Edon Zhegrova tregon si e përjetoi golin e parë me Lille dhe bën këtë premtim

278
Sigal

Edon Zhegrova shijoi mbrëmë golin e parë në fanellën e Lille, ku u transferua në janar nga Baseli.

Ylli kosovar u fut në lojë në minutën e 82-të dhe gjeti golin në fundin e takimit me Clermont, duke vulosur fitoren 4-0 të ekipit të tij.

Ai ndihet i lumtur për këtë dhe zotohet se do të mundohet t’i gëzojë më shpesh tifozët e kampionit francez.

“Mbi të gjitha, jam i lumtur që i fituam tri pikë. Ishte mjaft e rëndësishme, ekipi bëri punë mjaft të mirë duke fituar 4-0. Natyrisht, jam i lumtur për golin e parë, shpresoj që të vijnë edhe të tjerë”, theksoi fillimisht përfaqësuesi kosovar për median franceze “le11hdf.fr”.

“Unë do të vazhdoj të punoj fort, shënova ose nuk shënova. Gjithmonë punoj shumë dhe kur trajneri ma jep mundësinë të luaj, e jap më të mirën për ekipin”, shtoi ai.

Zhegrova e përshkroi edhe golin, duke thënë se u mundua të gjuante dhe për fatin e tij, mbrojtësi e devijoi topin, i cili përfundoi në rrjetë.

Ai thotë se është ndjenjë e veçantë kur shënon pasi inkuadrohesh nga bankina pasi në të ardhmen trajneri mund t’i japë më shumë hapësira për të luajtur.

Ish-futbollisti i Prishtinës thekson se është pritur mjaft mirë nga lojtarët dhe nga stafi që nga dita e parë. Për këtë është i lumtur dhe ndihet si në shtëpi.

“Jam mjaft i lumtur këtu. Shpresoj që të jem në gjendje të festoj së bashku me tifozët edhe shumë gola të tjerë në të ardhmen”, përfundoi Zhegrova.