që i njëjti alarm u bë edhe nga Danimarka për ndeshjen eliminatore të “Euro 2016” në Kopenhagen. Danezët kërcënuan jo pak me masa shtrënguese deri në moslejimin e simboleve kuqezi në pjesën e tifozërisë së kombëtares së tyre, por në fund u dorëzuan, sepse kjo ishte shkelje e të drejtave të njeriut, pasi shumica e tifozëve jetonin në vendet e BE-së dhe që binte ndesh me parimet europiane.
Sigal