Flet notarja Kozeta Katundi “Mjeshtre Sporti: 10 vite mes rekordeve dhe titujve në ujërat e Zadrave

654
Sigal

Notarja sarandiote që notoi dhjetë vite mes rekordeve dhe titujve në ujërat e zadrave

Bisedë ekskluzive Kozeta Katundi, “Mjeshtre Sporti”

Nga Agron MEMA

Ka qenë zhvillimi i edicionit të 16-të të maratonës kombëtare të veteranëve të notit shqiptar zhvilluar në qytetin e Sarandës, ku ne takuam “Mjeshtren e Sportit”, rekordmenen Kozeta Katundi, ardhur enkas në qytetin e saj për të notuar si pjesëmarrëse e Maratonës Kombëtare të Veteranëve të Notit. Notarja me karrierë të bujshme për dhjetë vite rresht, nga viti 1966, vit kur filloi të garojë e deri në vitin 1976, vit kur e la sportin e notit për të krijuar familjen e saj. Kozeta qe banore e shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, por kjo nuk e pengoi të qe kampione dhe rekordmene absolute e stilit “delfin”. Biondja simpatike e zadrave, e heshtur dhe serioze, buzagaz dhe e ëmbël nuk u ndahej titujve dhe rekordeve, por edhe mësimeve. Viti 1966 do të qe viti që startonte rrugën dhjetëvjeçare të sportit të notit, deri në vitin 1976 me ekipin e “Butrinti”-it. Nuk harronte asnjë verë të vinte në qytetin e saj të notonte gjatë kohës që studionte në shkollën e mesme, ashtu si dhe sot nuk harron të zhytet në ujërat që e “rritën “ si notare dhe rekordmene.

– Përshëndetje Mjeshtre! Diçka , së pari kush është Kozeta që vjen për vit dhe zhytet në ujërat e zadrës së Sarandës?

Faleminderit shumë për intervistën dhe gjithashtu stafit të gazetës “Telegraf” që promovoni vlerat e notit shqiptar, atë histori të bukur sportive dhe gjithashtu edhe që kujtoheni për ne, ish banoret e shtëpisë së fëmijës. Kjo është një vlerë për gazetën “Telegraf “ dhe stafin e saj. Unë jam sot 64 vjeçe dhe kam notuar në zadrat shqiptare dhe të huaja dhjetë vite që janë shoqëruar me rekorde dhe kampione. Mësuese time të parë që më nxiti të merrem me sportin e notit, kam pasur të nderuarën Kasjani Gjoka për të cilën dua të përcjell mirënjohjen time. Rekordin e parë e kam vendosur në 50 m. Stil delfin, pastaj në 100m. Stil delfin, 200m katërnotim individual dhe delfin( më falni që kohët nuk i mbaj mënd). Kam qenë pjesëmarrëse në maratonën e notit që u zhvillua në Liqenin e Tiranës në vitin 1971, ku rekordi i thyer nga unë, mbahet edhe sot pa regjistruar shifra të reja. Krahas Kasjani Gjokës dua të përmend me mirënjohje edhe trajnerët e mi Esat Mamaca, Spiro Koça, Anthulla Ekonomidhi, ku do veçoja Esatin.

Ju ishit nga shtëpia e fëmijës, a kishit diferencime në trajtim, apo bulizëm?

Jo, nuk kishim nga këto, përkundrazi. Ishim katër notare nga shtëpia e fëmijës dhe të katërta shkuam në Kinë; Unë, Elsa Mingo, Tatjana Sheshmini dhe Natasha Sami.

-Thatë që shkuat në Kinë. Si shkuat deri aty dhe çfarë patë?

Pashë diçka të bukur, një botë tjetër përtej gënjeshtrës. Mendova se sa shumë na gënjejnë në Shqipëri në sistemin që kishim. Në Kinë lulëzonte dhe prona private. U thyen disa rekorde, po koha bën të sajën dhe nuk i mbaj mend me saktësi. Këtu dua të përmend një incident që më dha njëherazi shqetësime , por dhe kënaqësi. Gjendja civile e Sarandës nuk më jepnin pasaportën për jashtë se figuroja me prindër dhe ashtu ishin rregullat atëherë. Por Esati zemërmadh e i dashur më ndihmoi. Ai u përpoq dhe më gjeti babain biologjik. Shkuam në Durrës ku takova babain tim. Qenë emocione të veçanta. Babai u përpoq dhe ma gjeti pasaportën. Kështu udhëtova drejt Kinës.

– Keni takuar udhëheqës të asaj kohe?

Jo. Nuk kam takuar asnjë të tillë edhe pse rekordmene. Partiakët pushtetar nuk na vinin rëndësi të madhe, përjashto trajnerët, mësuesit dhe publikun.

Si e shikon zhvillimin e sportit sot?

– Nuk e shoh mirë dhe më vjen keq. Po humbet tradita në Sarandë. Sa herë vij në Sarandë shkoj tek shtëpia e fëmijës. Aty është shtëpia ime. Po dua të shënoj diçka të dhimbshme. Aty i lashë të gjitha trofetë e mia dhe sot i kam humbur të gjitha. Sot, këtë ditë shtatori , jam shumë e gëzuar pas 30 viteve që vij e marr pjesë në këtë maratonë. Jam më e gëzuara si pjesëmarrëse dhe si e vlerësuar nga zoti Agim Çiraku më këtë medalje që mora sot. Është e vetmja që mbetet si shenjë nga karriera ime sportive. Shumë kënaqësi e madhe.

Ju faleminderit Mjeshtre Kozeta!