Eqerem Memushi: “Arratisja” e Flamurtarit nuk është surprizë, kujdes me euforinë

196
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Eqerem Memushi e shikon skuadrën vlonjate në Superiore, rival do ketë veten

Agron KAJA

Agron Kaja

Kanë kaluar 9 javë në Kategorinë e Parë dhe skuadra e Flamurtarit udhëheq tabelën e renditjes, madje këtë javë e rriti diferencën e pikëve me vëndin e 2-të. Duke regjistruar 8 ndeshje radhazi me fitore, tashmë vlonjatët e shikojnë si mision të mundur ngjitjen direkte në Superiore, dhe këtë mendim ndan me gazetën “Telegraf” edhe ish-futbollisti e trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi. Në këtë  bisedë, Memushi tregoi se tashmë Flamurtari është një pretendent serioz për Superiore, ku vetë rezultatet e tregojnë. “Janë 8 fitore radhazi, një shifër që tregon se Flamurtari është me të vërtetë pretendent serioz për në Superiore. Nuk duhet të ndodhë si në sezonin e kaluar me Play-off, sepse aty nuk mund të tregosh vlerat e vërteta në dy-tre ndeshje. “Arratisja” e Flamurtarit në krye nuk është surprizë, dhe deri tani është në një ecuri të mirë. Këtë ritëm duhet që ta mbajë deri në fund”, kështu e nisi dje bisedën Eqerem Memushi, i cili tregon edhe arsyet, apo edhe krahasimin e skuadrës së sezonit të kaluar, me skuadrën sot. “Ndryshimi i Flamurtarit këtë sezon është te lojtarët me kualitet. Është një skuadër e ndërtuar me lojtarë cilësorë që kanë treguar kualitet në fushë. Është një skuadër ndryshe nga sezoni i kaluar, e cila u penalizua nga dëmtimet, por edhe nga faktorë të jashtëm. Ndaj dhe nisur nga kjo paraqitje, ngjitja direkte në Abissnet Superiore nuk duhet të vihet në diskutim. Por, krahas rivalëve që besoj se do jenë dinjitozë deri në fund, duhet të ketë kujdes edhe veten, sepse gara është e gjatë, ku janë për tu luajtur edhe 24 javë të tjera. Duhet të mposhtet euforia, sepse në të tilla situata kryesimi, ajo të dëmton në psikologjinë e të luajturit me skuadrat e tjera”. Ndërkohë që specialisti i futbollit, Eqerem Memushi, nuk harron të tregojë në këtë bisedë edhe për skuadrat që do rivalizojnë për ngjitjen direkte në Superiore, si dhe për ato skuadra që mund të jenë të rrezikuara në fundin e tabelës së renditjes. “Tre do jenë pretendetët për dy vëndet kryesuese që ngjiten direkt në Superiore, dhe këta tashmë e kanë treguar me Flamurtarin, Vorën dhe Besën. Rrugës, njëra do veçohet, ndoshta që në fazën e dytë. Ndërsa duke e parë renditjen e skuadrave të tjera, mendoj se nga vëndi i 8-të e deri te vëndi i 12-të, do jenë më të rrezikuarat. Këto janë parashikime kur nuk është mbyllur ende faza e parë, por skuadrat e kreut duken me diferenca nga të tjerat”, kështu e mbylli bisedën Eqerem Memushi, i cili tregoi se është në pritje për të drejtuar një skuadër të re. “Unë jam specialist futbolli dhe po pres një ofertë. Kam drejtuar shumë skuadra në çdo kategori, përvoja tashmë nuk më mungon”.

LEGJIONARËT

Tre golashënues kuqezi në klubet e tyre, Asani në krye


Java që mbyllëm ishte me tundje rrjete për tre futbollistë të Kombëtares sonë. Ata ishin edhe golashënues në skuadrat kua aktivizohen, duke dhënë sinjale të mira për Silvinjon, në pragun e dy ndeshjeve të Kombëtares më 16 e 19 nëntor. Kështu, Jasir Asani shënoi dy gola, ku tregoi sërish formë të mirë në Championsin e Azisë me klubin e Gvangju. Në takimin ndaj Johor DT, ai shënoi dy gola të shpejtë që në nisjen e takimit, ku ndeshja u fitua 3-1. Edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat, Asani ishte titullar ndaj Incheon, sfidë e humbur 0-1. Rei Manaj në kampionatin turk e gjeti sërish rrugën e rrjetës, në ndeshjen ndaj Adana Demirspor, ku Sivasspor fitoi në transfertë 4-2. Manaj shënoi golin e tretë. Sulmuesi i Kombëtares U-21, Kristian Shpendi shënoi dy gola në ndeshjen ndaj Breshias në Serinë B italiane dhe vulosi fitoren e Çezenës me dy gola, duke u shpallur lojtari i ndeshjes.

Titullarët e fundjavës, një formacion i Kombëtares në fushë

Thuajse pjesa më e madhe e futbollistëve të Kombëtares sonë, kanë mbyllur një tjetër javë pozitive duke regjistruar paraqitje të mira me klubet e tyre. Pjesa më e madhe e tyre u aktivizuan si titullarë, duke kontribuar në rezultatet që arritën skuadrat ku ata bëjnë pjesë. Kështu, si titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan portierët Thomas Strakosha dhe Elhan Kastrati, mbrojtësit Mario Mitaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj e Marash Kumbulla, mesfushorët Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami dhe Keidi Bare, si edhe sulmuesit Ernest Muçi, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku. Por në këtë fundjavë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Ivan Balliu, Adrion Pajaziti dhe Qazim Laçi. Nisur edhe nga performanca e tyre, këto mbeten lajme pozitive për trajnerin Silvinjo, të cilit i vështirësohet përzgjedhja e nëntorit.

 

Valbona ndryshon trajnerin, vjen Vladimir Gjoni

Dje është bërë zyrtare, skuadra e Valbonës ka larguar trajnerin Emiljano Gega, nisur nga rezultatet në 9 javë, me 1 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. Me 5 pikë në vëndin e 11-të, drejtuesit tropojanë nuk kanë pritur më dhe dje zyrtarizun trajnerin e ri, specialistin e futbollit Vladimir Gjoni, protagonist në ndërtimin e skuadrës në sezonin e kaluar që Valbona u ngjit në Kategorinë e parë. Më parë kanë ndryshuar trajnerët Apolonia, Kastrioti, Kukësi dhe Lushnja.

5 TRAJNERË

Në 9 javët e luajtura të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, janë larguar 5 trajnerë, te skuadrat: Apolonia, Kastrioti, Erzeni, Lushnja dhe Valbona

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 9

Datë 30 tetor 2024

Apolonia-Erzeni          14:00

Valbona-Kastrioti       14:00

Korabi-Pogradeci        14:00

Kukësi-Besa                14:00

Vora-Burreli                14:00

Datë 31 tetor 2024

Flamurtar-Lushnja       14:00

RENDITJA   

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Flamurtari     9          24

2.Vora             9          22

3.Besa             9          21

4.Burreli          9          15

5.Kastrioti       9          13

6.Lushnja        9          12

7.Pogradeci     9          12

8.Apolonia      9          9

9.Kukësi          9          9

10.Korabi        9          8

11.Valbona      9          5

12.Erzeni         9          2