Tirana “zbulon” fitoren në Krujë

592
Sigal

Bardheblutë mposhtin 3-0 Kastriotin. Gardiani 18-vjeçar Caka, debutim heroik

Tirana mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Kastriotin në Krujë, duke i dhënë fund serisë prej dy humbjeve rresht që, provokuan edhe ndryshime në kupolën drejtuese të klubit rekordmen në Shqipëri. Pas “ferri” në javët e fundit, ku problemet financiare u shoqëruan me dy humbje radhazi, 24 herë kampionët e vendit triumfuan bindshëm ndaj Kastriotit. Me mungesa të shumta në formacion, për arsye dëmtimi dhe pezullimi, formacioni i hedhur në fushë nga Nevil Dede tregon një dëshirë të jashtëzakonshme për të marrë maksimumin. Gilman Lika ka trashëguar shiritin e kapitenit nga Lika tjetër, Ilioni, portieri i cili ka mbyllur sezonin për arsye dëmtimi. Në portë debuton 18-vjeçari Caka, që tregohet në lartësinë e detyrës. Në krahun tjetër vendasit paraqiten me formacionin e tyre më të mirë. Që do të ishte një sfidë e vështirë nuk duhet shumë për tu kuptuar, pasi mjafton të shohësh kushtet e fushës, e cila është në një gjendje të mjerueshme, pavarësisht se është një nga tapetet më të reja në Superligë. Megjithatë lojtarët e të dyja skuadrave sfidojnë këtë pengesë dhe dhurojnë një lojë të bukur, ku dëshira për të luftuar është jashtëzakonisht shumë e madhe. Pavarësisht kësaj dëshire pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola. Bardheblutë futen në pjesën e dytë me të njëjtin formacion, por edhe me të njëjtat fanella të baltosura, duke treguar se problemet janë shumë më të mëdha se sa pikët në klasifikim. Por edhe kjo pengesë kalohet nga kryeqytetasit, të cilët thyejnë barazpeshën në minutën e 61-të me anë të Abilaliajt, që në shtyllën e parë e ka të lehtë të dërgojë topin në rrjetë. Krutanët hidhen në sulm për të shënuar golin e barazimit, por Tirana godet sërish. Terreni i keq nuk bëhet pengesë për një aksion perfekt të miqve, që finalizohet me gol nga kapiteni Gilman Lika në minutën e 71-të. Triumfi bardheblu vuloset 7 minuta më vonë, kur Mirel Çota i hedhur në fushë në pjesën e dytë shënon golin e tretë, duke ngjitur Tiranën në vendin e 5-të, 17 pikë larg Skënderbeut kryesues dhe katër pikë larg Flamurtarit të vendit të tretë.

 Mendon Hajdari për Vllazninë

 Arsen Hajdari ishte heroi i ditës në Shkodër, pas fitores 2-1 të Vllaznisë ndaj Tomorit. Sulmuesi 24-vjeçar realizoi të dy golat e shkodranëve, të parin në minutën e 12-të dhe 28-të, të kombinuar me golin e Aldo Mitrajt (25’) për Tomorin. Me këtë fitore, Vllaznia u ngjit në kuotën e 32 pikëve, ndërkohë që beratasit i japin fund aventurës në Superligë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XX

30.03.2013

Luftëtari-Bylis      1-1

Apolonia-Laçi        1-1

Kukësi-Shkumbini           5-1

Skënderbeu-Teuta           0-0

Flamurtari-Besa      0-0

31.03.2013

Kastrioti-Tirana           0-3

Vllaznia-Tomori      2-1

RENDITJA

1    Skënderbeu      20   49

2    Teuta           20   38

3    Flamurtari      20   36

4    Kukësi          20   36

5    Tirana          20   32

6    Vllaznia        20   32

7    Laçi            20   28

8    Kastrioti       20   28

9    Bylis           20   26

10   Besa            20   24

11   Luftëtari       20   18

12   Shkumbini       20   16

13   Tomori          20   9

14   Apolonia        20   9

JAVA XXI

06.04.2013

Flamurtari-Luftëtari

Besa-Kastrioti

Tirana-Skënderbeu

Teuta-Kukësi

Shkumbini-Vllaznia

Tomori-Apolonia

Laçi-Bylis

Muzaka: “Ta harrojmë sa me shpejt Besën!”

