Intervista e fundit e Mario Kempesit në Shqipëri

583
Sigal

Nga Bujar Qesja

Pjesë nga kujtimet e qëndrimit të shkurtër të yllit argjentinas në vendin tonë

Praktika ime si gazetar profesionist, ka pasur dukshëm disa dukuri të skajshme. Jam i pari që kam intervistuar në Shqipëri, Mishel Platinin, trajnerin e përfaqësueses franceze, më 17 nëntor 1990 dhe i fundit që i shkëputa një intervistë, yllit të kombëtares argjentinase Mario Alberto Kempesit. Ishte një rast unikal, që një trajner i huaj të drejtonte një klub shqiptar, aq më shumë i një fame të përbotshme. Ky “jashtëtokësor” do të zbriste në tokën shqiptare në mes të dhjetorit të vitit 1996, sipas kërkesës që vinte nga një ekip totalisht i panjohur, nga një tokë e panjohur, ndaj një futbollisti shumë të njohur, me emrin ëndërrues Mario Kempes. Se çfarë bëri Mario Kempes gjatë këtij muaji, lexuesi im i nderuar, ne ju ofrojmë një rrëfim në formë kujtimesh, të këtij futbollisti të famshëm të botuar në Argjentinë nga “El Matador”. Është një rrëfim tejet interesant, ku pasqyrohet dukshëm befasia, habia, surpriza, por edhe tmerri dhe zhgënjimi që ndjeu në tokën shqiptare sulmuesi fluturues i përfaqësues së Argjentinës. Kempes u aktivizua në klubet e vendit të tij në plot 555 ndeshje, duke shënuar 300 gola. Ai mbeti gjithashtu edhe idhulli i tifozerisë vendase, duke luajtur me ekipin përfaqësues 43 ndeshje e shënuar 20 gola. Ishte luks për Shqipërinë, por veçanërisht për klubin e futbollit lushnjar, që ekipi të drejtohej nga magjistar i futbollit, aq më shumë përfaqësues i një shteti me futboll të zhvilluar si Argjentina.

Ndeshja e 18 janarit 1997, Teuta – Lushnja

Teuta aso kohe, kaloi në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Dhe përplasja do të bëhej me ekipin e Lushnjes. Lushnja drejtohej nga tekniku kryeqytetas, ish-futbollisti i Partizanit, Hasan Lika. Por Lushnja ndërkohë, kishte në krye këtë argjentinas të famshëm, i cili ardhur në kulmin e firmave piramidale, kishte krijuar një “piramidë’ njerëzore ekzaltuese. E gjithë Lushnja festonte kryebankinën e tyre, të një kampioni dhe emri të jashtëzakonshëm Mario Kempes. Shtatlartë, i zeshkët, me flokë të kaluara prapa si jelet e një kali, me një fytyrë të zgjatur por simpatike, Mario Kempes me seriozitetin e një kampioni, ndoqi ndeshjen e parë në Lushnje nga tribuna. Atëherë Lushnjen e kishte “gjeneral” Rrapush Xhaferri, bosi i firmës piramidale Xhaferri, i cili këtë punë e kishte filluar me vetëm 100 mijë lekë të vjetra. I biri i tij, Pëllumbi, ishte caktuar si president i klubit dhe e ndiqte nga afër futbollin lushnjar. Unë kam përshtypje të mira nga komunikimi me këtë njeri, i qeshur dhe serioz kur duhej, por shumë sportiv. Lushnjarët linin kokën për të. Popullariteti i tyre në popull, ia kishte kaluar famës së Kempesit. Në Lushnje nuk punohej, por gëzohej duke u çmendur të gjithë pas ëndrrës Xhaferri, për ta bërë ekipin myzeqar edhe “hambar” të futbollit kombëtar. Dhe merkato ishte e fuqishme. Kempesi lidhi një kontratë prej 350 mijë dollarë në sezon. Ndeshja e parë u fitua 1-0 nga lushnjarët. O Zot, çfarë është bërë aty! Pëllumbi më pyeti:

-Zoti Qesja, si ju duk Lushnja ime?

E çfarë mund t’i thosha unë, një Lushnje me tre brazilianë, me portierin Shehi në portë, nëse jam i saktë, me një merkato brenda vendit nga më pikantet dhe mbi të gjithë me një argjentinas të magjishëm.
-Pa diskutim mjaft mirë, ia ktheva. Kjo Lushnje sapo fillon të na çudisë. Prite, o Zot, se ku do të shkojë më tej!
Pasi më falënderoj, u ndava miqësisht me të dhe e lamë të takoheshim pas një jave në Durrës. Dhe me 18 janar 1997, Lushnja në Durrës në ndeshjen e kthimit, të njërës prej çerekfinaleje nga më të veçantat dhe nga më elektrizueset. E tërë Lushnja ishte transferuar në Durrës atë ditë. Festë, entuziazëm, thirrje, tifozëri delirante, duke krijuar një kolor të rrallë në stadiumin me emrin “Niko Dovana”. Fotoja që është fiksuar pikërisht në këtë ditë me diell dhe të ngrohtë në palcë të janarit, më paraqet duke intervistuar Kempesin, këtë magjistar të topit në prezencën e trajnerit, mikut tim të hershëm, Hasan Lika. Hasani zotëronte një anglishte të pasur dhe në këtë rast luajti rolin e përkthyesit.

Intervista e Mario Kempes

Dhe në intervistë Kempesi ishte kampion. I qetë, i matur, me fjalë të ndara si në rrokje, por shumë i saktë. E kuptova në çast, se intervista s’do të ishte e lehtë dhe se Kempes ndryshonte shumë nga teknikët tanë. Mbaj mend se kur e pyeta se: A e keni frikë Teutën?, ma ktheu:
-Lufta nuk e njeh këtë term dhe të sugjeroj si gazetar të mos e përdoresh më. Çdo me thënë të kesh frikë? Ndaj kujt? Në futboll dylufton për të fituar dhe jo për t’u frikësuar.
U emocionova paksa. Dhe s’kisha faj. Kisha përballë Mario Kempesin, të cilin edhe në televizion kur e ndiqja më befasonte, me trondiste me një lojë të paharruar dhe me një përpunim teknik të topit deri në tallje.

-Si kampion, shtoi Kempesi jo me mburrje, kam ardhur pas bisedës me presidentin Xhaferri, të bëj një ekip kampion, por tashmë në qytetin e Lushnjes, ku të gjithë më duken si të dehur pas topit. Nuk ju njihja fare, si vend dhe si futboll, por ky qytet qenka vërtet i çmendur pas futbollit.
U ndamë miqësisht me gjigantin argjentinas dhe as nuk më shkonte ndërmend, se kisha realizuar një dukuri unike profesionale: Isha gazetari i fundit shqiptar që intervistoja Mario Kempesin, pasi ai nga ky moment do të ishte vetëm me orë në Shqipëri, e do të ikte me frikën e një të arratisuri.
Në Shqipëri kishte filluar revolucioni antifajde. Dhe fotoja e 18 janarit 1997, mbetet si një relikte e çmuar, ku fiksohet një emër shumë i madh i futbollit botëror, të cilin e kishte kapur çmenduria e një popullit të tërë, që mendoi se i erdhi dita për të ngrënë me lugë floriri. Sa më takon mua, kjo foto është një plus profesional, një bilanc i artë pune, ku kënaqësia që intervistova një kampion race, nuk ka pse të mos jetë gjithnjë në rritje.