Financat e klubeve dhe kriza futbollistike

730
Sigal

Shumë nga skuadrat e Superligës nuk i kanë shlyer apo u kanë vonuar pagesat lojtarëve

Disa prej klubeve shqiptare po përjetojnë një situatë të paqartë financiare, ku spikasin vonesat në pagesat e lojtarëve, si në Kategorinë Superiore, por dhe ato në ato kategorive inferiore. Edhe pse ishte premtuar për dje, lojtarët e Tiranës, skuadrës me më shumë trofe në vend: 49 (24 kampionate, 15 Kupa të Shqipërisë dhe 10 Superkupa), nuk i morën paratë e tyre, duke qenë tashmë 37 ditë pa u paguar (tetor-nëntor 2012). Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Besa e Kavajës, ku tej premtimeve të presidentit Bizhdili, lojtarët ende nuk janë paguar (një rrogë e gjysmë). Lojtarë që nuk janë paguar, por dhe që kërcënojnë me largime nga skuadrat. Në fokusin e gazetës “Telegraf” janë pikërisht financat e futbollit. Sa fitojnë klubet kur dalin kampionë apo fitues të Kupës së Shqipërisë, si shpërndahen të ardhurat nga e drejta televizive, apo nga përfaqësimi në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës? Cili është modeli më i mirë i funksionimit të tyre, 100 për qind në pronësi të Bashkisë; paketë dominuese të individëve apo bizneseve private? Bota sipas fuqisë së kampionatit, por luhet me 9 zero eurosh  Shqipëria, tani që flasim nuk i kalon të 1 milion eurot, por në Angli për sezonin 2010-13 shpërndahen  2 miliardë euro. Krahasimi është i qartë.

  RISIA E MARKETINGUT  – Nga viti 2000 kur hyri koncepti i përfitimit për të drejtën televizive për ndeshjet e kampionatit, klubet shqiptare e shisnin të drejtën televizive në mënyrë të pavarur, duke mos qenë të organizuara mirë, përfitonin shumë më pak, nëse do të ishin të gjitha bashkë, duke zbatuar një praktike të ngjashme me vendet e tjera, që do t’u siguronte të ardhura të mjaftueshme nga e drejta televizive.  Por, pas këtij kaosi, në vitin 2009 erdhi një risi, që solli ndryshime të mëdha në organizimin e klubeve, në këtë drejtim. Ndërmjet klubeve dhe kompanisë “UFA Sports”, u arrit një marrëveshjes për shifrat financiare për transmetimin e aktivitetit më të rëndësishëm në vend falë edhe ndërhyrjes së Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila asaj kohe, miratoi 300 mijë euro kontribut shtesë për arkat e skuadrave. Akordi parashikonte bashkëpunim trevjeçar, e klubet elitare të përfitonin 600 mijë euro në sezon. Gjysma e kësaj shifre ishte ofruar nga kompania gjermane, e cila është pjesë e “RTL Group”, ndërsa 300 mijë euro do të shpërndaheshin nga federata. Skuadra që përfitoi më shumë nga bashkëpunimi me UFA-n, për shitjen e së drejtës televizive ishte Tirana. Të ardhurat e kampionëve në fuqi, aso kohe kapnin kuotën 82.500 euro. Në vendin e dytë, Vllaznia (nënkampione e vendit) me 70 mijë euro, ndërsa i treti është Flamurtari (65 mijë euro), e me radhë skuadrat e tjera. Që prej 2009-s e deri më sot kjo skemë është vënë zbatim.

 E DREJTA TELEVIZIVE – Futbolli në vendin tonë është i varfër, pasi dhe në përgjithësi stadiumet tona janë boshe. Klubet kanë buxhete modeste, me përjashtim të Skënderbeut (rreth 1 milionë euro), Flamurtarit (80 milionë lekë), Tiranës (80 milionë lekë, por që në vitin 2013 është parashikuar në buxhet vetëm 30 milionë lekë). Ajo që mban gjallë në një farë mënyre disa skuadra të Kategorisë Superiore, veç buxhetit të tyre modest, është fluksi i parave që mbledhin nga shitja e imazhit televiziv. Çdo fillim sezoni, skuadrat e Kategorisë Superiore, në llogaritë e tyre marrin një shumë të caktuar parash, nga e drejta televizive e kampionatit. Për sezonin 2012-2013, Federata Shqiptare e Futbollit shpërndau një shumë prej 600 mijë eurosh për 14 skuadrat e Kategorisë Superiore. të cilat marrin pjesë në Kategorinë Superiore. Të 14 ekipet, marrin nga 4 deri në 14 për qind, nga ato që para që ndahen për skuadrat e Superiores. Janë disa kritere në shpërndarjen e tyre, sipas renditjes të  sezonit të kaluar dhe madhësisë së qyteteve ku ka pasur nga ato ekipe që kanë përfituar më shumë se 70 mijë euro.  Paratë e të drejtës TV, të Superiores, ndahet në bazë të një skeme të ndërtuar më parë nga FSHF së bashku me klubet. Për 14 ekipe, 500.000 euro jepen direkt në fillim, të ndarë në disa këste gjatë gjithë sezonit. 100.000 euro të tjerë ndahen në bazë të madhësisë së qytetit dhe finales së Kupës së Shqipërisë. Skuadra që merr më shumë para, është kampionia dhe më pas të gjithë ekipet e tjera, sipas renditjes deri në vendin e 14-të. Nga kjo ndarje parash, përfitojnë edhe ato ekipe, të cilat vijnë nga Kategoria e Parë, ndërkohë që ato që zbresin një kategori më poshtë, humbasin të drejtën për të marrë përfitime nga e drejta televizive. Me një përllogaritje të saktë, kampioni i Shqipërisë (në rastin konkret Skënderbeu) merr rreth 64 mijë euro, ndërsa skuadra e fundit 20.000 euro. Këtyre vlerave, u shtohen edhe paratë për madhësinë e qytetit. Sa më i madh të jetë qyteti, nga i cili vjen skuadra, aq më shumë para marrin ekipet. Më qartë 85 mijë eurot, ndahen mes kryeqytetit që merr 12.500 euro (në këtë rast Tirana) apo 2500 eurove që u takojnë skuadrave të qyteteve si, Ballshi, Besa, Laçi apo Peqini. Nga e drejta televizive dhe reklamat në stadium, një klub i kategorisë superiore në Shqipëri nuk mund të nxjerrë më shumë se 60–70.000 euro në vit.

