Flamurtari triumfon në Laç, tifozët sulmojnë me gurë autobusin

452
Sigal

Vlonjatët fitojnë falë golit në minutën e 93-të të kroatit Davor Bratiç. Shënon dhe argjentinasi Soza

Në Laç është shumë e rrallë dhe e vështirë të fitosh, dhe kur atë e realizon skuadra kundërshtare, atëherë ultrasit kurbinas, e sidomos mosha e re gjen një mënyrë tjetër për t’u hakmarrë. Flamurtari fitoi 2-1 në Laç, me një gol të realizuar në minutën e 93-të nga kroati Davor Bratiç, por pas përfundimit të ndeshjes, autobusi i Flamurtarit u qëllua më gurë nga disa tifozë duke thyer edhe xhamin e pasmë të tij, duke lënë kështu edhe një shenjë dhune mbi fituesit. Lajmi u bë i ditur përmes postimeve të disa dashamirësve vlonjatë në rrjetet sociale. Me të vërtetë, në jë ngjarje e shëmtuar, por që ndodh shpesh te ne, ku më e dukshme është te kategoritë inferiore.

 NDESHJA – Gjashtë pikë në dy ndeshjet e para të fazës së dytë dhe vendi i tretë në renditje. Flamurtari e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2013: 3-0 ndaj Bylisit në Vlorë dhe 2-1 ndaj Laçit në transfertë. Në fakt, Laçi-Flamurtari ishte një “replay” i ndeshjes së Kupës, të luajtur vetëm dhjetë më parë, por në atë takim doli fitues skuadra kurbinase. Laçi e dominoi përgjithësisht takimin dhe ishte Nimani (60’) ai që i dha avantazhin e përkohshëm skuadrës së Stavri Nicës. Trajneri Ernest Gjoka orienton djemtë e tij për të parë më shumë nga sulmi. Pas presionit të ngjeshur të kuqezinjve, një krosim i përpiktë i Gledi Micit gjeti kokën e argjentinasit Rafael Soza, i cili mposht për herë të parë portierin Vashaku. Teksa ekipet po shkonin drejt ndarjes së pikëve, Bratiç gjen kohën në minutën e 3-të shtesë për të siglurar golin e fitores 2-1. Për herë të fundit, Flamurtari kishte fituar në Laç, më 4 shkurt 2011, një 0-1, me një gol të realizuar nga Daniel Xhafaj në minutën e 60-të. Në javën 16-të, Flamurtari do të presë Tomorin, përpara se të udhëtoj një javë më pas në Peqin. Laçi pas derbit tradicional me Kastriotin në Krujë do të presë kampionët në fuqi, liderin e kampionatit, Skënderbeun.

 Apolonia-Skënderbeu 0-1

Skënderbeu e “çon” Apoloninë në antikitet

  Skënderbeu iu fal mbrojtësit Ditmar Bicaj, në fitoren e ngushtë 1-0 me Apoloninë në “Loni Papuçiu”, për të siguruar tri pikë të rëndësishme dhe rehabilituar imazhin e prishur disi nga ajo humbja 1-0 me Vllazninë në Korçë. Kampionët e fuqi rikthyen diferencën prej +7 pikësh me Teutën e vendit të dytë, ndërkohë që Apolonia tani e sheh veten në vendin e fundit, duke i shuar përfundimisht shanset për të qëndruar në Kategorinë Superiore, kjo nisur edhe nga formula e kampionatit, pasi bien direkt katër skuadra. Java e 15-të e Kategorisë Superiore startoi me tri sfidat e para, Teuta-Luftëtari 2-0, Tomori-Besa 1-0 dhe Vllaznia-Kukësi 1-0, ndërsa luhet në dy ditë, të shtunë dhe të diel. Ajo i gjen kryesuesit e kampionatit në një transfertë jo të vështirë në letër, në Fier, kurse Teuta ndjekëse dominoi totalisht në lojë dhe shënoi dy herë me vlonjatin Daniel Xhafaj (ngjitet i treti në listën e golashënuesve më të mirë, me 7 gola), në minutën e 54-t dhe 80-të, sfidoi suksesshëm në shtëpi gjirokastritët e Edi Martinit.

  Shkumbini-Tirana 1-0

Tiranë pa “këllqe” në Peqin

 Falë një goli të realizuar me penallti nga sulmuesi Erjon Mustafaj (54’), Shkumbini fitoi 1-0 me Tiranën, duke marrë tri pikë jetike në luftën për të mos rënë nga Superliga. Një ndeshje e dyluftuar në Peqin, kjo edhe për faktin se Shkumbini vinte pas humbjes 3-0 me Teutën, ndërkohë që Tirana kishte marrë një fitore të ngushtë 1-0 me Tomorin. Të dyja mesfushat patën shumë punë, ndërkohë që fati i ndeshjes u vendos në pjesën e dytë. Sulmuesi Vangjel Mile, djali i trajnerit të Shkumbinit, Kristaq Mile, fitoi një penallti dhe Mustafaj nuk gaboi nga pika e bardhë, duke e çuar skuadrën e tij në kuotën e 15 pikëve, por që është ende në zonën e rënies. Për herë të fundit, Shkumbini kishte fituar 3-2 me Tiranën, më 14 dhjetor 2011, kur shënonin Mustafaj, Dervishi dhe Sulkja për peqinasit, ndërsa për tiranasit Balaj realizoi një dopjetë. Pas kësaj humbje – 4-ta në 15 javë – Tirana zbriti në vendin e katërt, por me pikë të barabarta me Flamurtarin e vendit të tretë, të dyja nga 25. Në javën e 16-të, Tirana do të presë Teutën e vendit të dytë, me durrsakët që kanë katër pikë më shumë se 24 herë kampionët e vendit.

