EKSKLUZIVE për “Telegraf”/ Luiza Gega: Botërori si Olimpiada, besoj për rezultate në rritje

57

Flet për “Telegraf”Luiza Gega, Kampionia e Europës me sytë te veprimtaria e radhës

Sigal

Atletja Luiza Gega nuk është me pushime. Pas Kampionatit Ballkanik të Atletikës, që u zhvillua në Serbi, muajin e kaluar, tashmë ajo është duke u përgatitur për Kampionatin Botëror të Atletikës, që zhvillohet në Hungari, nisur nga data 23 gusht. E zhvendosur në qytetin e Korçës me përgatitjet e saj, kampionia shqiptare tregoi për gazetën “Telegraf” se po stërvitet me synimin e arritjes së kohëve më të mira në të gjitha garat që do të zhvillojë. -“Unë stërvitem me pasion dhe garoj me forcën e pasionit. Kam shumë energji të garoj shumë më gjatë. Së shpejti (23 gusht) do marr pjesë në Kampionatin Botëror të Atletikës, po përgatitem për arritjen e kohëve më të mira në garat ku do të marr pjesë”.

Agron Kaja

Agron Kaja

“Të gjitha garat që kam zhvilluar gjatë vitit 2023, e kryesisht Ballkaniada, që u zhvillua në Serbi, kanë qenë testime për Olimpiadën Botërore “Paris 2024”. Sepse çdo garë që unë zhvilloj, është koha që realizoj si normë për Lojrat Olimpike”

Luiza, më shumë ndjeheni e lodhur, apo e lumtur për çka keni arritur këtë vit në garat që keni zhvilluar?

Lodhja është normale me ngarkesën që kam patur. Por më shumë ndjehem e gëzuar për çka kam arritur, madje do të thoja se kam patur pritshmëri edhe më të larta se sa këto. Gjithsesi, është normale që të ndjehem mirë për kohët që kam arritur.

Një vajzë 34 vjeçare që vrapon si kampione, e gjithë kjo energji “rinore” mos po sjell kulmin e karrierës suaj?

E gjitha kjo, mendoj se është energjia e pasionit që unë kam për atletikën. Unë stërvitem me pasion dhe garoj me forcën e pasionit. Nuk mendoj se është kulmi i karrierës sime, sepse kam shumë energji të vazhdoj të garoj shumë më gjatë.

Cilat janë garat që ju keni zhvilluar gjatë vitit 2023?

Janë disa, por unë do të thoja se të gjitha kanë patur vlerësimin maksimal nga ana ime dhe e trajnerit. Mendoj se një atlet i niveleve ku unë garoj, nuk duhet t’i veçojë garat me preferenca. Me ulje e ngritjet që ato sjellin, mbetet e paparashikueshme.

Tre gara të fituara në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua në Krajlevo të Serbisë, e prisnit këtë sukses?

Unë do të thoja se isha e përgatitur për këtë sukses. Ndjehesha shumë optimiste dhe e sigurtë në çdo garë, madje prisja kohë më të mira. Gjithsesi, energjia e pasionit, që unë e vlerësoj në maksimum në çdo garë më dha suksesin e momentit.

Jeni atletja e parë shqiptare që kualifikoheni për në Olimpiadën “Paris 2024”, e priste Luiza këtë arritje?

Të gjitha garat që kam zhvilluar gjatë vitit 2023, e kryesisht Ballkaniada që u zhvillua në Serbi, kanë qenë testime për Olimpiadën Botërore “Paris 2024”. Sepse çdo garë që unë zhvilloj, është koha që realizoj si normë për Lojrat Olimpike.

Cila ka qenë gara në të cilën ju nuk besonit se do të arrinit ta fitonit në Kampionatin Ballkanik në Serbi?

Besoj se të gjitha rezultatet që kam arritur kanë qenë në synimet e mia. Madje edhe më shumë se kaq, sidomos për 5000 m që kam më shumë për të dhënë. Të gjitha kanë qenë gara testuese për mua dhe kohët e arritura se janë më të mirat e mundshme.

Distancat 3000 metra e 5000 metra duket sikur i keni “hipotekuar”, cilën keni më shumë për zemër?

