Ermira Babamusta: Partneriteti Klinton–Gates, në mbështetje të përfaqësimit të plotë të gruas

527
Sigal

Klinton dhe Gates, shpallën partneritetin e ri të krijuar mes tyre në forumin organizuar nga Universiteti i Nju Jorkut

Në Nju Jork, të enjten, me datë 13 shkurt 2014 dy fondacionet, Klinton dhe Gates, shpallën partneritetin e ri të krijuar mes tyre në forumin organizuar nga Universiteti i Nju Jorkut midis Hillari Klinton, vajzës së saj Çelsi Klinton dhe gruas së Bill Gates, Melinda Gates. Dialogu me titull, “Femrat dhe vajzat numërohen: “Projekti i Pjesëmarrjes së Plotë” u drejtua nga moderuesja Çelsi Klinton. Presidenti i Universitetit të Nju Jorkut (NYU) hapi forumin duke ftuar tre mysafirët në sallën e qendrës Kimmel të universitetit.

“Kjo ditë sot është për vajzat dhe gratë me potencial të jashtëzakonshëm për botën dhe duke ecur përpara ky potencial duhet përdorur”, tha presidenti Xhon Sekton para 500 pjesëmarrësve në sallë.

Çelsi Klinton hapi forumin, duke falënderuar pjesëmarrësit pavarësisht nga bora e madhe në Nju Jork. “Jam shumë e lumtur këtu, këtë mëngjes, me mamin tim dhe Melindën, për t’ju folur më shumë për një partneritet të ri midis Fondacioneve Gates dhe Klinton, që kanë për qëllim një rishikim global të progresit të grave dhe femrave që nga viti 1995 e  deri më sot. Ne do mbledhim informacione dhe të dhëna nga burime tradicionale si Banka Botërore, Sistemi i OKB-së, Forumi Ekonomik Botëror, si dhe nga disa burime jo tradicionale si Googel. Do përqendrohemi që këto të dhëna të jenë jo vetëm të përdorshme dhe të gatshme, por dhe të kuptueshme që çdo njeri si studenti ose politikani t’i përdorin këto të dhëna për të vendosur që të investojnë më shumë në fuqizimin e grave. Kjo nuk është vetëm gjëja e drejtë për të bërë, por edhe e zgjuar”, tha Çelsi Klinton në hapjen e diskutimit.

Më pas fjalën e mori Sekretarja Klinton, e cila foli më tepër pse viti 1995 ishte pika nismëtare e këtij projekti. “Jam tepër e gëzuar të jem në NYU për të pasur këtë mundësi bashkë me Çelsin në emër të Fondacionit Klinton, në partneritet me Melindën dhe Fondacionin Gates, për t’ju folur më shumë rreth punës tonë nën rubrikën e projektit “No Ceilings”. Kjo punë i ka rrënjët në arritjet në Beizhing në 1995. Në vitin 1995, 189 shtete u bashkuan dhe arritën në marrëveshje në një platformë për aksion për pjesëmarrjen e plotë të grave dhe vajzave në jetën politike, ekonomike, sociale, civile dhe kulturore në shoqëritë e tyre dhe në botë”, tha znj. Klinton.

Zonja Hillari Klinton nisi iniciativën e Fondacionit Klinton me titull “No Ceilings: The Full Participation Project” në nëntor 2013, me qëllim për të krijuar partneritete me organizata të ndryshme që do vlerësojnë progresin e bërë nga femrat dhe gratë gjatë dy dekadave të fundit, që me Konferencën e Katërt Botërore të Grave në Beizhing, Kinë. Tek forumi zhvilluar në Nju Jork, sekretarja Klinton tha që, “ne kemi parë zhvillim, por nuk kemi informata të mjaftueshme dhe dëshmi për të nxjerrë konkluzione se sa zhvillim kemi pasur dhe ku duhet të punojmë akoma më shumë”.

Në këtë bashkëpunim me Melinda dhe Bill Gates, Hillari Klinton shpreson të verë në dukje tregues pozitivë që përfshijnë dhe fuqizojnë gratë dhe vajzat. Në këtë forum znj. Klinton zyrtarisht shpalli këtë partneritet të ri dhe tha që po punojnë me partnerë të teknologjisë për të grumbulluar të dhëna mbi statusin e përfaqësimit të gruas nëpër botë për të përcaktuar kufizimet në zhvillim. “Nëse nuk kemi të dhëna nuk mund t’i themi dot vetes çfarë kemi arritur dhe çfarë na ka mbetur për të mbaruar”, shtoi znj. Klinton.