 TROFETË E FITUARA  – Nga kampion, deri në vendin e gjashtë përfiton nga 64 mijë euro deri në 40 mijë. Sigurisht kampioni ka “pjesën e luanit”. Pra, sa më mirë në renditje sezonin e kaluar aq më shumë para nga e drejta televizive. Kampionati është një pjesë e fitimeve. 15 mijë euro janë veçuar për t’u ndarë mes fitueses së Kupës së Shqipërisë dhe finalistes. Dhjetë mijë euro, i merr fituesi i Kupës së Shqipërisë dhe 5 mijë euro finalisti i Kupës. Prej dy sezonesh, skuadra që vijnë nga qytete të vogla, po marrin para më shumë se ç’mund të përfitonin nëse në Superiore do të ishin Partizani dhe Dinamo. Për Kupën e Shqipërisë nuk ka një shpërndarje skematike si për Kategorinë Superiore. Në tri vitet e fundit, gjithçka është bërë në bazë të një skeme, ndërkaq për Kupën e Shqipërisë klubet fitojnë bonusin prej 15 mijë eurosh, vetëm kur shkojnë në finale. Për dy vite me radhë Skënderbeu dhe Tirana janë dy klubet që kanë përfituar më shumë nga e drejta televizive. Fat, apo gjë tjetër, këto skuadra kanë marrë më shumë se 140,000 euro nga 600 mijë euro që është buxheti i të drejtës televizive. Kampionët këtë vit do të marrin 76.250 euro, 5.000 euro më shumë se një vit më parë. Gjithçka, falë titullit dhe të qenit në finalen e Kupës së Shqipërisë, që humbën me bardheblutë në muajin maj. Kategoria e Parë është kampionati, i cili, ende nuk është futur dot në skemën e së drejtës televizive. Edhe pse është folur shumë për këtë problem dhe klubet janë gati, gjërat nuk është se kanë ndryshuar. Tirana, fituesja e Kupës së Shqipërisë përfiton këtë sezon 70,000 euro, 3750 euro më shumë.  Teuta, e dyta në kampionatin e vjetshëm, merr 65.000 euro. Pas tyre, Kastrioti, Flamurtari e Bylisi, që marrim më shumë se 40,000 euro, duke qenë brenda gjashtëshes më të paguar të Kategorisë Superiore.

 PARAQITJET NË EUROPË – Klubet shqiptare që marrin pjesë në Evropë këto vitet e fundit, nuk është se kanë përfituar shuma marramendëse nga shitja e së drejtës televizive. Nga përfaqësimi në kompeticionet europiane, Vllaznia ka përfituar mirë nga e drejta TV për ndeshjen me Napolin, rreth 200.000 euro. Besa kur u ndesh me Olimpiakosin arkëtoi 110.000 euro. Tirana dhe Partizani kanë marrë shuma të papërfillshme, ndërkohë që të tjerët nuk e kanë pasur atë fat, kjo dhe për shkak të moskalimit të tureve. Kontributet nga UEFA për pjesëmarrjet në kompeticionet: Liga e Kampionëve (340.000 euro) dhe Ligën e Europës (140.000 euro). Por, sa më shumë ture të kalosh aq më shumë fiton. Kështu, i këtyre shumave u shtohen 340 mijë euro për kalim turi në Ligën e Kampioneve dhe 70 mijë euro në Ligën e Europës.