 Flamurtari hodhi një hap fals, në barazimin 0-0 me Besën, duke lënë dy pikë tëpër të çmuara në shtëpi, çka dhe i mohoi vendin e dytë, pasi dhe Teuta barazoi në Korçë me Skënderbeun. Dje, trajneri Ernest Gjoka e kishte lënë pushim skuadrën, kjo dhe për shkak të Festës së Pashkëve. Mesfushori Gjergji Muzaka pranoi për mediat se, ekipi i tij luajti mjaft dobët ndaj verdhezinjve: “Me Besën kemi zhvilluar një ndeshje që është për t’u harruar. Besoj se nuk ka ndikuar asgjë në skuadër, por thjesht impenjimet e ekipit kombëtar, pra shkëputja e kampionatit besoj se ka bërë të sajën, duke mos u luajtur përreth dy javë. Me Besën e gjithë skuadra ka luajtur shumë dobët, pa përjashtuar askënd këtu. Tashmë ne na duhet të përqendrohemi akoma më shumë në seancat stërvitore dhe ti zbatojmë me përpikëri detyrat që na jep trajneri. Ne si skuadër kemi si objektiv vendin e 3-të. Nuk na interesojnë kundërshtarët, ata kanë objektivin e tyre dhe ne tonin. Ne duhet të fitojmë ndeshjet tona dhe jemi në rregull”.

  Lushnja dhe Partizani,pranë Superligës

 Kur kanë mbetur edhe shtatë javë nga përfundimi i Kategorisë së Parë, Lushnja dhe Partizani janë dy ekipet me shanset më të mëdha për t’u rikthyer në Kategorinë Superiore. Lushnja kryeson me 56 pikë, 12 më shumë se Partizani i vendi të dytë (44). Të kuqtë nga ana e tyre, kanë pesë pikë më shumë se Pogradeci dhe Mamurrasi, nga 39. Në javën e e 24-t, Lushnja pret Pogradecin, Partizani luan me Mamurrasin. Takimet e tjera: Besëlidhja-Tërbuni, Elbasani-Burreli, Butrinti-Dinamo, Ada-Iliria, Kamza-Gramshi dhe

Naftëtari-Himara.

KATEGORIA E PARË
Java XXII

30.03.2013

Himara-Besëlidhja    2-0

Gramshi-Naftëtari    1-0

Mamurrasi-Kamza      2-3

Pogradeci-Partizani  0-0

Iliria-Lushnja       0-1

Dinamo-Ada           0-0

Burreli-Butrinti           1-0

Tërbuni-Elbasani           1-2

1    Lushnja         23   56

2    Partizani       23   44

3    Pogradeci       23   39

4    Mamurrasi       23   39

5    Tërbuni         23   36

6    Iliria          23   32

7    Burreli         23   30

8    Gramshi         23   30

9    Himara          23   29

10   Dinamo          23   28

11   Butrinti        23   28

12   Elbasani        23   25

13   Kamza            23   25

14   Ada             23   24

15   Besëlidhja      23   22

16   Naftëtari       23   17

Lacio e shqiptarit do të përballet me Fenerbahçen në Ligën e Europës

 Lorik Cana: “Stambollin e njoh si shtëpinë time”

