Fadil Vokrri: “Ylli i ri i Kosovës është Samir Ujkani”

276

Presidenti i Federatës flet për gazetën serbe “Kurier”: “Ftojmë edhe serbët në Kombëtaren tonë”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri konfirmoi ardhjen e Samir Ujkanit, Loret Sadikut dhe Emir Bajramit, për ndeshjen miqësore kundër Haitit, e para e autorizuar nga FIFA, takim që do të luhet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Ish-lojtari i famshëm i Partizanit të Beogradit u bëri thirrje publike edhe lojtarëve nga përkatësitë e tjera etnike, përshirë dhe atë serbe, që të bashkohen me ekipin e drejtuar nga Albert Bunjaku. Njëshi i futbollit kosovar dha një intervistë të gjatë për gazetën serbe “Kurir”, ku foli edhe për përballjet e dyfishta midis Shqipërisë dhe Serbisë, për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”.

SHQIPËRI-SERBI

Shorti i Euro 2016 vendosi në një grup Shqipërinë dhe Serbinë. Për kreun e Federatës së Kosovës, i cili është afirmuar si lojtar i nivelit të lartë me Partizanin e Beogradit, ajo pritet të jetë një ndeshje e normale. “Tashmë kanë filluar flitet se ajo nuk do të jetë një ndeshje e zakonshme, por unë jam i bindur se do të jetë ndeshje normale. Në vend se të luhet në Tiranë, do të luhet në Elbasan, pasi atje po bëhet një stadium modern. Për kë do të bëj tifozëllëk? Besoj se ju e dini se unë jam shqiptar!”, thotë Vokrri.

YJET  E KOSOVËS

“Përgatitjet për ndeshjen kundër Haitit po ecin si duhet. Kemi një skuadër solide, por e vlerësojmë edhe Haitin. Përzgjedhësi ynë, Albert Bunjaki është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, ashtu sikurse të gjithë ne, prandaj dëshirojmë fitore.

Përzgjedhësi Bunjaki tri ditë para kësaj sfide do ta zbulojë listën e futbollistëve. Sigurisht se nuk do t’i fitojmë futbollistët tanë që luajnë për Zvicrën, Shqipërinë dhe përfaqësueset tjera. Kjo nuk do të ishte sportive, kurse ne gjithmonë jemi për ‘fair-play’. Kemi lojtarë për një nivel solid. Ylli i parë pa dyshim është portieri Samir Ujkani, i cili luan në Itali dhe i cili ka mbrojtur portën e Shqipërisë. Do t’i veçoja edhe dy lojtarë tanë nga Suedia – Loret Sadikun dhe Emir Bajramin

FUTBOLLISTËT SERBË

A do të ketë serbë në përfaqësuesen e Kosovës? Vokrri thotë: “Unë nuk i shoh gjërat në aspektin e përkatësisë etnike dhe fetare të ndonjë futbollisti. Çdo kush që e pranon Kosovën si shtet të tij mund të luajë për ne. Pa marrë parasysh nëse ai është shqiptar, serb apo malazez”. Në lidhje me takimin me Presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, Vokrri tha: “Asgjë speciale! Ishte ky një takim jozyrtar. U takuam jashtë protokollit. As gazetarëve në Prishtinë nuk u kam treguar për çka kemi biseduar, prandaj do të ishte jokorrekte t’ua zbuloja fillimisht juve nga Beogradi”.

ADNAN JANUZAJ

Çështja e së ardhmes së yllit të ri të Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, nuk mund të mos ishte temë e intervistës. “Ende nuk kam zhvilluar takim me familjen e tij. Pres që të shihemi dhe që Adnan Januzaj në të ardhmen të luajë për ne. Bëhet fjalë për një futbollist me perspektivë të madhe, por është vetë Adnani që duhet të vendosë se për kë do të luajë”, – tha Presidenti i

Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

 Avdijaj: “Dua të luaj kundër Ronaldos!”

 Super talenti shqiptar i Shalke 04, 17-vjeçari Donis Avdijaj, rezulton lojtari me klauzolën më të lartë të lirimit nga kontrata në futbollin gjerman. Shuma kap shifra të “çmendura”: 49 milionë euro. Lojtari i Kombëtares U-19 gjermane është adhurues i Kristiano Ronaldos, të cilin ai ka fatin ta shohë sot në ndeshjen e Ligës së Kampioneve, Shalke 04-Real Madrid. Duke folur për revistën gjermane, “Sport Bild”, Avdiaj tha: “Unë do të dëshiroja të grumbullohesha dhe të luaja të mërkurën (sot) kundër Realit, por këtë e vendos trajneri. Do të më pëlqente të tregoja vlerat e mia dhe të përballesha me një nga idhujt e mi (Kristiano Ronaldon”. Për momentin, Avdijaj, i konsideruar si një nga lojtarët më talentuar të dalë nga ekipet e moshave të Shalke 04 luan ne Bundesliga U-19. Fundjavën e kaluar ai shënoi dy gola në fitoren 5-0 ndaj Arminias së Bielefeldit. Trajneri i Shalke 04, Jens Keller, gjithmonë ka folur me superlativa për lojtarin shqiptar, pasi e njeh atë qysh me të rinjtë. Me Kellerin trajner tek ekipi Shalke U-17, Avdijaj u shndërrua në një makinë të frikshme: 44 gola në 25 ndeshje. Avdijaj ka të ngjarë të jetë në bankinë kundër Realit të Madridit, edhe pse Donisi do të dëshironte te kishte të paktën disa minuta në dispozicion.

 Miqësore U-19

Shqipëria fiton 2-0 me Rumaninë

 Shqipëria U-19 fitoi 2-0 ndeshjen me Rumaninë e asaj moshe, në takimin miqësore të zhvilluar në Romë (Itali). Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Foto Strakosha treguan një nivel të kënaqshëm loje duke shënuar nga një gol për secilën pjesë. Në atë takim spikati loja e mirë në mesfushë, duke qenë efikase si në fazat mbrojtëse ashtu dhe në ato sulmuese. Takimin e dytë ekipi ynë Kombëtar U-19 do ta zhvillojë sot kundër skuadrës së Lacios U-19. Trajneri Foto Strakosha pas një faze seleksionimesh ka thirrur në këtë turne lojtarë nga kampionati shqiptar, zviceran, italian dhe grek.

 Osman Reçi, futbollisti legjendë i Tiranës

 Klubi i Tiranës nderoi një prej figurave të spikatura bardheblu pas çlirimit të vendit, veteranin Osman Reçi, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Pikërisht në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”, familjarë dhe dashamirës së Tironës, i dhanë lamtumirën e fundit njeriut që dha kontribut të paçmuar për 24-herë kampionët e Shqipërisë në një kohë kur futbolli shqiptar dominohej nga Partizani dhe Dinamo. Edhe pasi vari këpucët në gozhdë Osman Reçi iu përkushtua futbollit si trajner moshash dhe zbulues talentesh. Karriera si futbollist i Osman Reçit shtrihet në vitet 1947-1960, kryesisht me fanellën bardheblu, ndërsa gjatë periudhës së shërbimit ushtarak luajti me Partizanin. Për shkak të talentit të tij të jashtëzakonshëm, Osman Reçi u grumbullua në disa raste edhe me Dinamon dhe Vllazninë në turnetë ndërkombëtare, ndërkohë që, ka dhënë kontributin e tij edhe në kombëtaren shqiptare. Osman Reçi ishte një shembull i jashtëzakonshëm për plejadat e mëvonshme bardheblu, që e shndërruan Tiranën klubin më të titulluar në vend.