Edi Martini: Këtë ditë të zezë, Vllaznia e ka dhuratë nga keqmenaxhimi

804
Sigal

Nga Agron KAJA

ATMOSFERË/ Në Shkodër, ende nuk i besojnë rënies së skuadrës së tyre nga Superiorja, edhe ish-futbollisti e trajneri është në këto ujëra

Edhe dje, 24 orë pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë, ish-futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, nuk e kishte kaluar dëshpërimin e kësaj situate. “Po e përjetoj shumë keq, si çdo shkodran, sepse për të gjithë ne, kjo është e pabesueshme ende. Një ndëshkim që Vllaznia nuk e meritonte”, kështu theksoi dje për gazetën “Telegraf” Edi Martini, i cili më pas këtë e quajti fryt të punës disa vjeçare. “Çfarë kanë mbjellë në vitet e fundit, atë e korrën këtë sezon. E mërkura do të shënohet si një ditë e zezë për futbollin shkodran, sepse Vllaznia ka rreth 7 sezone që ishte kthyer në ekip partiak. Ata që e drejtuan skuadrën, asnjëherë nuk e kanë ditur, mandej nuk e kanë ndjerë peshën e fanellës së Vllaznisë. Kështu si erdhi, më mirë një fund me dhimbje, se sa një dhimbje pa fund”, vazhdoi më tej Martini, i cili këtë situatë e krahason me një lagje të Shkodrës, që mund ta shpëtonte nga kjo rënie në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, ish-futbollisti e trajneri i Vllaznisë, këtë situatë ja faturon edhe keqmenaxhimit që i është bërë Vllaznisë në 7 vitet e fundit. “Po, po, për 7 vite me radhë, që nga java e parë dhe deri tek e fundit, Vllaznia ka vuajtur nga keqmenaxhimi dhe abuzimi. Kjo ndodhi që në momentin që Vllazninë e mori në dorë Bashkia, të cilët e trajtuan si një xhaketë në krahët e tyre. Vllaznia duhet të ngrihet në këmbë, jo si një ekip për mëshirë, sepse në Shkodër futbolli është një fe më vete. Duhen njerëz që kanë potenciale financiare, por edhe dëshirën e mirë për ta ringritur këtë skuadër të madhe, 9 herë Kampione e Shqipërisë”, kështu e mbylli deklarimin e tij Edi Martini, duke e quajtur rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, si keqmenaxhim që kërkon edhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie. Ndërkohë, Rregullorja e FSHF-së penalizon tashmë edhe skuadrën e Vllaznisë B, e cila zbret në Kategorinë e Dytë, pasi janë ekipe të të njëjtit klub futbolli, dhe nuk mund të luajnë në të njëjtën kategori.

Vllaznia zbriti për herë të tretë në Kategorinë e Parë. Më parë, kur Superiorja quhej Kategoria e Parë, Vllaznia ka luajtur në Kategorinë e Dytë në vitet 1956 dhe 1961. Ndërsa këtë herë, zbriti në Kategorinë e Parë nga Kategoria Superiore 2017-2018

Rezultatet-Java e 36-të

E mërkurë, 23 maj 2018

Laçi-Teuta                   4-2

Lushnja-Luftëtari        1-2

Skënderbeu-Vllaznia   1-5

Kukësi-Flamurtari       2-2

Partizani-Kamza          0-1

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

  1. Skënderbeu 36 72
  2. Kukësi 36 62
  3. Luftëtari 36 59
  4. Laçi 36 56
  5. Partizani 36 53
  6. Flamurtari 36 46
  7. Kamza 36 46
  8. Teuta 36 46
  9. Vllaznia 36 44
  10. Lushnja 36 11