Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë gabuan me specializantët  e mjekësisë

275
Sigal

/Gazet TELEGRAF

nga Skënder S. KAPITI 

Perëndimi investimin kryesor e bën në shëndetësi, dhe mjekësia në një vend, tregon se sa human është një shtet

Shkalla e mirëqenies së një shoqërie moderne matet me nivelin e lumturisë, mirëqenies,  arsimit dhe sidomos me shëndetin e popullatës. Shëndetësia në kohët moderne është prioriteti i prioriteteve të politikave shtetërore, kombëtare e qeveritare, sepse ka të bëjë direkt me shëndetin e popullit. Perëndimi investimin kryesor e bën në shëndetësi, dhe mjekësia në një vend apo shtet, shkalla dhe niveli i saj, tregon edhe natyrën se sa human është një shtet. Ky është një  shkrim kritik kundër natyrës jo humane, kur së fundmi mësohet se, Ministria e Shëndetësisë  krejt papritur, i dëbon nga puna rreth 1000 specializantë, mjekët më të mirë të shërbimit shëndetësor, për faktin se ata do të specializohen për 4  vite. A e mendoni ju minimalen të paktën, atë  se me çfarë do të ushqehen këta mjekë dhe familjet e tyre për këto 4 vite, dhe se sa deficit të madh i shkaktoni shërbimit profesionist mjekësor?! Sa shumë antihumane është kjo, kur ju po “kujdeseni” për shqiptarët, pasi  atyre u desh që vetë shqiptarët e varfër të paguanin 2-3 mijë euro për t’u shëruar dhe për të paguar ilaçet e shtrenjta kundër koronavirusit; sa hipokritë dhe djallëzorë bëheni,  edhe sikur ankoheni e sikur po u vjen keq se nga Shqipëria po largohen mjekë dhe infermierë, pasi shteti dhe qeveria nuk u krijon kushte, nuk i respekton dhe i keqpaguan ata.

Pra vetë qeveria ua imponon mjekëve që të largohen nga Shqipëria dhe pastaj me hipokrizi, thotë se pse ikin?! Kështu po ua impononi edhe mjekëve më të mirë të Shqipërisë, atyre që kanë fituar konkurset për specializimin, që të largohen edhe ata nga Shqipëria. Kjo gjë u pëlqen shumë edhe rektorëve e profesorëve dhe mjekëve me lidhje politike e nepotike, që të mos kenë konkurrentë dhe që brezin e ri të mjekëve, ta bëjnë të pakënaqur dhe ta detyrojnë atë që të largohen nga Shqipëria, dhe mjekësinë ta kenë ata monopol të tyre, dhe po një klikë mjekësh të kenë të drejtën e leksiondhënieve, vetëm ata të shkojnë nëpër spitale e të shërbejnë atje, si te spitalet shtetërore dhe private, dhe vetëm kjo kastë edhe servile e politikës, vetëm ajo kastë në emër të liberalizmit ata  të kenë punësime e privilegje në shtet, si dhe të kenë njëkohësisht, edhe klinika e farmaci private. Këta mjekë janë të korruptuar dhe më biznesfitimprurës se sa edhe kasta  e qeveritarëve dhe e gjyqtarëve e prokurorëve që po i ndëshkon vetting-u. Po mire, si është e mundur që edhe këtyre specializantëve, kësaj plejade të shkëlqyer intelektuale, akademike e shkencore në fushën e mjekësisë, të cilët janë aset i madh kombëtar që do specializohen, në vend që qeveria të krenohet me ta dhe t’i mbështesë financiarisht, bën dhe vepron të kundërtën, i diskriminon ekonomikisht, pasi  në vend që qeveria të akordojë një fond të veçantë për inkurajimin dhe për mbështetje financiare, pra në vend që qeveria të investojë për intelektin, për zhvillimin dhe për kujdesin shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë  i dëbon dhe u ndërpret rrogën këtyre 1000 mjekëve. Prandaj, ky veprim kundër mjekëve,  i Ministrisë,  nuk besoj se i është “argumentuar” kryeministrit si duhet, dhe nuk do të jetë  pro tij Kryeminstri Edi Rama, i cili u “stërlodh” në kërkim për vaksinat dhe për vaksinimin   antikovid të popullatës; nuk besohet se ai është pro këtij vendimi, pasi një vendim i tillë, është krejtësisht edhe në kundërshti me politikën shëndetësore të qeverisë Rama dhe  me atë se taksapaguesit shqiptarë paguajnë që qeveria t’u shërbejë atyre, ata paguajnë dhe mbajnë kryeministrin dhe qeveritarët rreth tij e familiarët rreth tyre,  me rroga të majme dhe me privilegje të jashtëzakonshme,  të cilët madje jo pak asish, prej tyre kanë  spekulluar me pushtetin, duke u bërë papritmas   oligarko-politiko- miliarderë. Taksapaguesi shqiptar madje ka paguar gjatë këtyre 30 viteve edhe për korrupsionin qeveritar dhe administrativ.  Nuk është spekullim elektoral, as politik  dhe as korrupsion nëse Kryeministri cakton një fond të veçantë për specializantët, por përkundrazi do të ishte mëse e justifikueshme, humane dhe madje edhe patriotike një gjë e tillë, që do t’i shënohej dhe do t’i hipotekohej në histori si një e mirë publike, nëse kryeministri  Rama, do të ndërmerrte një veprim të tillë për shëndetësinë, nëse Kryeministri do të bënte një investim të tillë për të ardhmen e afërt të mjekësisë shqiptare.. . Sa mosmirënjohëse  tregohet Ministria, e cila i mbajti këta mjekë në punë sa për të kapërcyer epideminë, ku këta mjekë kanë rrezikuar aq shumë si askush tjetër, jetët e tyre në shërbim të qytetarëve dhe  për ta mposhtur pandeminë, ndërsa tani i dëbon nga puna me   ligësi dhe  pabesi. Po i kujtojmë Kryeministrit Edi Rama se, kjo sjellje e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është parë as në diktaturë, ku ish-regjimi komunist specializantët i vlerësonte, dhe për kohën e specilizimit ata  e vazhdonin specializimin pa shkëputje nga puna dhe madje merrnin jo vetëm  rrogën, por edhe dieta gjatë periudhës së specializimit. Pse të largohen nga puna specializantët e mjekësisë, kur dihet shumë mirë se me mijëra   mjekë,  mësues e pedagogë dhe lloj-lloj komisionerësh e tenderatarësh qeveritarë e administatorë e deri ka edhe deputetë   që bëjnë deri në dy e tri e më shumë punë shtetërore.

