De Biazi dhe Shqipëria e tij: “Botërori 2014, ne besojmë”

462
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet për mediat italiane: “Po e kaloj shumë bukur në Shqipëri”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, beson se ëndrra për të qenë në Botërorin e Brazilit është ende e gjallë. Tekniku italian e bëri deklaratën e ngrohtë gjatë një interviste për portalin “Calciolab.com”, ku foli edhe sesi ai e kalon jetën e tij në Shqipëri, duke dhënë edhe një opinion për nivelin e futbollit tonë. De Biazi pranoi se, eksperienca e tij në vendin e “shqiponjave’ është shumë e këndshme. Trajneri preku edhe temën e dyshimeve për rezultatet e fiksuara në kampionatin shqiptar.

 – Zoti De Biazi, jeni trajner i kombëtares shqiptare. Duket se kualifikimi për në finalet e Botërorit Brazil 2014 është një çështje e hapur. A mund ta themi me plot gojën këtë?

– Po, jemi në një grup me Zvicrën dhe Norvegjinë, renditemi të tretët me vetëm një pikë më pak se skandinavët. Sigurisht, që kundërshtarët tanë kanë vlera teknike më të mëdha se tonat, por ne po punojmë shumë duke përkëdhelur këtë ëndërr të vogël, pa bërë shumë bujë. Ndërkaq, më datë 22 mars do të luhet ndeshja Norvegji-Shqipëri në Oslo.

 – Cili është niveli i futbollit shqiptar aktualisht? A ka aty talente që mund të luajnë edhe në kampionatin italian?

– Le të themi se është një futboll në evoluim, mungojnë shumë gjëra, përveç edhe stadiumeve bashkëkohore. Mirëpo, ka edhe shumë djem të rinj që luajnë futboll dhe e bëjnë këtë me pasion shumë të madh, duke dhënë maksimumin për të dalë nga anonimati. Ka shumë futbollistë që aktualisht luajnë nëpër Evropë, mes Gjermanisë, Zvicrës, Ukrainë dhe Turqisë, ndërkohë që katër prej tyre luajnë edhe në Itali.

– A mund të na jepni një emër që është më spikaturi nga të gjithë?

– Besoj se kemi 3-4 lojtarë të mirë që mund t’i bëjnë punë ndonjë skuadre italiane, por mos më kërkoni të përmend emra sepse nuk dua të zhgënjej asnjërin prej tyre.

 – Si është jeta e trajnerit të Shqipërisë?

Është pak a shumë e njëjtë me atë të trajnerëve të tjerë të kombëtareve, jemi më pak të impenjuar në fushë dhe gjithë kohës duke udhëtuar: më duhet të lëviz shumë nëpër Evropë së bashku me bashkëpunëtorët e mi. Ka të tjerë që kanë shumë futbollistë në vendet ku janë rritur, por unë jam paksa i pafat në këtë drejtim.

 – Meqë po flasim për futbollin shqiptar: për fatin e keq në një raport të publikuar pak javë më parë është cilësuar si më i korruptuari në botë, i ndjekur nga ai italian në vend të dytë. – Cili është impresioni i një njeriu si ju, që jetoni mes Italisë dhe Shqipërisë?

 – Unë ndihem totalisht jashtë këtyre diskutimeve. Kur mendon se disa ndeshje mund të kushtëzohen nga qëndrimi mashtrues i disa lojtarëve është diçka që më lë një shije të hidhur në gojë. Trajneri është pak a shumë si një mësues i shkollës për këta djem: t’i shohësh teksa komprometojnë karrierën e tyre për t’iu nënshtruar shantazheve, kërcënimeve, duke u kthyer në bashkëpunëtorë të këtyre skandaleve është diçka që më trishton shumë.

 – Zoti De Biazi, a iu mungon bankina italiane? Kur mund t’iu shohim sërish në Serie A?

– Shikoni, unë jam shumë i lumtur në stolin e kombëtares shqiptare, një detyrë që e bëj me gëzim e entuziazëm, dhe shpresoj të arrij objektivat që i kemi vetes qysh në fillim. Pastaj, jetës nuk i dihet kurrë se çfarë të sjell, unë jam pro motos së famshme “Never say never”, kurrë mos thuaj kurrë.

 – Të martën e kaluar ishit në stadiumin ‘Celtic Park’ të Gllasgout për të ndjekur ndeshjen e Juventusit e vlefshme për fazën e 1/8-ve të Champions League. Pas asaj fitoreje të madhe 3-0 ndaj skocezëve, deri ku mendoni se mund të arrijë kjo skuadër?

– Se deri ku mund të arrijë, këtë nuk mund ta di, por me siguri Juventusi në këtë moment ka një formë psikofizike vërtetë optimale, që të jep shpresa të mëdha për vazhdimin e kësaj aventure në Evropë. Tani kalimi i turit mund të quhet një formalitet, kështu që bardhezinjtë duhet të mendojnë për sfidën me kundërshtarin e raundit tjetër.

