Astrit Hafizi: “Skënderbeu dhe Kukësi, mburrja jonë në Europë”

539
Sigal

Ish-trajneri i Vllaznisë dhe i Kombëtares: “Futbolli ynë po kalon vështirësi në planin financiar”

Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, tha për gazetën “Telegraf” se, prania si asnjëherë tjetër me dy ekipe në fazën “play-off” të Ligës së Europës, me Skënderbeun dhe Kukësin, është një nga momentet më të mira të klubeve tona në ballafaqimet ndërkombëtare. “Edhe nëse mbyllet këtu cikli europian i skuadrave tona, duhet ta konsiderojmë si një arritje”, – tha  Hafizi për gazetën “Telegraf”. Hafizi, si lojtar ka fituar titullin kampion me Vllazninë, në sezonin 1997-1988, me trajner Xhevdet Shaqirin, ndërkohë që si trajneri ka fituar me Vllazninë, titullin në sezonin 1991-1992. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar përveç Vllaznisë, edhe Dinamon e Tiranën.

  – Zoti Hafizi, Shqipëria po përfaqësohet si asnjëherë tjetër me dy ekipe në fazën “play-off” të Ligës së Europës, pra me Skënderbeun dhe Kukësin. Si do ta vlerësonit këtë moment të futbollit tonë në arenën ndërkombëtare?

– E konsideroj si një nga momentet më pozitive të futbollit tonë në ballafaqimet ndërkombëtare. Na vjen mirë të gjithëve, pasi është një shembull i mirë për futbollin shqiptar. Kukësi ka kaluar tre ture në Ligën e Europës, ndaj kundërshtarëve me emër si: Flora Talin e Estonisë, Sarajevo e Bosnjës dhe Metalurg Dontesk i Ukrainës. Edhe Skënderbeu kaloi një tur në Ligën e Kampioneve ndaj azerbajxhanasve të Neftçit, dhe bëri fitoi takimin në shtëpi ndaj Shahkter Karagandy të Kazakistanit, pavarësisht se u eliminua. Pra, e kanë merituar të jenë në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Ne kemi qenë gjithmonë të fokusuar nga ekipi Kombëtar, dhe klubet nuk e kanë pasur këtë privilegj.

– Në ndeshjet e para të fazës “play-off”, Skënderbeu humbi minimalisht 1-0 me Çernemorets Odesën në Ukrainë, ndërsa Kukësi humbi 2-0 me turqit e Trabzonsporit në “Qemal Stafa”. Të enjten janë ndeshjet e kthimit, çfarë mund të presim?

– Skënderbeun e shoh më të favorizuar, pasi humbi me rezultat minimal dhe plotësisht të mundshëm për t’u përmbysur. Kukësi e ka më të vështirë, pasi humbi me dy gola në shtëpi me Trabzonsporin. Gjithsesi, skuadra kuksiane dhe tifozët e saj nuk duhet zhgënjehen kurrsesi, pasi Kukësi ka realizuar diçka shumë të madhe. Pra, nuk duhet të jenë të mërzitur. Trabzonspori ishte skuadra më e mirë që, ka luajtur në vendin tonë kundër Kukësit, përfshirë edhe tre turet e mëparshme. Edhe nëse mbyllet këtu cikli europian i skuadrave tona, duhet ta konsiderojmë si një arritje.

– Në turet e para, skuadrat ishin më modeste dhe me nivel të përafërt me tonat. Si do ti konsideroni këto të turit të katërt?

– Nëse do të më lejonit të bëja një paralelizëm me skuadrat e sotme të turit të katërt, janë ato pikërisht të turit të parë me të cilat skuadrat tona kanë luajtur disa vite më përpara. Dikur luanim qysh në turin e parë me ekipe të tilla, si: Ajaksi, Bajerni i Munihut, Olimpiku i Marsejës, Sëlltiku, Austria e Vjenës, etj.. Duhet të jemi realistë se, turet paraeliminatore janë të ture paraliminatore, janë skuadra jo të nivelit të lartë. Dikush i kalon me lehtësi, dikush jo, si në rastin e Laçit që, u eliminua nga luksemburgasit e Diferdanzhit.

