Dritan Mehmeti: Me skemën “Final 4”, kemi një kampionat me shumë dritë-hije

36
Sigal

SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Dritan Mehmeti në një këndvështrim real për garën

Agron KAJA

Agron Kaja

Edhe pse Abissnet Superiore 2024-2025 ka një muaj që ka përfunduar, për specialistin e futbollit Dritan Mehmeti, skuadrat treguan shumë oshilacione gjatë garës, duke renditur disa faktorë. Për gazetën “Telegraf”, ish-trajneri i Dinamos e Partizanit u shpreh se skuadrat kanë marrë ato rezultate që i kanë merituar në fushën e lojës. “Mendoj se në kampionatin e kaluar (2024-2025), të gjitha skuadrat treguan oshilacione në prezantimin e tyre. Por Egnatia tregoi më shumë stabilitet, sepse ishte e mirëmenaxhuar dhe e vazhdoi ciklin e saj të një skuadre fituese me binomin trajner-drejtor-president. Ndërsa skuadrat e tjera u prezantuan me shumë oshilacione, për mënyrën se si e kanë menaxhuar merkaton e tyre gjatë garës, faktor që ndikoi në performancën e tyre, duke mos treguar vazhdimësi pozitive në lojë dhe në rezultate. Ecuria e tyre ka qënë e drejtë, në raportin mes fushës dhe rezultateve që kanë marrë”, kështu e nisi dje analizën e tij specialisti i futbollit shqiptar, Dritan Mehmeti, i cili për skemën me “Final 4” u shpreh se nuk është shumë efikase për futbollin tonë. “Sepse “Final 4” është një skemë e provuar dhe nuk është shumë efikase. Kjo edhe për faktin se në fundin e saj i jep mundësi skuadrave që arrijnë objektivin në katërshe, ta ulin performancën duke krijuar edhe shtigje për ndeshje të paravendosura. Pra, kjo është një skemë jo shumë bindëse, sepse e udhëheq kampionatin një skuadër  dhe titulli do vendoset për një ndeshje! Kjo nuk është e drejtë. Shohim edhe treguesin tjetër, se kjo skema “Final 4” është krijuar edhe për të tërhequr tifozët, por edhe në këtë pikë dështoi, pasi nuk ka patur pritshmëri tifozësh sikundër edhe pretendohet. Kjo është një skemë që duhet të rishikohet, të mos funksionojë”. Por kishte edhe tregues të tjerë, në të cilët Dritan Mehmeti u ndal në analizën e tij. “Duhet strategji dhe plan afatgjatë që të çojnë te suksesi. Ndërsa sa i përket arbitrave, ndoshta është edhe puna e mirë e  FSHF-së që i ka dhënë prioritet anës profesionale të tyre. Prandaj edhe kishte më pak kontestime, sepse edhe VAR-i i ndihmoi. Ishte një plus për arbitrat, pasi kemi një gjyqtar në fushë dhe një jashtë fushe që e ndihmojnë njëri-tjetrin. Nisi zyrtarisht merkato, kjo do varet nga vetë objektivat që do kenë klubet. Skuadrat që do luajnë në Europë duhet të kishin filluar t’i piketonin lojtarët. Ky është një difekt në futbollin tonë, në merkaton, që kryejnë skuadrat. Do mendoja që këto skuadra që të prezantohen mirë, duhet ta mendojnë një sezon më parë atë skuadër që do ta kenë në Europë. E mendoj një kampionat të vështirë, si ky që u mbyll, pa shumë diferenca mes skuadrave, edhe me ato që u ngjitën në këtë sezon. Do jetë i fortë dhe interesant, por do isha i mendimit që të mos kishim skemën “Final 4”. Një kampionat me “Final 4” mbetet i paparshikueshëm dhe me mjaft dritëhije”, ishte kjo analiza e Dritan Mehmetit për Abissnet Superioren.

