Elidon Demiraj: Gara do vështirësohet, fillojnë ndeshjet si finale

KATEGORIA E PARË/ Dy fazat e para në skaner, flet specialisti i futbollit Elidon Demiraj

Agron KAJA

Sigal

Java e fundit e kampionatit të Kategorisë së Parë 2025-2026 është përcaktuese për renditjen, pasi do të vendoset kalendari i fazës së tretë, i cili është edhe pjesë e mundësive për arritjen e synimeve për të gjitha skuadrat. Edhe specialisti i futbollit Elidon Demiraj, e mendon një javë vendimtare për renditjen, por nuk pret se do ketë befasi, apo ndonjë lëvizje të dukshme në tabelë. Dje për gazetën “Telegraf”, Demiraj u ndal edhe te niveli e cilësia e ndeshjeve në 21 javë dhe në vazhdimësinë e garës për fazën e tretë. “Pas 21 javëve janë profilizuar të gjitha skuadrat në tabelën e renditjes, sipas mundësive që kanë patur. Ndodhen në pozicione për atë që kanë shprehur në fushën e lojës, ku tre skuadrat kryesuese mendoj se kanë bërë më mirë nga të tjerat. Pjesa tjetër e renditjes ka treguar se nuk kanë qënë të përgatitura për sa janë shprehur në fillimin e sezonit për synimet e tyre. Por në këtë renditje, të gjitha skuadrat kanë treguar nivelin e cilësinë e lojës së tyre në 21 javë”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit, Elidon Demiraj, i cili më pas tregon se nga disa skuadra është i zhgënjyer për renditjen e tyre. “Më ka zhgënjyer Besa, e cila hyri me synime dhe objektiva maksimale. Po kështu edhe Lushnja nuk pritej të ishte kaq poshtë në renditje. Ndërsa Apolonia ka qënë në pikjatë në këto 21 javë, dhe për këtë situatë të saj unë nuk ndjehem mirë si ish-futbollist e trajner i saj. Duke parë renditjen e tyre, do thoja se të gjitha skuadrat kanë gjetur realizimin apo zhgënjimin në 21 javë, dhe kjo merr shumë vëmëndje për ecurinë e garës në fazën e tretë”. Këtë fundjavë, Demiraj mendon se kalendari i javës së 22-të nuk mund ta ndryshojë ndjeshëm renditjen. “Sa më shumë javë ikin, aq më shumë shtohet presioni te skuadrat, ndaj dhe ndeshjet e javës së 22-të i bashkoj të gjitha si kryendeshje. Duhet veçuar sfida Skënderbeu-Apolonia, për vetë renditjen e të dyja skuadrave në ekstremet e tabelës. Besoj se do jetë kjo renditje, duke menduar se nuk do ketë hapa fals. Madje edhe në fazën e tretë, më shumë kjo renditje do të jetë. Kanë filluar ndeshjet si finale dhe gara do vështirësohet”, kështu e mbylli dje bisedën Elidon Demiraj, specialist futbolli.

LEGJIONARËT

Ernest Muçi “kryefjalë” në Turqi, vijnë sinjale nga Anglia

Për Ernest Muçin, lajmet e fundit nga atmosfera mediatike sportive në Turqi, janë të veçanta. Sipas “duhuliye”, disa vëzhgues të udhëzuar nga dy ekipe nga Anglia do të jetë të pranishëm sot në ora 18:00, në ndeshjen Trabzonspor-Fenerbahçe. Ky udhëtim ka të bëjë me formën e jashtëzakonshme të 24-vjeçarit shqiptar, e cila ka bërë “zhurmë” deri në Angli. Nuk bëhet e ditur emra e klubeve nga Ishulli, por “sinjalet” janë të qarta se Muçi është lojtar edhe për klube të mëdha në Europë, dhe largimi do të jetë çështje kohe deri në merkaton e verës. Gjatë këtij sezoni, ish-sulmuesi i Tiranës në 21 ndeshje ka shënuar 12 gola, ka dhënë 2 asistentw. Kartoni i Ernest Muçit i përket ende klubit të Beshiktashit, ndërsa te Trabzonspori ai është dhënë me “formulë” huazimi deri në verën e vitit 2026.

Armando Broja me fatin e keq, trajneri e përjashton nga skuadra

Viti 2026 nisi mirë për Armando Brojën, por forma jo plotësisht e mirë e tij e ndryshoi rrjedhën e aktivizimit te skuadra e Bërnlit. Pa Brojën as edhe në stol, skuadra ka marrë një fitore të rëndësishme kundër Kristal Palas në transfertë, me shifrat 2-3. Për ekipin e drejtuar nga Skot Parker, kjo fitore ishte thyerja e trendit nga rezultatet negative në Premier Ligë. Por detaji që ka bërë më shumë habi është vendimi i tij, që e ka përjashtuar për këtë ndeshje sulmuesin të Shqipërisë Armando Broja. Ende edhe dje nuk ishin bërë të qarta arsyet e këtij vendimi, ku Broja nuk ishte në fushë, por as në stolin e rezervave. Kjo situatë është lajm i keq për Kombëtaren dhe trajnerin Silvinjo. Ndeshja e Shqipërisë me Poloninë me 26 mars në Varshavë, për fazën “Play-Off” të Kupës së Botës, ka trokitur.

Golashënuesit në 11 javë, Marku i Korabit kryeson

Sot dhe nesër, Kategoria e Parë do të luajë ndeshjet e javës së 22-të të kampionatit, e cila është njëherësh edhe java mbyllëse e fazës së dytë. Edhe pse pas kësaj jave do të formatohet kalendari i fazës së tretë, edhe golashënuesit e këtyre javwve do “formatojnë” numrin e golave të shënuar prej tyre.Taulant Marku i Korabit kryeson me 12 gola, ndërsa ndiqet nga Olsi Myrta i Laccit me 10 dhe Saleh Nasri i Skënderbeut me 9 gola. Pritet të kemi “vibrime” edhe në këtë tregues.

3 Kryendeshje

Laçi-Besa, Pogradeci-Burreli dhe Skënderbeu-Apolonia, këto janë tre sfidat e javës së 22-të, të cilat vlerësohen si kryendeshje që do vendosin shumë për renditjen.

 

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 22-të 

E shtunë, 14 shkurt 2026

AF Luftëtari-Kastrioti             13:30

Kukësi-Korabi                         13:30

Laçi-Besa                                13:30

Skënderbeu-Apolonia             16:30

E dielë, 15 shkurt 2026

Iliria-Lushnja                           13:30

Pogradeci-Burreli                    13:30

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              21        48

2.Laçi                          21        45

3.Pogradeci                 21        40

4.Kastrioti                   21        30

5.Burreli                      21        30

6.Iliria                          21        26

7.Besa                         21        25

8.Korabi                      21        24

9.Apolonia                  21        24

10.Lushnja                  21        20

11.AF Luftëtari           21        16

12.Kukësi                    21        12

 

FAZA E TRETË

Ndeshjet-Java 23

E shtunë, 20 shkurt 2026

Vëndi 3-Vëndi 10         13:00

Vëndi 1-Vëndi 12         13:00

Vëndi 4-Vëndi 9           13:00

Vëndi 5-Vëndi 8           13:00

Vëndi 6-Vëndi 7           13:00

Vëndi 2-Vëndi 11         13:00