Eduard Zhupa:“Derbi” i kryeqytetit, luhet mes historisë dhe realitetit

24

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Dinamos, Eduard Zhupa

Sigal

Agron Kaja

“Derbi” luhet mes historisë e realitetit të të dyja skuadrave. Është ndeshja kryesore e kësaj jave, sepse janë dy skuadra me emër. Tirana është më në avantazh psikologjik, ndërsa Dinamo synon ta bëjë edhe më tërheqëse këtë sfidë.”

/Telegraf.al/ Nesër mbyllet hapësira pa ndeshje zyrtare, si e përshkruani ritmin e punëve nga skuadrat e Superiores?

Kjo hapësirë pa ndeshje zyrtare është një pjesë e periudhës përgatitore, e cila shërben edhe për rregullime fizike dhe merkato. Me prurjet e reja do të shikohet gjëndja fizike e lojtarëve dhe bëhen konfigurimet e formacioneve për skuadrat.

Nga kreu-në fundin e tabelës, e vlerësoni të merituar renditjen e skuadrave?

Për momentin, unë mendoj se renditja aktuale është e merituar, sepse 18 javë janë normale për të parë gjëndjen e ekipeve. Në përgjithësi kishte edhe dyshime për rezultatet, por ka pasur edhe surpriza të cilat kanë kompletuar situatën e skuadrave.

Gjatë 18 javëve të luajtura kishte largime të trajnerëve në shtatë skuadra, çfarë efekte ka ky tregues?

Kjo është bërë si e modës në futbollin shqiptar me largimin e trajnerëve. Mendoj se  ka të bëjë me mentalitetin e drejtuesve të klubeve. Ata duhet të kenë respekt për trajnerin si instiutucion, sepse në pak javë ata nuk mund të kenë shkop magjik.

Stërvitje dhe merkato me hyrje e dalje, cilën skuadër e veçoni si më aktive në këtë periudhë?

Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit shikoj se në periudhën e dimrit nuk ka aq shumë largime, kryesisht te skuadrat kryesore. Kjo ndoshta është një gjë pozitive, edhe për faktin se në merkaton e dimrit nuk mund të gjesh kualitete.

Cilën skuadër mendoni se i duhet më shumë Merkato gjatë muajit janar?

Në periudhën e merkatos skuadrat duhet të organiziohen sipas objektivave fillestare të tyre. Ato që kërkojnë titullin kampion gjatë janarit janë treguar më të kujdesshme në Merkato, kryesisht Partizani. Të tjerat me çfarë ti dalë në treg.

Kampionati nis sot me “derbin” e kryeqytetit Dinamo City-Tirana, është kjo edhe kryendeshja e kësaj jave?

Mendoj se kjo do jetë ndeshja kryesore e kësaj jave. Sepse janë dy skuadra me emër, por aktualisht Tirana është më në avantazh psikologjik. Ndërsa Dinamo City po vjen atje ku synon dhe kjo situatë do ta bëjë edhe më tërheqëse këtë sfidë.

Ju keni luajtur në ndeshje “Derbi” të kryeqytetit, si e parashikoni këtë sfidë hapëse të javës së 19-të?

“Derbi” është gjithmonë 50 me 50, por zakonisht e fiton ajo skuadër që ka më shumë kualitete dhe përvojë në ndeshje të tilla. Unë i qëndroj mendimit se ky “derbi” është i barabartë, edhe për faktin se skuadrat vijnë pas pushimit mujor.

Një parashikim juaji për katër skuadrat e “Final 4” cili është?

Ndoshta është shpejt për të thënë se cilat do jenë 4 skuadrat për “Final 4”, sepse kanë ngjeshje në tabelën e renditjes. Por besoj se për katër vëndet e para do të jenë në lojë 6-7 skuadra.

BILANCI

Dinamo City-Tirana

Ndeshje                144

Fitore Dinamo      49

Barazime              36

Fitore Tirana         59

Golat          184:216

Ndeshja e parë

Viti 1950

Tirana-Dinamo               0-1

 

Ndeshja e fundit

28 tetor 2023

Dinamo City-Tirana       1-1

 

 

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 19
E premte, 12 janar 2024

Dinamo City-Tirana       17:00

E shtunë, 13 janar 2024
Egnatia-Skënderbeu        13:30

Partizani-Teuta               17:00

E dielë, 14 janar 2024

Laçi-Erzeni                     13:30
Vllaznia-Kukësi             17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              18      37

2.Partizani            18      32

3.Tirana                18      26

4.Vllaznia             18      26

5.Dinamo City      18      22

6.Skënderbeu        18      22

7.Laçi                   18      21

8.Erzeni                18      21

9.Kukësi               18      19

10.Teuta               18      16

 

LËVIZJET

Dinamo më aktive në Merkato, Tirana e bllokuar

 

DINAMO
Afrime: Jorgo Meksi, Mori Bamba, Stivian Janku, Kilian Çuni

Largime: Amarildo Gjoni, Ali Samake, Indrit Prodani

 

TIRANA
Largime: Florent Hasani, Ardit Hila

Afrime: Janë të bllokuara

 

Në Merkaton e janarit 2024, nisur nga lëvizjet që kanë bërë dy skuadrat e “Derbit” të sotëm, Dinamo City-Tirana, dinamovitët janë treguar më aktivë nga bardheblutë. Jo vetëm për situatën aktuale që kanë këto dy skuadra në tabelën e renditjes, por edhe për synimet që ato kanë për këtë sezon, lëvizjet e kësaj merkatoje dimërore janë bërë si detyrim. Dukuria e parë e merkatos është se Tirana ka vetëm dy largime dhe pa asnjë afrim të ri, sepse bardheblutë janë të bllokuar pasi kanë për të shlyer detyrimet financiare për Tim Vairinen, Edon Hasanin, Asion Dajën dhe Orges Shehin. Ndërsa Dinamo City më shumë ka menduar për afrime, ku pesë futbollistë të rinj do të luajnë për këtë skuadër, ndërkohë që tre të larguarit thuajse e bëjnë të papërfillshme situatën e skuadrës në vazhdimësi.