KAMPIONATET/ Në mesjavë rifillon futbolli shqiptar, specialisti Dritan Mehmeti veçon sfidat e radhës
Agron Kaja
“Në javën e tretë do veçoja sfidën Vllaznia-Partizani si kryendeshje. Sepse veç historisë, aktualisht ndeshen dy skuadra me kualitete që javë pas jave kërkojnë vazhdimësinë psiko-fizike edhe në rezultate.”
Ndërkohë që në sfond mbetet ende atmosfera e bukur që na dha Kombëtarja pas fitores së pastër 2-0 me Poloninë, në futbollin shqiptar po trokasin ndeshjet e radhës në kampionat. Të enjten Abissnet Superiore do nisë të luajë ndeshjet e javës së tretë, ndërsa Kategoria e Parë luan ndeshjet e javës së dytë në dy ditë. Këto dhjetë ditë pa ndeshje zyrtare, skuadrat në futbollin shqiptar i kanë shfrytëzuar për rekuperime fizike të lojtarëve dhe për ndonjë element taktik, dhe për këto përgatitje, specialist i futbollit Dritan Mehmeti deklaron për gazetën “Telegraf” se kjo hapësirë është shfrytëzuar nga stafet teknike edhe për ta riformatuar më mirë skuadrën. “Unë mendoj se kjo hapësirë 10 ditore pa ndeshje zyrtare, ka ndikuar pozitivisht, sidomos për skuadrat që janë riformatuar në momentet e fundit para nisjes së kampionatit, e për pasojë i kanë filluar vonë përgatitjet. Them se është një periudhë, e cila i ndihmon stafet teknike edhe për aspektin tekniko-taktik, pasi në dy javët e para kanë konstatuar mangësi në lojën e tyre”, kështu thekson fillimisht ish-trajneri i Partizanit dhe i Dinamos, i cili shpërndarjen e zhvillimit të ndeshjeve të javës së tretë të Superiores në tre ditë nuk e quan me ndikim te skuadrat. “Kjo shpërndarje do të ketë ndikim në javën e katërt, por gjithsesi, më shumë do të varet nga programi që trajnerët kanë zbatuar në këto ditë. Duke ju referuar kalendarit të javës së tretë, unë do ta veçoja sfidën Vllaznia-Partizani si kryendeshje. Sepse veç historisë, aktualisht ndeshen dy skuadra me kualitete, të cilat javë pas jave kërkojnë vazhdimësinë psiko-fizike edhe në rezultatet pozitive. Edhe ndeshjet e tjera janë të rëndësishme për çdo skuadër, por do isha korioz për përfundimin e ndeshjes Tirana-Skënderbeu”. Ndërkohë që Specialisti Mehmeti mendon se edhe java e dytë në Kategorinë e Parë ka në kalendarin e saj ndeshje të forta. “Nga ky kalendar, unë do të thoja se janë dy kryendeshje të javës së dytë: Flamurtari-Bylis dhe AF Elbasani-Vora. Sepse janë skuadra të nivelit të Superiores dhe në to do shohim ndeshje me nivel të lartë dhe me ritëm. Ka vite që Kategoria e Parë është rritur në nivel, dhe veç treguesve të tjerë, unë veçoj faktin se aty 50-60% janë skuadra, të cilat kanë luajtur në Abissnet Superiore, madje kanë fituar tituj kampionë e kupa të Shqipërisë”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit shqiptar, Dritan Mehmeti.
Peshëngritje- Botërore
Pa medalje, Qerimaj në vendin e 7-të e Calja në të 8-in

Në Riad të Arabisë Saudite po zhvillohen garat e Kampionatit Botëror të Peshëngritjes, ku marrin pjesë edhe dy peshëngritësit shqiptarë, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Të dy garuan dje në peshën 81 kg. Fillimisht Briken Calja në Baterinë B, në stilin e shkëputjes ngriti 150 kg në provën e dytë. Në stilin e shtytjes ai ngriti 187 kg, dhe në dygarësh me 337 kg u rendit në vendin e tetë. Ndërsa Erkand Qerimaj në Baterinë A, në stilin e shkëputjes ngriti 156 kg në provën e tretë dhe u rendit i pesti në bateri, në stilin e shtytjes ngriti 182 kg në provën e tretë, duke u renditur në dygarësh 338 kg në vendin e 7-të. Renditja në këtë Botëror vlen për t’u kualifikuar me normë në Lojrat Olimpike “Paris 2024”.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 3
E enjte, 13 shtator 2023
Egnatia-Erzeni 16:00
Dinamo C-Kukësi 19:00
E premte, 14 shtator 2023
Tirana-Skënderbeu 15:00
Vllaznia-Partizani 18:00
E shtunë, 15 shtator 2023
Laçi-Teuta 16:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 2 6
2.Vllaznia 2 4
3.Tirana 2 4
4.Egnatia 2 3
5.Partizani 1 3
6.Erzeni 2 2
7.Teuta 1 1
8.Laçi 2 1
9.Dinamo 2 0
10.Kukësi 2 0
KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 2
E enjte, 13 shtator 2023
Tomori-Luzi 2008 16:00
Flamurtari-Bylis 16:00
Korabi-Apolonia 16:00
Besa-Lushnja 16:00
Burreli-Kastrioti 16:00
E premte, 14 shtator 2023
AF Elbasani-Vora 18:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Apolonia 1 3
2.Vora 1 3
3.Bylis 1 3
4.Flamurtari 1 1
5.Kastrioti 1 1
6.Luzi 2008 1 1
7.AF Elbasani 1 1
8.Tomori 1 1
9.Korabi 1 1
10.Burreli 1 0
11.Besa 1 0
12.Lushnja 1 0