Nuk mund të veçoj asnjerën nga garat, edhe pse në të treja ato që zhvillova në Ballkanikun e Serbisë kisha mundësi për të dhënë kohë më të mira. Unë besoj se tek të treja garat do të kem kohë më të mira në vazhdimësinë time, që në Botëror.

Me kohët që shënuat në këto gara, si jeni me synimet tuaja për Lojrat Olimpike “Paris 2024”?

Unë e kam arritur normën kualifikuese për në Olimpiadën “Paris 2024”, dhe të gjitha këto gara janë që të kem pozicion sa më të mirë e të hyj në gjashtë më të mirat. Tashmë kjo rrugë e shtruar me këto rezultate duhet mbajtur.

Deri në Olimpiadë, cilat janë garat që ju do të zhvilloni në këtë kohë të mbetur?

Në fundin e muajit gusht do të zhvillohet Kampionati Botëror i Atletikës. Natyrisht që unë do të marr pjesë në garat e mia që kam zhvilluar dhe do synoj që të arrij rezultate më të mira. Botërori është si Olimpiada, ndaj besoj shumë për rezultate në ngjitje.

Nëse gazeta “Telegraf” ju kërkon një premtim për “Paris 2024”, cili do ishte?

Unë nuk mund të bëj premtime, sepse vetë sporti atletikës nuk ka premtime. Në çdo garë ka shumë adrenalinë dhe nuk e parashikon dot, ndaj do të thoja se do të arrij më të mirën në të gjitha garat ku do të marr pjesë.

Disa gara në vitin 2023

Diamond Leauge, Karlsruhe

3000 m në sallë 8:50.94

Diamond League, Itali

Gara 3000 m /pengesa

Koha                   9:11.94

Mitingu në Lukas

Gara 3000 m / pengesa

Koha          9:15.86

Kampionati Ballkanik

Gara 3000 m / pengesa

Koha                   9:21.53

Gara 3000 m

Koha                   9:21.48

Gara 5000 m

Koha                   16:07.93

Pjesëmarrja në Botëror, suksesi i radhës për Luizën

Në Kampionatin Botëror të Atletikës që nis më 23 gusht 2023, Luiza Gega do të garojë në të tre garat: 3000 m, 3000 m/p dhe 5000 m. Nuk bën premtime, sepse sportivisht nuk e shikon të arsyeshme, por duke qenë e kualifikuar për Lojrat Olimpike “Paris 2024”, ajo kërkon që të përmirësojë kohët në çdo garë, duke pretenduar që të hyjë në gjashtë kohët më të mira në Botë.

MIQËSORET E LUKSIT

Partizani-Roma do gjykohet nga shqiptarë

Kjo ndeshje miqësore luksi (Partizani-Roma), e cila do të luhet sot në orën 20:00 në stadiumin “AIR Albania”, u është besuar për drejtim katër arbitrave shqiptarë të futbollit. Kryesor do të jetë arbitri i FIFA-s Juxhin Xhaja, me ndihmësa të tij Nertil Bregasi e Rejdi Avdo, arbitër i katërt do të jetë Orlando Kuka. Sot në stadiumin “Air Albania” pritet që të ketë një numër të lartë tifozësh, ku deri dje ishin shitur rreth 17 mijë bileta. Për trajnerin e Romës, Hoze Murinjo, është hera e dytë që e drejton Romën në stadiumin AIR Albania në Tiranë. Kjo ndeshje do të përshëndetet edhe nga këngëtari i njohur, Noizy.

Pritet fluks shqiptarësh për Inter-Egnatia

Tashmë është zyrtarizuar edhe zhvillimi i miqësore Inter-Egnatia, dhe për këtë ndeshje luksi, vetë njëshi i futbollit rrogozhinas, Presidenti i klubit Agim Demrozi, është shprehur se kur luhen të tilla ndeshje, shqiptarët pritet të jenë të shumtë në stadium. “Në këtë miqësore ne nuk përfaqësojmë vetëm Rrogozhinën, por gjithë Shqipërinë e futbollin shqiptar. Ndaj jam i bindur që do të ketë shumë tifozë shqiptarë në stadium. Jetojnë shumë emigrantë shqiptarë në Itali dhe kërkesat për bileta kanë qenë të larta”. Kjo miqësore luhet nesër në stadiumin “Paolo Mazza Ferrara” dhe transmetohet falas në MCN TV, ora 20:00.