Farruku me kurajo: Nuk i trembem konkurrencës te Dinamo

Florenc Farruku te Burreli, ishte një nga sulmuesit më premtues të Kategorisë së Parë, tashmë ka bërë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar tek ekipi kryeqytetas i Dinamos. Tashmë 23-vjeçari nga Burreli, pas një sezoni të shkëlqyer me ekipin e vendlindjes, ka tërhequr vëmendjen e bluve dhe tani është gati të tregojë vlerat e tij në elitën e futbollit shqiptar. “Kam nënshkruar me një skuadër të madhe në futbollin shqiptar, por nuk i druhem konkurrencës sepse do punoj me trajnerin më të mirë. Te Dinamo do synoj Kombëtaren, edhe pse ka lojtarë cilësorë, veçanërisht në repartin e sulmit. Do punoj të kërkoj hapësirën time,  e besoj se do ta arrij atë që dua”, ky është synimi i goleadorit matjan në këtë aventurë të re të tij në karrierë. Farruku doli  golashënuesi i tretë më mirë i Kategorisë së Parë, me 15 gola. Në këtë sezon, Dinamo City do të luajë në Europë në Konferencë Ligë, ku edhe shanset e Farrukut për debutim do jenë të afërta.

Martini zyrtarizohet me rrjedhje të rëndësishme nga Vllaznia

Edi Martini dje nisi zyrtarisht drejtimin e skuadrës së Vllaznisë, e cila kishte nisur pushimet që nga data 12 maj. Kuqeblutë zbritën për herë të parë në fushën e lojës nën drejtimin e tij, i cili pritet të sjellë ndryshime në skuadër. Në këtë mënyrë, Martini bëri prezantimin zyrtar para futbollistëve të tij, dhe përgatitjet do të vijojnë në Shkodër deri në datën 14 qershor, ku më pas kuqeblutë do të udhëtojnë jashtë vendit për të zhvilluar fazën përgatitore para ndeshjeve të Konferencë Ligë. Ndërkohë, më parë në mesditë, nëpërmjet një falenderimi në rrjetet sociale, mesfushori Ardit Deliu ka zyrtarizuar mbylljen e bashkëpunimit me Vllazninë. “Faleminderit”, kështu shkruante Deliu mbi foton e skuadrës shkodrane, për eksperiencën që zgjati një vit. Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë eksperienca e re për 27-vjeçarin, por që me shumë mundësi mbetet rikthimi i tij si bardheblu, me të cilën luajti 61 ndeshje në sezonet 2022-2024.

Vora e nis merkaton me largime, ikën edhe Lika

Në sezonin e ri të Superiores, Vora luan për herë të parë në historinë e saj. Dhe drejtuesit i kanë nisur lëvizjet e para në merkato, por së pari me spastrimet. Deri më tani janë zyrtarizuar tre largimet e para. Mbrojtësi Ysni Ismaili u transferua te Dinamo, ndërsa muaji i ri ka nisur me zyrtarizimin e dy largimeve të tjera, Gresild Lika dhe Odirah Ntepe. Klubi nuk i ofroi Likës rinovimin e kontratës, largim që nuk është pritur mirë nga mesfushori me tipare sulmuese.

Listë e gjatë për bankinën e Flamurtarit

Në një kohë që ende nuk është vendosur asgjë për stolin, pas vendimit të klubit për të mos zyrtarizuar Artim Pollozhanin për sezonin e ri, në Vlorë po shqyrtohen disa kandidatë për stolin. Qatip Osmani ishte emri i parë që doli në skenë dhe mbetet një kandidat potencial. Së fundmi kanë dalë edhe disa emra të tjerë, ku në klub po përflitet edhe një rikthim të ish-trajnerit vlonjat, Gentjan Mezani, dhe ish-trajneri i Apolonisë, Sedat Pajaziti. Por lista nuk mbyllet me kaq, sepse zërat e merkatos në lojë kanë futur edhe dy ish-milanistë për stolin e Flamurtarit, Kristian Broki dhe Masimo Odo. Gjithsesi, deri tani Flamurtari nuk e ka gjetur zyrtarisht timonierin e sezonit të ri në Abissnet Superiore. Presidenti Idrizi është treguar optimist për zgjedhjen e re.