 FUTBOLL DHE BIZNES –  Futbolli, në fakt, lind si lojë, zhvillohet e struktrurohet si sport e më tej kapërcen kufijtë, duke u zgjeruar në biznes. Ky realitet është tashmë një fenomen social e kulturor masiv, që përfshin komunitete gjithmonë e më të gjera dhe mbetet një faktor ekonomik gjithmonë në rritje. Në fakt, sot të dyja aspektet e këtij fenomeni, sporti dhe biznesi, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Në futboll, por nëse shohim edhe më gjerë, mund të themi se nuk ka asnjë aktivitet sportiv sot në botë që të mos jetë i shoqëruar me sponsorizime, reklama, investime në kultivimin e talenteve, merchandising zyrtar, të drejta televizive, etj. Kampionati shqiptar i futbollit, i cili është duke u zhvilluar prej më shumë se 80 vjetësh radhazi në Shqipëri, ofron stadiume me pak reklama, me kompani sponsorizuese që ikin e vijnë, me menaxhim kalimtar e me objektiva afatshkurtër.

 ORGANIZIMI I KLUBEVE  – Por, si janë të organizuara klubet tona nga pikëpamja juridike dhe administrative? Dallojmë tri forma juridike në organizmin e tyre: Shoqëria Aksionare me Bashkinë e qytetit përkatës si zotërues 100% të paketës; Shoqëri Aksionare, në të cilat paketën kryesore e zotërojnë individët dhe Shoqata (me bord drejtues dhe president), ky e gjithë paketa është në kontrollin e individëve të caktuar. Duke i parë një nga një, të 14 klubet e Kategorisë Superiore, konstatohet se 12 prej tyre funksionojnë si Shoqëria Anonime (Aksionare), konkretisht: Apolonia, Bylisi, Vllaznia, Flamurtari, Kastrioti, Laçi, Kukësi, Shkumbini, Tomori dhe Luftëtari. Dy të tjerat funksionojë si Shoqata (një formë ligjore dhe e pranueshme nga FIFA dhe UEFA) dhe këto janë Skëndëerbeu dhe Teuta, Duke i parë më në detaj pronësinë e klubeve, në gjashte prej tyre Bashkia është 100% pronare: Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Shkumbini, Luftëtari dhe Tomori. Pesë klube të tjera kanë në mazhorancë aksionesh individët apo biznese private: Apolonia (Koço Kokëdhima 75%, Bashkia Fier 25%); Laçi (Pashk Laska 75%, Bashkia Laç 25%); Kastrioti (“Alban Sport” 75%, Bashkia Krujë 25%) dhe Bylisi (“Gjanica” 75%, Bashkia Ballsh 25%). Më 23 gusht 2011, me vendim unanim të Këshillit Bashkiak të Kukësit, Futboll Klub Kukësi u kthye në një shoqëri aksionere. Bashkia mbetet aksionereve e vetme e terreneve sportive, kurse shpenzimet sezonale përballohen 40% nga Bashkia dhe 60% nga një grup prej 17 biznesmenësh. President i klubit, Safet Gjici.

 600.000 euro

Është shuma totale që përfiton gjithë Kategoria Superiore nga e drejtëa televizive.

 76.250 euro

Përfiton sivjet Skënderbeu ekipi kampion dhe finalist i Kupës së Shqipërisë.

4 sezone

Ka kampionati shqiptar që shet të drejtën televizive të ndeshjeve të Superligës.

Gjermania, parajsa financiare e futbollit

 Nëse i gjithë futbolli europian vuan krizën financiare, Bundesliga gjermane duket se jeton në një botë tjetër, ndërsa skuadrat e saj janë të vetmet që mbyllin bilancet e tyre në mënyrë pozitive. Në një kohë që UEFA e ka të vështirë të aplikojë “fair-play” financiar, kampionati gjerman ia ka bërë më të lehtë këtë punë qeverisë europiane të futbollit. Jo vetëm Bayern Munich, por edhe Borussia Dortmund mund të krenohen për menaxhimin që i kanë bërë financave të tyre. Nëse për gjigandët bavarezë kjo nuk është një gjë e re, kampionët në fuqi të Gjermanisë numërojnë rreth 11 milionë euro përfitime ne arkën e klubit. Mbase në pamje të parë kjo shifër nuk duket e madhe, merr të tjera përmasa kur krahasohet me bilancet e disa prej klubeve më të mëdha të Europës që duhet t’i bëjnë llogaritë me dhjetëra milionë euro borxhe. Por cili është sekreti? Gjithçka është e thjeshtë. Skuadrat gjermane kanë reduktuar vitet e fundit blerjet e shtrenjta në merkato, duke drejtuar vëmendjen te lojtarët e rinj, të cilët tani janë nga më të kërkuarit në botë. Mjafton të përmendësh emrat e Ozil, Ghedira, por edhe të Goetse apo Reus.

Edhe politika e ndjekur nga Federata dhe Liga Gjermane e Futbollit ka gisht në këtë situatë në Bundesligë. Që pas Botërorit 2006 të zhvilluar në vend, rritja e numrit të tifozëve në stadium është shumëfishuar. Bundesliga ka një mesatare prej 31.577 tifozësh për ndeshje, ndërsa shkak për këtë është çmimi i ulët e biletave dhe abonimeve ndryshe nga kamopionatet e tjera të Europës.