KONFERENCË LIGË/ Flet për “Telegraf” trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, tregon situatën para Islandës
Agron KAJA
Nga Liga e Kampioneve në Konferencë Ligë, e kishit menduar kështu këtë nisje në Europë?
Unë mendoj se me pak fat ne mund të kishim marrë kualifikim në Ligën e Kampioneve. Mungesa e tre lojtarëve kryesorë ndikoi shumë. Gjithsesi, ne fituam në 90 minuta ku skuadra bëri një paraqitje mjaft të mirë, për të cilën i kam falenderuar të gjithë.
Çfarë nuk shkoi më shumë që Egnatia u eliminua nga skuadra boshnjake e Borac?
Ka disa arsye, por më kryesorja ishte se ne në ndeshjen e kthimit me Borac ishim të cunguar në formacion. Dhe nëse do të ishim të plotë në Elbasan, do të kishim një ndeshje me lojë më ndryshe dhe pa e çuar atë deri te penalltitë.
Në ndeshjen e parë, sa ndikim psikologjik kishin sjelljet anti-shqiptare të futbollistëve e stafit boshnjak?
Nuk e kishim menduar se do gjenim një ambient të tillë aq agresiv nga tifozeria, kjo na befasoi. Dhe dy kartonat e kuq që u dhanë padrejtësisht nga gjyqtari, ishin boshllëqet tona në Bosnje. Futbollin e duartrokasin të gjithë, kjo duhet nuk ishte në Banja Luka.
Sa e njihni kundërshtarin islandez, i cili në turin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve u eliminua nga Shamrok të Irlandës?
Kundërshtarin e radhës, islandezët e Vikingur nuk i njohim, por e kemi parë në ndeshjet që ka zhvilluar. Ata janë një ekip i fortë fizikisht, dhe kjo është arma e tyre përballë çdo kundërshtari. Mendojmë se nuk është i pa kalueshëm për ne.
Çfarë pretendon Egnatia të enjten kundër Vikingur të Islandës, kur do gjykoheni nga një arbitër nga Ishujt Faroe?
Tashmë çdo lojtar i Egnatias është i përqëndruar tek kjo ndeshje, pavarësisht se kush arbitron aty në Islandë. Do bëjmë më të mirën, pasi dhe tani siç kemi mësuar se për vazhdimësinë jemi me minus katër lojtarë: Sherri, Ibraimoglu të larguar dhe Bakajoko e Zejnullai për dëmtim e pezullim.
Bastet favorizojnë islandezët, synimi për këtë sfidë është që kualifikimi të mbyllet aty, apo fati mbi të gjitha?
Bastet bëjnë punën e tyre, ne do bëjmë punën tonë në fushë. Është viti I dytë që na krijohet mundësia për të luajtur me ekipe të forta e me përvojë, dhe kjo na motivon që të me të gjitha forcat të bëjmë një ndeshje dinjitoze.
Nëse e mendojmë të kaluar Vikingur, shorti duket se ju ofron një kundërshtar shumë të lehtë?
Së pari, ne mendojmë për ndeshjen me Vikingur. Duam një rezultat sa më pozitiv në takimin e parë dhe në të dytin të jemi të kualifikuar. Më pas do mendojmë për më tej, ku goglat sot (dje) sjellin një përballje me kundërshtarë të lehtë në letër.
Ku e shikoni Egnatian në Europë për këtë sezon në Konferencë Ligë?
Jo vetëm unë si trajner, por të gjithë dëshirojmë që ta kalojmë këtë turn Konferencë Ligë. Do t’i marrim të gjitha gjërat me radhë, më pas do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Kryesore është që të kualifikohemi, pastaj flasim për më tej.
Më 28 korrik Egnatia do luajë miqësoren e luksit me Napolin, sa do t’i shërbejë skuadrës suaj për vazhdimësinë?
Përballjet me kundërshtarë të nivelit të Napolit, besoj se do na japë shumë moral e besim për vazhdimësinë tonë në Konferencë e Ligë, dhe më pas në kampionat. Një miqësore që duhet shijuar nga emri, por edhe duhet vlerësuar nga emri.
Në Islandë me mungesa, porta dhe sulmi problem
Sfida me Vikingur të Islandës është në prag, te Egnatia po mundohen për të ofruar sa më shpejt lojtarë cilësorë, një portier e një sulmues. Lubas dhe Drame nuk kanë bindur deri tani, por edhe Kasa me Xhoel nuk sigurojnë. Ndërkohë që largimi i portierit Sherri është situatë më e vështirë, ku janë tre gardianë që presin: Djasinani, Dobjani e Markexhani.