Do thotë kryeministri si e ka zakon për të tjerët që: shkoni e punoni  te privati, po përse  vetë ju, z. kryeministër, doni të jeni i punësuar në përjetësi në shtet dhe madje doni të rrini kryeministër shteti  edhe me votat që i keni blerë?! Këta mjekë të cilët kanë mundësinë si p.sh. ata nga Tirana e Durrësi, pse të largohen nga puna, dhe atyre të tjerëve nga rrethet e largëta, pse mos të paguhen nga shteti, kur ata sot të gjithë janë në punë në shtet. Nëse do t’i dërgonte privati për specializim, atëhere do t’i paguante ai, por përderisa ata shkojnë nga shteti ku janë të punësuar në shtet, duhet që për ta të përgjigjet shteti. Kështu z. Kryeministër ndodh në çdo shtet demokratik, ku shteti është investitori dhe kujdestari për mjekësinë dhe shëndetin e popullit. Shteti nuk është privat, por është popullor dhe shërbëtor i popullit. Sa mirë që i gjeni miliona e miliona euro për të ashtuquajturat Partneritet Publik Privat, si nuk paska mundësi shteti që të sigurojë 3-4  milionë euro për investimin, për zhvillimin dhe për specializimin e mjekëve, kur qeveria jep për një kilometër rrugë që duhen 5 milionë euro qeveria jep 20 milionë?! Pra, privatëve u jep para, ndërsa për mjekët nuk paska shteti??!! Mos vallë shteti ynë është shtet antipublik?! ‘Rilindas’, gjeni paratë për specializantët, apo i keni harxhuar për blerjen e votave dhe për të paguar të punësuarit militantë në adminisatratë gjatë fushatës elektorale.  Me shpresë se Kryeministri Rama do ta marrë në konsideratë  dhe shqyrtojë këtë shkrim, pasi shërben dhe përbën  një shqetësim jo vetëm për shëndetin  publik, por edhe human e social, sepse ka të bëjë me bukën e rreth 1000 familjeve.