  Lorik Cana ishte ndër më të mirët për Lacion, në ndeshjen kundër Katanias, duke dëshmuar se është arma plus e trajnerit Petkovic. Shumë i kënaqur është shfaqur kapiteni kuqezi duke folur për mediat italiane: “Ka qenë shumë pozitive paraqitja e skuadrës, që ka luajtur me një ritëm të lartë, me një cilësi teknike të mirë dhe nuk i ka lejuar asgjë kundërshtarëve. Një fitore me lojë dhe me karakter, kishte disa kohë që nuk fitonin në kampionat, por është parë që skuadra nuk ka lëshuar në asnjë moment dhe nëse duhet të fitojmë edhe karakteri është i rëndësishëm”. Shumë karakter do të duhet edhe ndaj Fenerbahçes në Stamboll: “Do duhet shumë personalitet, por mbi të gjitha të shkojmë për të luajtur në nivele të larta siç Lacio di të bëj dhe kështu mund të kualifikohemi. Nuk duhet të impresionohemi nga ambienti që do të jetë shumë i nxehtë dhe duhet të shijojmë çerekfinalen e Ligës së Europës që nuk është pak”. Tetë ndeshje deri në fund të Serie A: “Një mundësi e madhe për skuadrën tonë, mund të bënim më mirë në ndeshjet e fundit edhe për shkak të dëmtimeve dhe lodhjes nuk kemi arritur. Sinqerisht dëshirojmë të shkojmë deri në fund në çdo kompeticion, në kampionat duhet të provojmë ti fitojmë të gjitha ndeshjet”. Më tej Lorik Cana ka nënvizuar: “Ka qenë një periudhë ku fati ka qenë kundër nesh, por kur skuadra nuk dorëzohet kurrë dhe luan një futboll sulmues, me një shpirt dhe mentalitet fitues, në fund nuk humbet”. Të enjten do të luajë kundër Fenerbahçe, një ndeshje speciale për të, duke qenë një ish Gallatasaraj: “Kam luajtur aty, njoh ambientin, aty kam luajtur një ndër derbet më të bukura në botë, atë ndërmjet Galatasarajn dhe Fenerbahçes. Ka një atmosferë të shkëlqyer dhe duam të zhvillojmë një punë të mirë. Personalisht jam një tifoz i Gallatës, dhe nëse mund ti jap një kualifikim atyre, dua të kualifikoj Lazion dhe dua ti kënaq”. Në fund ai ka folur edhe për gjendjen e tij fizike duke parë që ka gjetur vazhdimësi në kondicion: “Kam disa muaj që jam mirë fizikisht, jam duke luajtur shumë ndeshje dhe kjo më jep mundësi të kem një ritëm të mirë. Shokët e skuadrës kanë besim te mua dhe unë kërkoj ti ndihmoj”, ka përfunduar kapiteni kombëtares shqiptare Lorik Cana.

  Berisha: “Te Fulhami shkoj vetëm si portier i parë”

  Portieri i Kombëtares shqitpare dhe i Kalmarit në Suedi, Etrit Berisha, konfirmon për faqen suedeze, “fotbollskanalen.se”, se mes tij dhe klubit të Fulhamit kanë nisur kontaktet, por kushti i tij gjithmonë nëse arrihet marrëveshje është që të jetë titullar dhe jo portier i dytë. Është ky lajmi që konfirmohet nga vetë lojtari nëpërmjet fotbollskanalen.se. Berisha i cili për një kohë të gjatë është i kërkuar nga ekipe të mëdha pranon me gojën e tij se ka oferta nga skuadra e Premier Ligës angleze. “Konfirmoj se kemi nisur një diskutim të vogël, ndonëse jo ndonjë gjë konkrete dhe përfundimtare. Më njoftuan se po më ndjekin por nuk e di nëse kanë folur me klubin tim. Fulhami është një klub shumë i mirë angleze. Gjithsesi do të shohim se si do të shkojnë ngjarjet. Në këtë moment mund të them vetëm se kam kontratë me Kalmarin dhe jam i fokusuar në këtë punë që kam. Për atë që mund të vijë e pres me interes, por nuk është se mendoj pa fund për të”, është shprehur portieri shqiptar. Ndërkaq ai nuk ka lënë pa përmendur një fakt që është shumë i rëndësishëm për karrierën e tij. Portieri i kuqezinjve e ka shprehur publikisht se nuk ka ndërmend të jetë zgjedhje e dytë. “Edhe pse në Angli apo kampionat tjetër unë nuk kam dëshirë të jem portier i dytë. Nuk kaloj në një skuadër që më ofron një pozicion të tillë. Dua të luaj titullar dhe kjo është e padiskutueshme dhe nëse nuk ka oferta të tilla mund të qëndroj edhe këtu në Kalmar” ka mbyllur Etrit Berisha. Gazeta e njohur “Daily Mail” në faqen e internetit ka konfirmuar interesimin e skuadrës së drejtuar nga Martin Jol. Gjithsesi të gjitha për momentin janë vetëm hipoteza, sepse ende nuk ka një vendim përfundimtar për kalimin e shqiptarit në kampionatin anglez. Për Etritin në garë janë edhe ekipe të tilla si Roma e Udineze.