Eksluzive për “Telegraf”, Mjeshtri i Sportit, Tomor Dano: Notin e dashurova si kampion e rekordmen, kështu edhe si trajner

32
Sigal

PROFIL/ Mjeshtri i Sportit, Tomor Dano, vjen në gazetën “Telegraf” me një rrëfim ekskluziv për karrierën e tij sportive, trajningu në Not dhe trofetë e fituar

Agron KAJA

Kur kam thyer rekordin kombëtar me të rriturit në 200m Shpinë, për mua ka qënë një nga momentet më të mira. Por edhe kur në KS Partizani jam vlerësuar për tre vite rresht në 10 më të mirët e notit shqiptar, ishte një karrierë e plotësuar

Sporti i Notit nuk ka qënë shumë tërheqës në shekullin e kaluar, ju si e thyet këtë barrierë?

Po, ashtu është. Sepse sporti i Notit në Vlorë para viteve ‘70-’80 zhvillohej në kushte jo shumë të përshtatshme dhe stërvitja jonë kishte si pishinë vetëm detin. Por për rininë vlonjate ishte sport i dashur që frekuentohej shumë.

Përse u ushtruat pikërisht me not, dhe jo me ndonjë sport tjetër?

Në fëmijërinë time kam ushtruar disa sporte, si futboll, mundje, basketboll, apo edhe qitje. Por unë zgjodha sportin e notit, sepse më tërhoqi më shumë. Për mua Noti mbeti dashuria sportive më e madhe, sport që më dha të gjitha shpërblimet.

Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?

Në vitin 1972, ka qënë një zgjedhje e trajnerit Teki Kadëna, i cili erdhi në shkollën ku unë mësoja dhe na afroi të merreshim me not. Kështu, unë së bashku me dy shokë të mi e vendosëm dhe në vitin 1974 garuam në Kampionatin Kombëtar për të Rinj, që u zhvillua në pishinën e Lushnjës.

Po infrastruktura në sportin e notit në Vlorë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Unë e përmënda më sipër, por po e ritheksoj se kushtet tona përgatitore kanë qënë minimale. Kanë qënë dy zadra të sajuara në det, të cilat kanë qënë 50m larg njëra-tjetrës. Kjo ishte gjithçka që ne atëhere e kishim për stërvitshmërinë tonë.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvillua ajo?

Kujtoj se gara ime e parë në sportin e notit është zhvilluar në vitin 1973 në Kampionatin Kombëtar për Fëmijë, i cili u zhvillua në pishinën e qytetit të Lushnjës. Ndërsa gara e parë Ndërkombëtare në vitin 1976 me ekipin kinez.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj?

Trajneri im i parë ka qënë Teki Kadëna me fëmijët, ndërkohë që në vitin 1977 ishte Ilia Konomi. Më pas, deri në vitin 1980 kam qënë ushtar dhe garova për Partizanin, dhe më pas, 1980-1988 me trajnerin e mirënjohur vlonjat Ilirjan Kreshpa, me të cilin kam arritur rezultatet më të larta dhe më të mira në karrierë.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Që nga viti 1974 kur kam garuar zyrtarisht për herë të parë, për mua stili më i preferuar dhe më i suksesshëm në karrierë ka qënë ai në Shpinë, por kam garuar edhe në 200m Miks. Në distancat 100 dhe 200m unë dola kampion e rekordmen.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat që keni zhvilluar (kombëtare dhe ndërkombëtare), cilët kanë qënë?

Gjatë karrierës sime 17 vjeçare në sportin e notit, kam patur  shumë rivalë dhe miq të afërt. Kujtoj ish-rekordmenët Idriz Muço i Butrintit Sarandës, Ilir Gjebrea në Tiranë, Met Kikri dhe Sokol Hoti të Lokomotivës së Durrësit.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar, që ju keni thyer në karrierën si notar?

Kur kam thyer rekordin kombëtar me të Rriturit në 200m Shpinë, për mua ka qënë një nga momentet më të mira. Por edhe kur në KS Partizani jam vlerësuar për tre vite rresht në 10 më të mirët e notit shqiptar, ishte një karrierë e plotësuar.

Cilat ndani si momentet më të mira në karrierën tuaj si notar rekordmen, dhe nëse keni edhe moment jo të mira, si i përshkruani?

Më sipër ju përmënda disa prej tyre, ndërsa momentët e bukura vazhduan edhe me vlerësimin e 10 më të mirëve në KS Flamurtari. Forma ime e mirë si notar kishte momente të bukura deri në mbyllje të karrierës, me rekorde e tituj kampion.

Ju keni një karrierë edhe si trajner i notit, trajningu është pasion për ju, apo ka ardhur si një detyrim i rrugëtimit sportiv?

Duke e patur Notin si pasion, edhe trajningu në këtë sport erdhi si pjesë e këtij pasioni. Si trajner e kam nisur me fëmijët e Flamurtarit që në vitin 1985 bashkë me Agim Levanin, kur njëherësh isha edhe notar elitar. Trajningun e vazhdoj edhe sot, sepse noti është pasioni dhe dashuria ime.

Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si ka evoluar sporti i notit, nisur para vitit 1990 dhe deri në vitin 2024?

Besoj se nuk mund të krahasohen si periudha, kur unë garoja si notar, me kushtet sot, sepse edhe sistemet politike kanë qënë të ndryshme dhe afronin kushte të ndryshme. Ka edhe pishina dimërore, por ka qytete që stërviten si para viteve ’90-të.

Përmëndët më sipër vlerësimet që keni marrë si notar, po si trajner cili ka qënë vlerësimi për trajningun tuaj?

Veç KS Flamurtarit në fillimet e karrierës sime si trajner noti në këtë klub, më pas kujtoj me emocion kupën personale nga Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit në vëndin tonë, takimin mirënjohjeje “Gjithmonë kampionë”, Nderi i Notit shqiptar, etj.

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni se do e vazhdoni gjatë trajningun në sportin e notit?

Duke e patur pasion sportin e notit, mendoj se do jem pranë tij gjithë jetën time. Kam filluar të trajnoj moshat e vogla dhe të rinj, ndërkohë që marr pjesë në çdo veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, por edhe në SHKVN këtu në Shqipëri.

Ka rreth 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Aktivitetin e SHKVN në Shqipëri e vlerësoj maksimalisht. Është gjë shumë e bukur, sepse mbi të gjitha takohemi me shok e miq brez pas brezi, me të cilët kam shoqëri e miqësi gjysmëshekullore. Njëherësh, shoqata e promovon përvojën dhe e përcjell te brezat e rinj.

Kjo bisedë me ju po shkruhet kur në këtë periudhë po luhen ndeshjet e Kampionatit Europian të futbollit, si e përshkruani rrugëtimin e Shqipërisë?

Futbolli është sporti më popullor dhe shumë i ndjekur, po kështu edhe Europiani  që po e shoh me shumë kënaqësi. Keqardhje që Kombëtarja jonë nuk shkoi gjatë, po ashtu edhe Italia që isha tifoz. Do uroja Zvicrën e shqiptarëve të shkojë sa më larg, pse jo edhe finaliste.

Mbi 50 rekorde kombëtare në karrierë

Kur lexon biografinë sportive të kampionit e rekordmenit kombëtar të Notit, Tomor Dano, natyrisht që elita e këtij sporti ndjehet e respektuar nga rezultatet e tij, por edhe e detyruar që këtë Mjeshtër, sikundër edhe të tjerë, ta shpërblejë për këto super arritje. Duke qënë një ndër notarët Legjendë në notin shqiptar, Po i cekim dy fjalët e tij në këtë bisedë. “Unë notin e kam pasion, por pak jam shfaqur në publik. Për kontributin tim, ku në karrierë kam thyer mbi 50 Rekorde Kombëtare, kam fituar 30 Medalje Kampioni në Not, jam fitues i Medaljes së Artë në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1984, mendoj e besoj se vlerësimet nuk duhet të ndalen këtu”.

Albert Mustafaraj, ish-notar me Danon

Tomori, mjeshtër në sport dhe në jetë

Jo vetëm se ishte i gatshëm që të sillte emocionet e mbresat e tij për Tomor Danon si koleg, por Albert Mustafarj tregoi për gazetën “Telegraf” se ai tashmë është në miqësi me këtë Mjeshtër, që sportit të notit po ja kushton gjithë jetën e tij. “Për Tomor Danon notar e trajner, ndoshta do të duhen netë dimri për të folur e shkruar të gjitha. Sepse ai ka qënë një nga notarët më të talentuar në Shqipëri, për kohën kur garoj dhe në të gjitha nivelet e garimit: Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur. Rekordmen për 7-8 vite rresht në garat e 100m dhe 200m të Stilit Shpinë, unë e quaj edhe një mik i këtyre rekordeve, për deri sa edhe sot ai është pranë notit vlonjat. Tomori mbetet një Mjeshtër në sport, por edhe në jetë”, ky është portreti që Mjeshtri Albert Mustafaraj e përshkruan Mjeshtrin e Sportit, Tomor Dano.