Kosovari, katër gola në katër ndeshje e fundit

 Besart Berisha, “kanguri” i golave

 Besart Berisha shënoi golin e radhës në kampionatin australian. Sulmuesi kosovar realizoi në fitoren 2-0 të Brisbejn Roarit kundër Uellington Foeniks. Takimi i ishte i vlefshëm për javën e 21-të të A-League. Stivën Lustika i dha avantazhin skuadrës së tij në minutën e 33-të, ndërsa Besart Berisha dyfishoi rezultatin në të 49. Për ish-sulmuesin e Kombëtares shqiptare ky ishte goli i tij katërt në katër ndeshjet e fundit dhe i 12-ti sezonal. Pas një fillimi jo shumë efikas, tani Berisha ndodhet i dyti në listën e golashënuesve, me tri gola më pak se Daniel MekBrin i Sëntrëll Koast Mariners. Edicionin e kaluar ish-lojtari i Hamburgut realizoi 21 gola, duke fituar edhe “Këpucën e Artë” në Australi. “Brisbejn Roar, kampioni në fuqi i Australisë, i bëri një nisje të keqe sezonit, por tani ka nisur të japë shenja të mira, kjo falë dhe një sulmuesi të talentuar të pajisur me dhuntinë për të shënuar gola të pabesueshëm, si Besart Berisha”, shkruante gazeta australiane “The Synday Morning Herald”. Berisha shfrytëzoi në maksimum një top të pakontrolluar mirë nga kundërshtari i tij Dani Sançez, ky i fundit e humbi topin në mesfushë. Në këtë fundjavë një gol të bukur realizoi edhe mbrojtësi Admir Teli, në fitoren 3-0 të Qarabag ndaj Sumqayit, në takimin e vlefshëm për javën e 20-të të kampionatit azerbajxhanas. Shkodrani realizoi golin e dytë të takimit në minutën e 83-të. Ky ishte goli i parë sezonal i Telit, që luan në Azerbajxhan nga sezoni 2009-2010. Cavadov (23’) dhe Sadiqov (87’) shënuan dy golat e tjerë. Mesfushori i Kombëtares, Ansi Agolli  luajti 90 minuta të plota. Në kampionatin grek, PAS Janina vazhdoi serinë e rezultateve pozitive, por pa mundur të fitojë me Panthriakos në javën e 22-të. Mbrojtësi Andi Lila luajti si titullar (u ndëshkua me të verdhë), ndërsa mesfushori ofensiv Emiljano Vila u fut në lojë në minutën e 70-të. PAS Janina ndodhet në vendin e pestë (në zonën play-off për Ligën e Europës).

 Pa fat Sukaj-Bulku

 Sepehani i dy lojtarëve shqiptarë, Xhevair Sukaj dhe Ervin Bulku, humbi 1-0 me Persepolisin, në javën e 26-të të kampionatit iranian. Sepehan është në vendin e tretë në renditje, por tani është pesë pikë larg Esteghalit kryesues.

 Bogdani-Cana, derbi shqiptar në Itali

 Një derbi shqiptar në Serinë A. Golashënuesi më i mirë i Kombëtare, Erjon Bogdani, dhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana,

do të përballen sërish midis tyre në sfidën Siena-Lacio (20:30). Në ndeshjen e fazës së parë, Lacio fitoi 2-1. Në atë takim, nuk luajti as Cana dhe as Bogdani, ndërkohë që përballja e tyre direkte, i përket ndeshjes së Kupës së Italisë (19 dhjetor 2012), në atë takim të përfunduar 1-1, por të fituar nga lacialët me penallti. Në atë takim, Lorik Cana shkaktoi në mënyrë të pavullnetshme një autogol, ndërkohë që Bogu luajti gjatë gjithë takimit. Me dy golat e këtij këtë sezon, Bogdani është shënuesi i katërt më i mirë i Sienës. Dy ekipet ndodhen në pozita krejt të kundërta, Lacio pozicionohet e treta, ndërkohë që Siena mbyll renditjen e Serisë A.

 Curri shijon fitoren nga bankina

 Genshlerbirlixhi fitoi bindshëm 3-1 me Merisn Idmanyurdu, por mbrojtësi shqiptar Debatik Curri e shijoi atë nga bankina. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 22-të Superligës turke. Kosovari i Kombëtares shqiptare është aktivizuar këtë sezon në vetëm 9 nga 22 ndeshjet e zhvilluar (në total 339 minuta), kjo dhe për shkak të dëmtimit që pati pësuar. Genshlebirlixhi renditet në vendin e 8-të me 30 pikë. Edhe në ndeshjet e SeriësA, lojtarët shqiptarë ishin spektatorë. Kandidati më i ri për fanellën e  Kombëtares shqiptare, Migjen Basha, nuk u aktivizua në ndeshjen Torino-Atalanta (2-1). Të shtunën, Kievo e Samir Ujkanit baraozi 1-1 me Palermon, ish-skuadra e portierit kosovar. Ujkani qëndroi në bankinë, dhe ende nuk ka debutuar me Kievon.

 Valdet Rama, de Biazi

Real Valladolid

19 : 00

Atlético Madrid

  “Gjeniu” Mesi, 301 gola në 365 ndeshje

 Shënon prej 14 javëve radhazi dhe dygolëshi ndaj Granadas mund të duket diçka normale për një emër si Lionel Mesi që fitoi katër “Topa të Artë” dhe ka thyer rekordin sezonal të golave të Gerd Muller. Në fakt nuk është aq normale sepse të Shtunën në mbrëmje sulmuesi argjentinas shënoi rekordin tjetër, atë të 301 golave me fanellën e Barcelonës. Shifra të frikshme, ka shënuar 301 herë në 365 ndeshje, ose me gjuhën e statistikave 0.8 gola për ndeshje e si të mos mjaftonte, këtë sezon Lionel Mesi ka realizuar 48 gola, 37 prej të cilëve në La Liga dhe po të mendojmë që jemi në Shkurt, ka ende dhjetëra ndeshje për t’u luajtur ende. Milani duhet t’i trembet “pleshtit” të Mërkurën në “San Siro” por ajo që mund të ndihmojë kuqezinjtë e Allegrit është fakti që Barcelona me Granadan pësoi sërish gol dhe është takimi i 9 radhazi që djemtë e Vilanovas pësojnë të paktën 1 gol.