Elvis Sina: Luajnë skuadra me eksperiencë, Vllaznia e Tirana finaliste

12

INTERVISTA/ Kupa e Shqipërisë luan ndeshjet gjysmëfinale, Elvis Sina jep parashikimin

Sigal

 

Agron Kaja

Abissnet Superiore mbylli ndeshjet e javës së 29-të, si ishte gjendja e skuadrave pas dy javëve pushim zyrtar?

Kanë qënë ndeshje ku kishte rezultate që nuk priteshin, sikundër Teuta që fitoi me Tiranën, por edhe barazimi i Erzenit ndaj Vllaznisë në Shkodër. Duhet thënë se të gjitha ndeshjet u luajtën në trysninë e synimeve që ka çdo skuadër.

Cilën nga pesë ndeshjet e kësaj jave e veçoni si kryendeshjen e javës, dhe cilën më të dobët?

Mendoj se ndeshja më e mirë ka qënë Tirana-Teuta 1-2, e cila kishte brenda saj shumë elemmentë të lojës së fortë, të bukur dhe plot surpriza. Ndërsa si ndeshjen me më pak nivel e ritëm ishte Egnatia-Kukësi 1-0.

Në mesjavë luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, si i parashikoni?

Në këtë tur gjysmëfinal janë kualifikuar katër skuadra që e kanë fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë. Mendoj se Tirana e Vllaznia janë më afër finales. Në ndeshjet e para, këto minimalisht do barazojnë dhe do të kualifikohen në takimin e kthimit.

Të gjitha skuadrat në këto gjysmëfinale e kanë fituar trofeun e Kupës, i bën kjo edhe më interesante ndeshjet e para?

E përmenda më sipër dhe kjo është e veçanta, që i bën më interesante ndeshjet e para. Këto ekipe gjysmëfinaliste ja dinë rëndësinë Kupës dhe për to është e vetmja mënyrë të kapin Europën. Eksperienca e tyre në Kupë është një plus.

Këtë mesjavë luhet edhe ndeshja e prapambetur Dinamo City-Teuta, cili është parashikimi juaj?

Duke parë renditjen, mendoj se Dinamo ka gjëndje më të mirë se Teuta, e cila duket se është më e dobët. Por duke qënë se është e prapambetur, them se edhe mund të ndodhë ndonjë suprizë, për të thënë se mund të kemi një X, ose 2.

Java e 30-të luhet këtë fundjavë, në kalendar janë sfida për “Final 4”, për mbijetesë dhe një kryendeshje, ju si i përcaktoni?

E mendoj një fundjavë interesante, sepse duke ju referuar çifteve të kësaj jave dhe renditjes së tyre në tabelë, ndeshjet kanë shkallë vështirësie të larta për të gjitha skuadrat. Partizani-Vllaznia e mendoj si kryendeshje, të tjerat interesante.

Për shtatë javët e fundit të fazës së katërt, cili është mendimi juaj për skuadrat e “Final 4” dhe ato të mbijetesës?

Egnatia, Vllaznia e Partizani duken si skuadra të konfirmuara në zonën “Final 4”. Ndërsa skuadra e katërt e mendoj se do dalë mes Tiranës që nuk duhet ta diskutonte këtë zonë në renditje, Skënderbeut dhe Dinamo City.

 

Historia

Në 72 sezone, Tirana është skuadra e parë që e ka fituar Kupën e Shqipërisë në vitin 1939, ndërsa Egnatia është e fundit si fituese në sezonin 2022-2023. Por Kupa nuk është zhvilluar në vitet 1955, 1956, 1959, 1962, 1966-1967 dhe 1969.

KUPA E SHQIPËRISË

GJYSMËFINALET

Ndeshjet e para

E mërkurë, 3 prill 2024

Kukësi-Tirana       15:00

Egnatia-Vllaznia   15:00

Ndeshjet e kthimit

E mërkurë, 24 prill 2024

Tirana-Kukësi       15:00

Vllaznia-Egnatia   18:00

NDESHJA FINALE

E martë, 14 maj 2024

 

FITUESIT E KUPËS

Skuadrat             Herë

Tirana                  16

Partizani               15

Dinamo                13

Vllaznia                8

Flamurtari            4

Teuta                    4

Besa                     2

Laçi                      2

Elbasani               2

Kukësi                  2

Apolonia              1

Skënderbeu           1

Egnatia                 1

 

KUPA DHE EUROPA

Kukësi dhe Tirana të shpëtojnë sezonin

Të dyja ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen të mërkurën pasdite, duke nisur nga ora 15:00. Shorti i datës 13 mars ka vënë përballë katër skuadra, të cilat historikisht edhe e kanë fituar trofeun. Tirana 16 herë, Vllaznia 8 herë, Kukësi 2 herë dhe Egnatia 1 herë. Por, nisur nga renditja e këtyre gjysmëfinalisteve në Abissnet Superiore, duket se Kukësi dhe Tirana duan të shpëtojnë sezonin, pasi në kampionat janë jashtë zonës “Final 4” që të çon në Europë, madje Kukësi mbyll tabelën e renditjes. Ndeshja Egnatia-Vllaznia do ketë brënda edhe luftën në renditjen e kampionatit, të dyja janë në krye të renditjes.

Bastet “trazojnë” gjysmëfinalet e Kupës

Ditën e mërkurë, Kupa e Shqipërisë luan ndeshjet e para gjysmëfinale. Janë katër skuadra të cilat e kanë fituar këtë trofe, dhe kjo nuk ju ka shpëtuar kompanive të basteve në Europë, të cilat në parashikimet e tyre shohin ndeshje të ekuilibruara, por edhe me prioritet skuadrat. Kështu, për çiftin Kukësi-Tirana, bardheblutë kanë koefiçient më të ulët për fitoren. Pra, fitorja e Tiranës kuotohet 2=2.40, ndërsa fitorja e Kukësit me koefiçientin 1=3.00. Duke qënë ndeshja e parë, barazimi kuotohet me koefiçientin 3.10. Ndërkohë, ndeshja Egnatia-Vllaznia më shumë parashikohet si e barabartë dhe me koefiçientin 2.00. Fitorja e Egnatias 2.30 dhe fitorja e Vllaznisë me koefiçientin 2.40. Ndaj duken parashikime të “trazuara”.