 “Varfëri” në Bylis-Kastrioti

 Bylisi dhe Kastrioti u ndanë në një barazim pa gola në “Adush Muça”. Edhe pse panë më shumë nga porta krutane, ballshiotët nuk mundën të realizonin golin e dëshiruar. Në prag të ndeshjes, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj kishte kërkuar me çdokusht fitoren, pas humbjes së turpshme 3-0 me Flamurtarin në Vlorë. Në fazën e parë, Kastrioti fitoi 2-1 me Bylisn në Krujë: Sekseri dhe Gocaj për krutanët; Mohamad për Bylisin.

 FOKUS

Superliga, “çështje familjare

 Historia djalë-trajner përsëritet. Nëse në fitoren 1-0 të Tomorit ndaj Besës, golin fitues e shënoi Mario Muzhaj, djali i trajnerit Madrid Muzhaj, thuajse i njëjti “skenar” ndodhi edhe në suksesin trepikësh të Shkumbinit ndaj Tiranës (1-0). Vangjel Mile, djali i trajnerit Kristaq Mile, fitoi penalltinë e shëndërruar në gol nga Mustafaj. Superliga, të paktën këtë javë ishte një çështje familjare.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XV

Të shtunën, 16.02.2013

Teuta-Luftëtari      2-0

Tomori-Besa          1-0

Vllaznia-Kukësi      1-0

Të dielën, 17.02.2013

Laçi-Flamurtari      1-2

Bylis-Kastrioti      0-0

Apolonia-Skënderbeu  0-1

Shkumbini-Tirana           1-0

RENDITJA

 1    Skënderbeu      15   +19  36

2    Teuta           15   +8   29

3    Flamurtari      15   +9   25

4    Tirana          15   +5   25

5    Kukësi          15   +6   24

6    Laçi            15   +1   24

7    Vllaznia        15   +3   23

8    Bylis           15   +3   22

9    Kastrioti       15   -4   19

10   Besa            15   -4   16

11   Shkumbini       15   -9   15

12   Luftëtari       15   -10  11

13   Tomori          15   -12  9

14   Apolonia Fier   15   -15  8

DY JAVËT E ARDHSHME

 JAVA 16/ 23.02.2013

Luftëtari-Vllaznia

Kukësi-Apolonia

Skënderbeu-Bylis

Kastrioti-Laçi

Flamurtari-Tomori

Besa-Shkumbini

Tirana-Teuta

JAVA 17/ 02.03.2013

Tirana-Luftëtari

Teuta-Besa

Shkumbini-Flamurtari

Tomori-Kastrioti

Laçi-Skënderbeu

Bylis-Kukësi

Apolonia-Vllaznia

  Një urim nga Shaqiri

  Xherdan Shaqiri, mesfushori kosovar i Bajernit të Munihut, uron Kosovën me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë. Mesfushori gjilanas, kishe ngjyrosur dorën e tij të djathtë me flamurin e Kosovës, dhe e kishe postuar në rrjetin social Facebook, duke shkruar: “Urime Pavarësia e Kosovës, 5 vjet shtet”.

 Lucerni i Hykës barazon me 10 lojtarë

 Lucerni dhe Cyrihu ndanë nga një pikë në barazimin 1-1, ndërkohë që në aksion gjatë gjithë ndeshjes për Lucernin ishte mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka. Ndeshja nisi me një gol të shpejtë të realizuar pas vetëm dy minutash lojë nga ana e Alain Vis të Lucernës. Në minutën e 67-të, portieri i Lucernës, Zibung u ndëshkua me karton të kuq, pasi frenoi në mënyrë të parregullt një kundërshtar të tij. Mbrojtësi francez Matieu Beda barazoi nga pika e bardhë. Në minutën e 91-të u fut në lojë kosovari Hekuran Kryeziu, në vend të autorit të golit, Alain Visit. Me Cyrihun luan mesfushori i Kombëtares, Burim Kukeli, por kosovari po qëndron jashtë fushave, pasi thyerjes së këmbës gjatë një ndeshjeje miqësore, duke i munguar jo vetëm ekipit të tij, por dhe përfaqësueses sonë.

 Fiton FSV Frankurt i Odise Roshit

  FSV Frankfurti i Odise Roshit arriti një fitore me shumë vlerë ndaj një rivali të fortë si Energi Kotbus, edhe pse luajti nga minuta e 68-të me dhjetë lojtarë, pas kartonit të kuq të Marsel Gausit. Mesfushori i Kombëtares luajti si zëvendësues nga minuta e 76-të, në vend të holandezit Jan Verhoek. Golin me vlerë tri pikë të FSV Frankfurtit e shënoi Jonson 39’. Sulmuesi Edmond Kapllani vazhdon fazën e gjatë të rikuperimit. Me këtë fitore, FSV Frankufurti u ngjit në vendin e pestë me 33 pikë. Padeborni i Alban Mehës renditet i 11-ti me 29 pikë. Në Bundesligën 1, Greuther Fyrth i kapitenit shqiptar Mërgim Mavraj humbi 1-0 me Fortuna Dyseldorf, në takimin e vlefshëm për javën e 22-të. Në minutën e 85-të në lojë hyri edhe sulmuesi Ilir Azemi, i konsideruar si një kandidat i Kombëtares. Borusia Mënshengladbah i Granit Xhaka (82 minuta në lojë) humbi 1-0 me Hamburger.