EUROPIANI i NOTIT/ Presidenti Agim Çiraku: 2023, vit i Rekordeve Kombëtare

33

Notarët e Kombëtares së Shqipërisë kthehen nga Bukureshti me rezultate të larta kombëtare, i “bekon” edhe Presidenti FSHN-së

Sigal

Agron Kaja

“Të gjithë këta notarë e kthyen vitin 2023 në një vit të thyerjes së shumë rekordeve kombëtare. Ndërsa viti 2024 besoj se do të ketë shumë risi, të cilat do të shoqërohen edhe me Rekorde të reja Kombëtare.”

Janë mbyllur garat e notarëve tanë që morën pjesë në Kampionatin Europian në Bukuresht, në pishinë 25m. Gjatë zhvillimit të tyre (6-10 dhjetor 2023), gazeta “Telegraf” ka qënë pranë notarëve, ndërkohë që zëri kryesor i FSHN-së, Presidenti i saj Agim Çiraku, ka treguar interes, por edhe respekt për performancën e të gjithë notarëve në tërësi, dhe për Greisi Koxhakun në veçanti. Sipas tij, Europiani i Rumanisë tregoi se baza e rezultateve mbetet puna përgatitore e notarëve. “Jo vetëm unë si President, por e gjithë Federata Shqiptare e Notit është krenare për rezultatet që arritën notarët tanë në garat e Kampionatit Europian në pishinë 25m. Të gjithë këta notarë garonin për herë të parë në një kampionat europian, dhe këtu qëndron baza përgatitore që ata kanë bërë në skuadrat e tyre”, kështu e nisi dje bisedën Presidenti i FSHN-së, i cili këto rezultate i quajti si të vjetra në kohë pa u thyer. “Në garat e zhvilluara sipas programit vjetor që FSHN-ja ka organizuar e zhvilluar gjatë këtij viti që po mbyllim (2023), janë thyer periodikisht rekordet kombëtare. Madje edhe ato rekorde që kishin 10-15 vite që nuk ishin thyer dhe në Bukuresht ato nuk ishin rastësi nga këta notarë. Sepse të gjithë këta kanë qenë më të mirët e vitit 2023 në notin shqiptar”. Muaji dhjetor është edhe i fundit për të gjitha veprimtaritë vjetore të Notit shqiptar, dhe këtu Presidenti Çiraku gjen rastin e falenderimit dhe të urimit për të gjithë, duke i quajtur këto rezultate si mbyllja më e mirë e vitit 2023. “Nuk kishte si të mbyllej më mirë viti 2023, dhe unë rezultatet e shtatë notarëve tanë që arritën në Kampionatin Europian në Bukuresht, do t’i quaja si Kartolina e vitit 2023, të cilën FSHN-ja u dërgon të gjithë trajnerëve, notarëve e klubeve që ata përfaqësojnë. Jam shumë i lumtur që drejtoj këtë brez notarësh, të cilët këtë sport po e ngrejnë në nivelet më të mira të kohës, Të gjithë këta e kthyen vitin 2023 në një vit të thyerjes së shumë rekordeve kombëtare. Ndërsa viti 2024 them se do të ketë shumë risi, dhe besoj se do të shoqërohet edhe me Rekorde të reja Kombëtare”, kështu e mbylli këtë bisedë Agim Çiraku, në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit.

Greisi Koxhaku shkëlqimi kuqezi, thyen 9 Rekorde Kombëtare

9 Rekorde

Notari Greisi Koxhaku ishte shkëlqimi i Kombëtares shqiptare në garat e Kampionatit Europian të Notit, në pishinën 25m. Ai theu 9 Rekorde Kombëtare individuale dhe ishte pjesëmarrës në dy rekordet e tjera të garave të stafetës.

2 Rekorde

Në Kampionatin Europian të Notit në pishinën 25m, në garat e stafetës 4X50m Stil i Lirë dhe në atë 4X50m Miks, u thyen dy Rekorde Kombëtare për Meshkuj të Rritur. Kohët rekord ishin: 4X50m Stil i Lirë: 01.37.49; në 4X50m Miks: 01.47.40

NOTARËT & KLUBET

Në garat e Kampionatit Europian të Notit në pishinë 25m që u zhvilluan në Rumani, nga Shqipëria morën pjesë 7 notarë, nga të cilët 2 Femra dhe 5 Meshkuj. Nga Klubi i Tiranës ishin 4 notarë; nga Klubi i Partizanit ishin 2 notarë dhe nga Klubi i Butrintit 1 notar.

REKORDMENËT E STAFETAVE

Në dy garat e stafetave që notarët tanë zhvilluan në Kampionatin Europian në pishinën 25m, ata thyenë dy Rekorde Kombëtare. Kështu, në garën stafetë 4X50m stil i Lirë garuan: Gresi Koxhaku, Even Qarri, Ronald Seriani dhe Joan Mekshi. Ata fiksuan kohën record 01.37.49. Ndërkohë që në stafetën 4X50m Miks garuan notarët: Lajdi Allaraj, Greisi Koxhaku, Ronald Seriani dhe Even Qarri, të cilët arritën kohën record 01.47.40.

