FORMACIONI/ Sfida vendimtare për Shqipërinë në shtator, ja si ndryshon Kombëtarja e Silvinjos

43
Sigal

Dy ndeshjet e radhës për Kombëtaren shqiptare mund të rezultojnë vendimtare për fatin e skuadrës në kualifikueset e Europianit.

Kështu që trajneri Silvinjo ka nisur nga puna për të zgjedhur 23-24 futbollistët që do të mbështetet në këto dy ndeshje tepër të rëndësishme.

Duke i pasur idetë e qarta dhe përgatitur këtë pengesë me një strategji disi ndryshe, me ekipin do të bashkohet Arbnor Muja, një sulmues, i cili do të rrisë konkurrencën në krahun e djathtë, aty ku Jasir Asani ka luajtur në tri ndeshjet e zhvilluara deri tani.

Duke qenë se kundërshtarët janë të një niveli të lartë dhe të fortë fizikisht, Silvinjo ka menduar që Muja do t’i vijë në ndihmë Jasir Asanit në këtë pozicion dhe mund të ndajnë minutat në këto takime.

Një emër që mund të sakrifikohet për këto dy takime mund të jetë edhe Anis Mehmeti, gjithsesi kjo do të zbulohet kur trajneri të publikojë listën zyrtare. Ndërkohë, një mungesë edhe për këto dy ndeshje do të jetë Armando Broja, i cili sipas mjekëve të Çelsit nuk është ende gati për të zbritur në fushë dhe rikthimi i tij me kuqezinjtë do të jetë në tetor, për të mos rrezikuar një dëmtim tjetër.

Ashtu siç ishte një fat rikthimi i Armando Sadikut në ndeshjet e qershorit, Silvinjo pritet që të rikthejë Bekim Balajn, kjo edhe për faktin se sulmuesi i Vllaznisë ka karakteristikat që ai kërkon. I fortë dhe në duelet ajrore jep garanci, duke qenë se edhe kundërshtarët kanë luftën në ajër një nga pikat më të forta të tyre.

Por, një alternativë është edhe Xhakomo Vrioni. Siç dihet, mungesa e Kumbullës është e pashmangshme për shkak dëmtimi dhe mbrojtësi kthehet pas disa muajsh, ndërkohë në ndryshim nga qershori, në ekip pritet të kthehen Ivan Balliu dhe Klaus Gjasula.