DREJTORI AKADEMISË “PARTIZANI”
Genci Tomorri: Urojmë një ndeshje të mirë dhe fat.
Pas kalimit të turit të parë me maltezët, tashmë për Partizanin vazhdon rrugëtimi në Ligën e Konferencës, ku përballë do të kenë Iberia të Gjeorgjisë, ish-Saburtalo. Drejtori i Akademisë së Partizanit, Genc Tomori, shprehet për “Telegraf” se nuk i tremben kundërshtarit. “Vite më parë ne jemi ndeshur me Iberian, kur quhej Saburtalo, dhe jemi eliminuar. Është një ekip i mirë, por te kjo skuadër ka shumë ndryshime dhe realisht ne nuk i trembemi. Kaluam një skuadër malteze të vështirë dhe me një lojë shumë të mirë, e këtë do synojmë ta bëjmë të enjten në Gjeorgji. Do shohim ndeshjen e parë, e dyta do jetë më vendimtare”, kështu thekson Drejtori Tomori, i cili mungesat dhe arbitrimin nuk i quan problem. “Do na mungojnë Murataj i dëmtuar dhe Preka, por nuk do jenë problem. Edhe arbitrimi nga rumuni për ne nuk ka ndonjë ankesë. Urojmë një ndeshje të mirë dhe fat”.
EGNATIA NË EUROPË
Sezoni 2024-2025
Liga e Kampioneve
Turi parë eliminator
Datë 10 korrik 2024
Borac (Bih)-Egnatia 1-0
Ndeshja e kthimit
Datë 17 korrik 2024
Egnatia-Borac (Bih) 2-1
Me penallti kualifikohet Borac
KonferencëLigë
Datë 25 korrik 2024
Vikingur (Isl)-Egnatia 19:00
SKUADRAT E TJERA
Sezoni 2024-2025
KonferencëLigë
Turi parë eliminator
Tirana-Torpedo (1-1) 0-1
Vllaznia-Valur (2-2) 0-4
Marsaxlox-Partizani(1-1) 1-2
Kualifikohet Partizani
Datë 25 korrik 2024
Iberia (Geo)-Partizani 19:00
LEGJIONARËT NË FUNDJAVË
Broja në USA me Çelsin, e vendosi Mareska
Ka rreth dy ditë që Armando Broja është në SHBA me skuadrën e Çelsit, ku do të zhvillojë përgatitjet verore. Por me interes është fakti se trajneri Mareska ka marrë në këto përgatitje edhe Brojën, i cili gjatë kësaj periudhe është trajtuar si futbollist në shitje. Sulmuesi shqiptar kërkon të luajë rregullisht dhe nuk e ka fshehur as vetë dëshirën për t’u larguar nga londinezët, ndaj është raportuar prej kohësh në shitje. Por klubi ka vendosur që edhe Broja të udhëtonte në SHBA së bashku me pjesën kryesore të skuadrës, për turin e verës para startit të kampionatit. Trajneri ka lënë në Londër disa lojtarë që pritet të shiten, si Çalobah apo Gildkrist dhe ky vendim i jep mundësi Brojës për të ardhmen. Trajneri Mareska ka bërë të qartë se do të shohë të gjithë lojtarët në veprim, para se të vendoset për largimin e tyre, ose jo.
Mirlind Daku e nis me gol me numrin 10 në shpinë

Në fundjavën e shkuar, në Rusi nisi kampionati i Premier Ligës në të cilën luan edhe sulmuesi i Kombëtares sonë, Mirlind Daku. Pas Europianit, Daku është rikthyer fuqishëm dhe me përkrahje positive nga klubi. Madje i është besuar të mbajë fanelën me numrin 10, të cilën e ka justifikuar që në javën e parë ku Rubin Kazan fitoi 4-2 me Pari NN. Duke e nisur me këmbë të mbarë dhe me gol, kjo fitore i ka dhënë skuadrës kryesimin që në fillim të kampionatit. Më 27 korrik, skuadra e Dakut pret në fushën e saj Zenit që kryeson në javën e parë me 3 pikë, së bashku me Rubin Kazan, Dinamo Moskë, Orenburg dhe Lokomotiva Moskë. Këto javë të para do të jenë edhe një test për Dakun, pasi ai pret të jetë pjesë e Kombëtares për ndeshjet e Nations League që nisin më 7 shtator me Ukrainë-Shqipëri.