– A mendoni se, tani kemi një imazh më të mirë ndërkombëtar, pas viteve të tëra të mbushura me dështime?

– Po, mund ta themi këtë. Por, nuk duhet të harrojmë faktin se, skuadrat tona nuk luajnë në stadiumet e tyre, infrastruktura jonë për ballafaqimet ndërkombëtare është jo në nivelin e duhur. Rasti i Kukësit që, nuk luan në qytetin e tij, asnjë nga katër ndeshjet është shumë domethënës. Duhen investime serioze. Nuk mjafton vetëm të investosh në skuadër, por dhe në infrastrukturë, pasi një klub nuk përbehet vetëm nga ekipi i parë. Nuk duhet të punojmë në të kundërtën. Gjithsesi, imazhi ynë është rritur me përfaqësimin në këtë edicion, aq sa dhe UEFA i ka kushtuar vëmendje në ndonjë artikull të saj.

– Nga fillimi i Kampionatit të Kategorisë Superiore na ndajnë vetëm disa ditë. Një edicion me 12 skuadra, por që katër prej tyre dalin direkt. Si e parashikoni atë, duke parë dhe merkaton që kanë bërë ekipet?

– Duhet të jemi të qartë dhe realistë, futbolli ynë po kalon disa vështirësi në planin financiar, nuk janë të garantuara nga pjesa më e madhe e klubeve me përjashtim të Skënderbeut dhe Kukësit. Të tjerat kanë vështirësi. Ka një dilemë të madhe se si do të eci kampionati. Janë tre skuadra të elitës, si Tirana, Vllaznia dhe Partizani kanë vështirësi. Edhe Flamurtari që, ka pasur vitet e fundit investime të mëdha, këtë vit është më i kursyer. Bashkitë nuk mund t’i mbajnë skuadrat. Mendoj se, një kampionat me dhjetë skuadra, siç do të jetë ai edicionit 2014-2015 është një gjë e mirë, pasi skuadrat tona vuajnë për stadiume të mira.

– Në Qeverinë e re, të zotit Edi Rama, Sporti është bashkuar me Ministrinë e Arsimit. Si e shihni perspektivën?

– Nuk mund ta parashikoj për momentin, por them se ndarja nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është një gjë e mirë, pasi sportit pak kujdes i kushtohej. Mendoj se, duke qenë tashmë në një ministri si Arsimi dhe Sporti, mund të gjallërojnë edhe futjen e sportit në shkolla, krijimin e klasave sportive, pse jo dhe spartakiadat e shkollave.

 17 ndeshje zyrtare me Kombëtaren

 Astrit Hafizi e ka marrë detyrën e trajnerit të Kombëtares (29 mars 1997-9 tetor 1999) duke zhvilluar 17 ndeshje zyrtare) duke pasuar në bankinë Neptun Bajkon dhe ia la vendin Medin Zhegës. Ndeshja e parë e tij ishte humbja 1-0 kundër Ukrainës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Francë 1998”, por të zhvilluar në “Nuevo los Carmenes” të Granadës, në Spanjë, për shkak të pasigurisë në Shqipëri gjatë  ngjarjeve të vitit të mbrapshtë 1997. Ndeshja e tij e fundit me përfaqësuesen është fitorja 2-1 me Gjeorgjinë, më 9 tetor 1999 për kualifikueset e Euro 2000. Trajneri Astrit Hafizi ka pasur fatin e keq, pasi Kombëtarja nën drejtimin e tij ka zhvilluar tri ndeshje në fushë asnjanëse, të cilat edhe pse të programuara për t’u luajtur në Shqipëri, me vendim të UEFA-s u zhvilluan jashtë saj. Gjithçka erdhi si rrjedhojë e trazirave në vendin tonë gjatë vitit 1997. Në Granada të Spanjës luajtëm kundër Ukrainës (0-1) dhe Gjermanisë (2-3), ndërsa në Zyrih të Zvicrës kundër Irlandës së Veriut (fituam 1-0, gol i Altin Haxhit).