KONSIDETATA E VLERËSIME

IBRAIM LEVANI, ISH-TRAJNER I FLAMURTARIT

Tomori, një kampion i shkollës vlonjate të notit

Ibraim Levani është një ndër ata trajnerë që në notin vlonjat ka kontribut të veçantë, kryesisht në ekipin e femrave të Flamurtarit. Por ai nuk mungoi të fliste edhe për Tomor Danon, pasi në atë periudhë të shkëlqimit të tij me rekorde e tituj kampionë, ishte trajner. “Tomorin e kam njohur që kur garonte me të Rinjtë e Flamurtarit, dhe që atëhere dallonte si një notar me vullnet e pasion, por edhe me shumë sedër. Kemi punuar së bashku paralelisht në disa vite, unë trajner te Femrat  dhe ai te Meshkujt e Flamurtarit. Aty e njoha më nga afër Tomorin si kampion e rekordmen absolut në garat 50, 100 dhe 200m Stil Shpinë. Në atë periudhë, trajneri i meshkujve të Flamurtarit, Ilirjan (Liro) Kreshpa, bëri një ekip ku dolën shumë kampionë e rekordmenë kombëtare, e midis tyre i tillë ishte edhe Tomor Dano. Në atë periudhë kur Liro ishte trajner, niveli i notit në Vlorë, por edhe në Shqipëri, u ngrit në nivele të larta dhe me emra të mëdhenj”.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Tomori thyeu “hegjemoninë” e stilit Shpinë

Udhëtimi i gazetës “Telegraf” me Profilet e notarëve që kanë bërë histori në sportin e bukur të notit në Shqipëri, është një nismë tashmë e realizuar e Mjeshtrit të Madh Sadik Mema, i cili edhe për Mjeshtrin e Sportit Tomor Dano, ka vlerësime të veçanta, si notar e trajner në këtë sport. “Edhe pse unë dhe Tomor Dano kemi garuar në periudha të ndryshme, njohja jonë ka qënë e afërt, sepse sporti i notit ta jep këtë mundësi. Por si unë, ashtu edhe historia e Notit shqiptar, Tomorin e kujton si notarin kampion, që thyeu hegjemoninë e Shpinës të dy notarëve të mëdhenj, Idriz Muço e Ilir Gjebrea. Në garë, ai ishte një notar i fortë, trim e me karakter dhe  rekordet e stilit Shpinë i përmirësoi për vite me radhë. Nga ky këndvështrim real, Tomor Dano hyn tek notarët elitarë të historisë së notit shqiptar. Një notar e trajner  pasionant që e reflekton edhe sot në punën me fëmijët, realisht pa kushtet minimale për të zhvilluar me dinjitet notin në Vlorën e traditës”.

CV sportive TOMOR DANO

Datëlindja: 24 Nëntor 1958  Vendlindja: Vlorë Vendbanimi: Vlorë.

Arsimi: Të mesmen. Profesioni: Marangoz Specialist. Sporti që ka ushtruar: Not   Karriera si sportist: Në vitin 1973 me Flamurtarin, me Fëmijët, në 1974 me të Rinjtë, me të Rriturit në vitin 1978. Gara e parë në karrierë: Në vitin 1973, Kampionati Kombëtar për Fëmijë, në Lushnje Sukseset si notar: Në vitet 1975-1990 në garat Kombëtare (Kampionate e Kupa të Shqipërisë), në 50, 100 dhe 200m Stil Shpinë. Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1975 tre gara Ndërkombëtare, në Durrës, Sarandë e Lushnje, këtu përmirëson rekordet kombëtare në 100 dhe 200 m Shpinë. Tituj e trofe në karrierë: Ka thyer mbi 50 Rekorde Kombëtare, ka fituar 30 Medalje Kampioni në Not. Fitues i Medaljes së Artë në Spartakiadën Kombëtare, viti 1984. Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1988, Kampionati Kombëtar për të Rritur, në Durrës. Karriera si trajner: Në periudhën 1985-1990 Trajner i Flamurtarit. Në periudhën 1985-1990 dhe 2004-2024 me ekipin “Vlora Not Sport”. Kualifikime e formime: Ka ndjekur të gjitha kurset e kualifikimit të organizuar nga FSHN dhe nga FINA. Detyra në institucione sportive: Kryetrajner i “Vlora Not Sport”. Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti, Nderi i Notit Shqiptar, Mirënjohje e Notit Shqiptar, Mirënjohje e Qytetit të Vlorës. Aktualisht: Trajner “Vlora Not Sport”

 

Tomor Dano, pjesë e elitës në historinë e Notit shqiptar

Për të gjithë ata që Tomor Danon nuk e kanë njohur nga afër si sportist, mjafton të kërkosh në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Notit, atje ku ai është vendosur mes emrave të mëdhenj të elitës në notin shqiptar. Notar i më shumë se 50 rekordeve kombëtare në stilin Shpinë (50m, 100m dhe 200m), Tomori e shpreh me modesti gjithë këtë karrierë, të cilën sot ndoshta do ta kenë zili shumë notarë shqiptarë. “Në fëmijërinë time kam ushtruar disa sporte, si futboll, mundje, basketboll, apo edhe qitje. Por unë zgjodha sportin e notit, sepse më tërhoqi më shumë. Për mua Noti mbeti dashuria sportive më e madhe, sport që më dha të gjitha shpërblimet. Që nga viti 1974 kur kam garuar zyrtarisht për herë të parë, për mua stili më i preferuar dhe më i suksesshëm në karrierë ka qënë ai në Shpinë, ku në distancat 100 dhe 200m dola kampion e rekordmen”.