EURO 2020(2021)/ Anglia dhe Ukraina “rishkruajnë” historinë dhe përballen me njëra-tjetrën në çerek-finale

371
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Janë zhvilluar ditën e djeshme, dy ndeshjet e fundit të fazës së parë me eleminim direkt, të Kampionatit Evropian të futbollit, ‘Euro 2020’, i cili për shkak të vitit pandemik që kaluam u vendos që ndeshjet të zhvillohen këtë vit, me një risi, ku nuk do të ketë vetëm 1 apo 2 vende organizatore, por ndeshjet do të zhvillohen në 12 stadiume në 12 vende të ndryshme të Evropës, me finalen e madhe të 11 korrikut, që do të zhvillohet në stadiumin mitik, të “Wembley” në Londër.

Angli 2-0 Gjermani

Anglia arriti të “prishte” mallkimin duke fituar me një rezultat të pastër 2 me 0, ndaj Gjermanisë, që i mundësoi kalimin për në fazën e çerek-finaleve të këtij kompeticioni. Përveç Kampionatit Evropian, “pancerat” i dhanë lamtumirën edhe trajnerit të tyre Joakim Lëv, i cili kishte deklaruar që përpara nisjes së këtij kompeticioni, se kjo do të ishte hera e fundit që do të drejtonte Kombëtaren gjermane. “Tre luanët” e nisën më të stepur sfidën, duke u lënë gjermanëve hapësira në mbrojtje, megjithatë, rasti i parë do të vinte nga anglezët, kur Rahim Stërling  me një goditje potente do të provonte vigjilencën e Manuel Nojer, por pa mundur të shënonte. Rasti i parë i rrezikshëm nga gjermanët do të vinte falë dyshes së ‘Çelsit’, Havertz-Verner, ku pas një kombimi të bukur më njëri-tjetrin, Verner godet, po gjen të përgatitur portierin anglez Pikford. Me startin e pjesës së dytë, loja filloi të bëhej monotone dhe me pak raste të “vërteta” për shënim nga të dyja ekipet.

Tekniku i “3 luanëve”, Garreth Sauthgejt vendoi që të bëjë një zëvendësim që do i jepte më shumë frymë mesfushës angleze dhe aktivizoi 25-vjeçarin e ‘Aston Vilës’, Xhek Grilish. Menjëherë Grilish mori në dorë “frerët” e mesfushës dhe në minutën e 75’, pas një aksioni të bukur të anglezëve, Luk Shau do të pasonte bukur për Rahim Stërling, i cili përfitoi nga një hapësirë brenda zone dhe shënoi, duke “çuar” në këmbë tifozërinë vendase. Menjëherë anglezët filluan skemat defenzive për të mbajtur rezultatin. Në minutën e 80’ do të vinte dhe një shanc i artë për gjermanët, por Thomas Myler në përballjen 1 me 1 me portierin Pikford e godet topin më fort seç duhet, duke e nxjerrë jashtë. Vetëm 5 minuta pas këtij rasti, do të vinte dhe goli i dytë i britanikëve, ku pas një krosimi mjaft të bukur nga Xhek Grilish, kapiteni i “3 luanëve”, Harri Kejn, do të kërcente më lart se të tjerët për ta çuar topin prapa shpatullave të Manuel Nojër, duke i dhënë kështu “pancerave” goditjen përfundimtare, atë të eliminimit më herët seç duhet nga Kampionati Evropian.

Suedi 1-2 Ukrainë

Ukraina e drejtuar nga legjenda Andrij Shevçenko, arriti të bënte mrekullinë,  duke u kualifikuar për në fazën tjetër tjetër të Kampionatit Evropian, atë të çerek-finaleve për herë të parë në historinë e tyre. Sfida nisi e zjarrtë me të dyja ekipet, që u hodhën direkt në sulm për të siguruar golat, të cilët do t’i jepnin një biletë për në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Fillimisht ishin ukranisit, që me Jarmolenkon vunë në rrezik portën suedeze që në minutën e 11’, me një goditje të bukur drejt anës së majtë të portës, por portieri Olsen ishte tepër i vëmendshëm dhe ua prishi buzëqeshjen ukrainasve. Pak minuta më pas, do të ishte rradha e suedezëve, për të sulmuar, ku me talentin 21-vjeçar Aleksandër Isak “alarmuan” kampin ukrainas, me një goditje që kaloi ngjitur me shtyllën. Atmosfera u ndez dhe më shumë,  ku në minutën e 29’, të lojës, “udhëheqësi” i Ukrainës  në këtë Evropian, Andrij Jarmolenko, jep një pasim të bukur për Zinçenko në cep të zonës suedeze, dhe ky i fundit nuk gabon, duke e çuar topin drejt rrjetës dhe i jep avantazhin kombëtares së tij. Menjëherë pas shënimit të golit, Suedia mblodhi forcat dhe u hodh direkt e në sulm dhe nuk do të vononte shumë dhe në minutën e 43’, Isak do të pasonte për Emil Forsberg, i cili edhe pse ndodhej nga jashtë zonë nuk nguroi, por lëshoi një “predhë” e cila përfundoi në rrjetën ukrainase, duke barazuar gjithçka.

Në pjesën e dytë, loja u bë më e vakët dhe të dyja ekipet po punon me maturi, për të gjetur rrugën drejt golit, por që nuk arritën ta gjenin, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë. Ndeshja mori një rrjedhë tjetër ku në minutën e 100’, mbrojtësi suedez Danielson ndëshkohet më karton të verdhë, por pas rishikimit të ndërhyrjes në sistemin VAR, arbitri ndryshon vendim dhe nxjerr kartonin e kuq, duke i lënë suedezët me 10 lojtarë përballë një Ukrainë të “etur”, për një vend në çerek-finalet e ‘Euro 2020’. Dhe ashtu ndodhi, në minutën e 120’ dhe të fundit të lojës, Zinçenko autori i golit të parë për ukrainasit, do të gjente të lirë në zonë sulmuesin Dovbik, i cili me portën e boshatisur nuk gabon dhe shkruan historinë për kombëtaren e tij, duke i kualifikuar ata për herë të parë në çerek-finalet e një Evropiani. Në fazën tjetër, Ukraina do të përballet me Anglinë, ndërkaq ndeshjet e fazës çerek-finale, do të startojnë të premten, me ndeshjet Itali-Belgjikë dhe Spanjë-Zvicër.