Rekordmeni Koxhaku: Europiani, test për rekorde të tjera

Garat e Greisi Koxhaku

100m Delfin: 54.80

Rekord Kombëtar (R-Rr)

100m Stil i Lirë: 49.97

Rekord Kombëtar (Rinj)

50m Shpinë: 25.45

Rekord Kombëtar (R-Rr)

100m Shpinë: 56.02

Rekord Kombëtar (R-Rr)

50m Delfin: 24.21

Rekord Kombëtar (R-Rr)

50m Stil i Lirë: 22.65

Notari Greisi Koxhaku ndjehet i lumtur përsa arriti në këtë Eurpian, njëherësh edhe për çka ka arritur të fitojë gjatë vitit 2023. “Kam fituar gjithçka në garat që kam marrë pjesë gjatë vitit 2023. Këtu në Shqipëri kam fituar edhe si Notari më i mirë Kombëtar për të Rinj dhe të Rritur, ndërsa në Kampionatin Europian e mbylla me 11 rekorde. Natyrisht që në këtë sukses kam fjalët më të mira për punën që bëhet te SK Tirana me trajnerin Arjan Fetishaj, por edhe përkrahja që më kanë dhënë drejtuesit e federatës (FSHN). Për vitet e ardhshëm, përgatitja serioze do më favorizojë shumë për sukses të vazhdueshëm”, ishte kjo deklarata e Greisi Koxhakut, rekordmenit shqiptar në garat e kampionatit Europian të Notit,.

Tre trajnerët: Kjo, Kombëtare më e suksesshme për vitin 2023

Agron Kaja

“Përbërja e Kombëtares shqiptare në garat e Kampionatit Europian të Notit në pishinë 25m ishte: me 4 notarë të Tiranës, 2 notarë të Partizanit dhe 1 notar i Butrintit”

Mund të themi se notarët e Kombëtares së Shqipërisë, që morën pjesë në garat e Kampionatit Europian të Notit në pishinë 25m, treguan vlera në garimin e tyre individual dhe në stafetë. Por Greisi Koxhaku ishte më e veçanta e kësaj veprimtarie, pasi theu 9 rekorde Kombëtare, dhe duke qënë pjesëmarrës edhe në garat e stafetës për meshkuj ku u thyen 2 Rekorde Kombëtare, nga kjo veprimtari europiane ai doli 11 herë rekordmen. Një sukses i madh, të cilin trajneri i kësaj Kombëtareje, Keis Fetishaj, por edhe Dashamir Bregu me Edi Vasin, e vlerësojnë notarin si shkëlqimin më të madh në këto gara. “Greis Koxhaku tregoi shkëlqim në këtë Europian. Në të gjitha garat ku ai mori pjesë, doli si rekordmen. Përveç 9 rekordeve kombëtare personale, të Rinj dhe të Rritur, ai ishte edhe pjesë e stafetës, ku edhe aty u thyenë 2 rekorde kombëtare. Pra, Greisi shkëlqeu në këtë Europian, duke thyer rekorde që kishin rreth një dekadë pa u thyer”, ishte ky vlerësimi i trajnerit Fetishaj, për paraqitjen e mirë të notarit Greisi Koxhaku në garat e Kampionatit Europian në pishinë 25m. Por, të tre trajnerët shqiptarë në këtë Europian e shohin si Kombëtaren më të suksesshmë për vitin që po mbyllim. “Duke ju referuar së pari rezultateve personale të këtyre notarëve në garat kombëtare e ndërkombëtare, e duke përfunduar me këtë pjesëmarrje në Europian, patjetër që kjo mbetet Kombëtarja më e suksesshme e vitit 2023. Këta notarë, me rezultatet që arritën, japin shpresë për më shumë progress në vitet e ardhshme, sepse janë të rinj dhe me perspektive”,- kështu e vlerëson trajneri Dashamir Bregu, ndërkohë që Edi Vasi u shpreh se të gjithë notarët shqiptarë në garat e Europianit treguan progres. “Të gjithë këta notarë garuan për herë të parë në një Kampionat Europian të notit në pishinën 25m, dhe me kohët që arritën patën progres në rezultatet e tyre individuale. Mendoj se veç Greisit (Koxhakut), edhe garuesit e tjerë treguan paraqitje të mirë, ku Llajdi Allarraj theu rekord Kombëtar për moshën 13-14 vjeç. Por edhe arritja e notares Vivian Xhemollarit ishte një arritje, pasi ajo hyri në 16 notaret më të mira, ku pas garës eliminatore e arriti këtë renditje”. Kësisoj, me arritjet e të gjithë notarëve tanë në Kampionatin Europian, për gjithë notin shqiptar mbeten si qershia mbi torte për vitin 2023.

 

REZULTATET INDIVIDUALE

FEMRA

Garat e Julia Xhako

100m Stil i lirë: 01.10.96

100m Miks: 01.10.13

50m Delfin: 30.71

50m Bretkocë: 36.53

50m Stil i Lirë: 28.03

Garat e Vivian Xhemollari

400m Miks: 05.03.27

200m Miks: 02.24.25

Gara gjysmëfinale

200m Miks: 02.24.48

200m Shpinë: 02.22.36

 

MESHKUJ

Garat e Lajdi Allaraj

50m Stil i Lirë: 26.17

50m Delfin: 27.15

Rekord Kombëtar (14 vjeç)

50m Shpinë: 29.10

100m Stil i Lirë: 57.23

Garat e Ronald Serjani

100m Delfin: 58.39

100m Miks: 01.01.28

50m Stil i Lirë: 24.61

50m Delfin: 25.92

Garat e Joan Meshi

50m Delfin: 27.20

50m Bretkocë: 30.31

50m Stil i Lirë: 25.67

Garat e Even Qarri

100m Bretkocë: 01.06.96

50m Bretkocë: 30.82