Këto të dhëna do publikohen në një raport të zhvillimit në shtator 2015 me rastin e 20- vjetorit të Konferencës së Grave të Beizhing, duke u bazuar në një anketim të OKB-së të çdo shteti. Fondacioni Klinton shpreson se kjo punë e grumbullimit të informacioneve do frymëzojë zhvillim dhe ndryshim. Zonja Klinton tha që konferenca e 1995, sidomos Platforma për Aksion, ishte një ngjarje historike, ku si rezultat shumë shtete kanë ndryshuar ligjet për t’i plotësuar të drejtat dhe nevojat e gruas. Ajo kujtoi momentet kur kishte marrë pjesë në takimin zyrtar në Kinë si dhe takimin jo zyrtar një orë larg Beizhing dhe tha që të dyja ngjarjet kishin një dedikim të vërtetë. Në rolin e Sekretares të Shtetit Amerikan znj. Klinton e mori përsipër fuqizimin e gruas si pjesë e politikës së jashtme të SHBA-ve.

Më pas Melinda Gates shtoi: “Kur shikoj mundësitë që janë për gratë dhe vajzat, ne arrijmë progres në botë, por nuk kemi arritur zhvillimin e duhur. Në 20 vitet që do vijnë duam të shikojmë progres të madh për gratë dhe vajzat. Kur unë ulem dhe flas me gratë e vendeve në zhvillim për aspiratat e tyre, ato më flasin për vajzat e tyre. Më tregojnë se duan të edukojnë vajzat dhe djemtë e tyre, por djemtë e tyre kanë më shumë mundësi ta arrijnë këtë sesa vajzat. Dhe nënat duan për fëmijët e tyre një jetë tjetër”.

Znj. Melinda Gates përmendi suksesin që kanë pasur të dhënat shtet për shtet sidomos në fushat e shëndetësisë, për shembull në zbritjen e numrave të vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç, parandaluar nga vaksinimi dhe trajtimi mjekësor. Për shkak të këtyre të dhënave shtoi ajo, është bërë e mundur investimi i shënuar që ka sjell ndryshim në një shtet si Etiopia, me një GDP të vogël, por që ka ulur dukshëm numrin mortor të fëmijëve të vegjël. Znj. Klinton shtoi që në mjekësi ka shumë të dhëna dhe në edukim, por përtej si në përfaqësimin politik dhe ekonomik nuk ka shumë informacione.

Çelsi Klinton foli më shumë për iniciativën e mamasë së saj, kur shërbeu si Sekretare Shteti, që quhet Data 2X. Në këtë iniciativë Departamenti i Shteti Amerikan krijoi partneritet me OKB-në, Bankën Botërore, OECD-në, etj, për të vlerësuar të dhëna bazuar në gjini. Bashkë me partneritetin e ri lidhur me Fondacionin Gates, iniciativa e znj. Klinton ka për qëllim të promovojë pjesëmarrjen aktive të gruas në jetën ekonomike, sociale, kulturore dhe politike.

“Sfida, sot, për shumë vende është plotësimi i kushteve të platformës të Beizhing, që përfshin edhe Amerikën”, theksoi Çelsi Klinton. Komisioni mbi statusin e grave, adoptoi Platformën për Aksion të Beizhing-ut, e cila është ka një agjendë për barazi, zhvillim dhe paqe. Principet ë saj janë të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të grave. Thënia e famshme e znj. Klinton dhënë në konferencën e gruas në 1995 është, “Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë ato të gruas”.

Forumi u mbyll nga Çelsi Klinton. Ky forum ishte shumë i fuqishëm dhe inspirues për të pranishmit. Theksoi nevojën për angazhim nga të gjitha nivelet si qeveritare, sektorët publik dhe privat për t’iu përgjigjur sfidës për zhvillimin e komunitetit dhe prosperitetit, si dhe mirëqenies së gruas në botë.

Ka qenë një privilegj i madh për mua për 15 vitet e fundit të promovoj të drejtat e njeriut, të gruas, për drejtësi, zhvillim dhe paqe nëpërmjet programit “Speaker’s Bureau” në Amerikë. Nëpërmjet programit të Kongresit “Congressional Youth Leadership Conference” gjatë verës shërbej si Këshilltare Fakulteti për 400 studentë nga e gjithë bota, ku i mësojmë dhe pajisim me aftësi drejtimi, diplomacie, negociata, që këta të rinj të bëhet drejtues në të ardhme. Vizita kryesore të programit përfshijnë Departamentin e Shtetin, OKB-në, Bankën Botërore, universitete dhe pika kryesore në Uashington DC dhe Nju Jork.