  Nga katër ndeshjet e mbetura, tri prej tyre janë në transfertë. “Nëse humbasim, rrezikojmë shumë”

 “Receta ime për të fituar ndaj Sllovenisë dhe Islandës”

 Shqipëria do të luajë në fillim të muajit shtator, dy ndeshje shumë të rëndësishme në transfertë, ato kundër Sllovenisë në Lubjanë (6 shtator) dhe Islandës në Rejkavik (10 shtator). Kombëtarja jonë ndodhet pas gjashtë ndeshjeve të para në vendin e dytë, me 10 pikë, katër më pak se Zvicra e vendit të parë dhe një më shumë se Islanda, e treta. Në ndeshjet e para, Shqipëria humbi 2-1 me Islandën në “Qemal Stafa” dhe fitoi 1-0 me Slloveninë, po në Tiranë. “Për ne tani rritet jo pak vështirësia e ndeshjeve të mbetura, pasi nga katër të tilla, tre prej tyre janë në transfertë dhe vetëm takimi me Zvicrën do të luhet në Tiranë. Nuk është një short i favorshëm. Tani skuadrat e njohin njëra-tjetrën, pasi janë ndeshur midis tyre. Na duhet ta merrnim atë fitore me Norvegjinë, të cilën e mbyllëm në barazim në minutat e fundit (87’), pasi me ato tri pikë do të ishim në një pozicion komod në tabelë, – tha Hafizi, i cili ka drejtuar Përfaqësuesen, nga 29 mars 1997 ( duke pasuar në bankinë Neptun Bajkon) dhe e ka dorëzuar më 9 tetor 1999 (duke ia la vendin Medin Zhegës). “Përsa u përket dy ndeshjeve më të afërta, ato me Slloveninë dhe Islandën, i konsideroj shumë të vështira. Duhet të jemi realistë. Tani flitet për vendin e dytë në grup, pozicion për të cilin luftojnë të paktën tri skuadra rivale me ne: Islanda, Sllovenia dhe Norvegjia. I konsideroj ndeshje të vështira por, jo të pakalueshme. Kemi treguar thuajse të njëjtin nivel me ato në ndeshjet e para, dhe me Islandën humbëm nga disa episode, apo siç fituam me Slloveninë në Tiranë dhe Norvegjinë në Oslo. Jam i bindur se, me pak më shumë kujdes dhe përqendrim, pasi ndonjëherë e humbim kontrollin e lojës, mund të marrim dy rezultate pozitive. Nëse do të dështojmë me këta dy kundërshtarë, mund të humbasim edhe vendin e tretë, pasi ekipet kanë ngjeshje në renditje. Slloveninë e shoh shumë të rrezikshme, pasi vjen dhe nga një fitore 4-2 në Islandë”.

  “Prurjet e reja, risia e De Biazit”

 Trajneri italian i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka krijuar një grup të gjerë lojtarësh, gati 30-40 të tillë, që janë thirrur të paktën nga një herë dhe janë aktivizuar në gjashtë ndeshjet zyrtare dhe tetë miqësoret. Por, si e konsideron ish-trajneri i Kuqezinjve, Hafizi, këtë rinovim të ekipit. “Është një gjë shumë e mirë, pavarësisht se ndonjëherë mbart edhe ndonjë rrezik. Janë zbuluar shumë lojtarë, janë afruar disa futbollistë të mirë, janë dubluar thuajse të gjitha pozicionet. Pra, kemi një grup lojtarësh. Diferenca janë shumë të vogla midis tyre. Por, ikja e një grupi dhe ardhja e një tjetri krijon edhe probleme, pasi ende nuk e kemi stabilizuar formacionin. Sot e kësaj dite nuk e dimë se kush është grupi bazë, pavarësisht se kemi lojtarë. Duhet ta pranojmë, se kemi pretendime. Nëse ne do ta dalim të zhgënjyer, atëherë fatura i kalon trajnerit. Pra, prurja e lojtarëve të rinj është si një thikë me dy presa: e mira është se, po krijojmë një grup të ri lojtarësh për të ardhmen, ndërkohë që përgjegjësia është e madhe. Nëse dështojmë me Slloveninë dhe Islandën, atëherë përgjegjësia është dhe e trajnerit. Objektivat e Federatës për momentin është zënia e vendit të dytë, pasi ndoshta për “Euro 2016” jam i bindur se do të kemi një ekip të mirë”.