FK Kukësi: Hedhim në gjyq personin që shpifi për ndeshjen Vllaznia-Kukësi

411
Sigal

Deklaratat e fundit në lidhje me një trukim të mundshëm edhe të ndeshjes Vllaznia-Kukësi, nuk janë pritur mirë nga skuadrat përkatëse duke sjellë reagimin e tyre të menjëhershëm në mbrojtje të vlerave të tyre si skuadra, ku përfshirja në të tilla “marrëveshje” nuk ka ndodhur mes tyre. Një deklaratë e një anëtari të Këshillit të Bashkisë në Shkodër ku tha se Kukësi bleu Vllazninë për 100 mijë euro, vuri në lëvizje jo vetëm palët e interesuara por edhe FSHF që e vuri këtë ndeshje nën hetim disiplinor. Nisur nga kjo, dje, bashkë me mbledhjen e Komisionit erdhën edhe deklaratat zyrtare të klubeve përkatëse, ku në rastin e Kukësit gjetën një fjali shumë pikante ku thuhej: “Djepi i futbollit nuk shitet e nuk blihet me euro”, duke ju referuar skuadrës kuq e blu dhe historisë së saj në futbollin shqiptar. Ndër të tjera, në deklaratën e tyre, skuadra e Kukësit etiketon drejtpërdrejtë personin që është shprehur për shitjen e ndeshjes duke thënë: “Në do bëjmë padi penale ndaj këshilltarit në fjalë, dhe në bazë të Kodit Civil, dhe do kërkojmë dëmshpërblim për prishje imazhi dhe shpifje”. Më tutje në deklaratë, tregohet edhe një herë se Vllaznia, bashkë me Partizanin, kanë qenë të vetmet skuadra që ia kanë dalë të mundin Kukësin në shtëpi, e duke u shprehur kështu sigurisht që duan të tregojnë mbi ndershmërinë e lojës së tyre, pa u ndikuar nga paraja dhe paracaktimi i rezultateve. Nuk qëndron pas as Vllaznia që ka mohuar zërat në lidhje me një veprimtari të tillë që nuk është e rregullt, ndërkohë që në deklaratë u tha: “Çdo person që ka fakte në lidhje me këtë ndeshje, duhet të shkojë në Prokurori dhe jo të disinformojë opinionin publik”. Ndër të tjera, është vetë klubi që i kërkon Prokurorisë që të nisë hetimet në lidhje jo vetëm me këtë ndeshje, duke thënë:  “Ftojmë Prokurorinë të hetojë mbi këtë ndeshje dhe në të gjitha ndeshjet e tjera të Vllaznisë,kjo në kuadër të transparencës dhe konsolidimit të funksionit të ekipit të Vllaznisë”. Duke qenë se Komisioni i Etikës po merret edhe me këtë ndeshje, mbetet për tu parë se si do të rrjedhin ngjarjet për këtë takim dhe dyshimet e shtruara, por duhet thënë se edhe në opinionin e gjerë sa i takon specialistëve por edhe tifozëve, kjo ndeshje nuk shihet si e trukuar pasi ndeshja e fortë që u luajt në fushë nuk është se lë shumë vend për dyshime për asnjërën nga skuadrat.