Dorian Bubeqi: Kategoria e Parë po bëhet kampionat i fortë, me surpriza

131
Sigal

ANALIZË/ Ish-futbollisti dhe kryegolashënuesi i Superiores, Dorian Bubeqi, skanon ecurinë e kampionatit

Agron Kaja

Agron Kaja

 

“Në Kategorinë e Parë po bëhet një kampionat i fortë, dhe duke parë situatën e ekipeve nuk mund të thuash se kur del kampion, apo kush zbret nga kategoria.”

Kategoria e Parë e ka ndalur pjesën e parë të sezonit që në datën 21 dhjetor pasi janë luajtur 16 javë. Për gjithçka që është zhvilluar në këto javë, specialist i futbollit Dorian Bubeqi, analizoi për gazetën “Telegraf” gjithçka, duke theksuar edhe vazhdimësinë e pretendentët. “Në Kategorinë e Parë po bëhet një kampionat i fortë e me surpriza, dhe duke parë situatën e ekipeve nuk mund të thuash se kur del kampion, apo kush zbret nga kategoria. Në këto javë, pritshmëritë më të mëdha ishin më shumë te Flamurtari, që gjithsesi është pretendent, por edhe te Vora, ku në veçanti te kjo skuadër duhet falenderuar presidenti i saj për investimin që ka bërë. Mendoj se do jetë garë e hapur dhe e fortë deri në fund”, kështu e nisi analizën e tij specialist Bubeqi, i cili më pas theksoi se pushimi një mujor pa ndeshje zyrtare mbetet si një fazë e fortë për të gjitha skuadrat. “Ky pushim njëmujor pa ndeshje zyrtare është thuajse një fazë e fortë, kryesisht për ekipet që pretendojnë Superioren, njëherësh edhe për ato skuadra që rrezikojnë rënien nga kategoria. Sepse këto kanë më shumë nevojë për të bërë plotësime në kontigjent, ndërkohë që skuadrat e tjera nuk mendoj se do të kenë lëvizje të mëdha, ato kryesisht do të merren me rregullime e riparime. Gjithsesi, pushimi vlen për të gjitha skuadrat kudo ndodhen në tabelën e renditjes pas 16 javëve të luajtura, njëherësh edhe për të parë defektetet që kanë pasur në këtë pjesë të parë të sezonit dhe për t’i rikuperuar ato”. Për Bubeqin, ndeshjet e javës së 17-të do të jenë shumë të forta, jo vetëm sipas çifteve të kalendarit, por edhe për faktin se skuadrat vijnë pas një muaji larg kampionatit zyrtar. “Duke parë kalendarin e javës së 17-të, unë mendoj se janë të gjitha ndeshje për tu vlerësuar. Sepse të gjitha skuadrat vijnë pas pushimit një mujor pa ndeshje zyrtare dhe askush prej tyre nuk e ka të parashikueshëm rezultatin. Kastrioti-Bylis luhet në fushën e krutanëve të pathyeshëm. Apolonia-Flamurtari do jetë si një “derbi” për ngjitjen, sikundër do të jetë një “derbi” për mbijetesën sfida Lushnja-Tomori. Elbasani mbetet më i favorizuar ndaj Korabit, ndërsa Besa duhet të marrë maksimumin e pikëve dhe do t’i largohet zonës së ftohtë, por Burreli do jetë një kockë e fortë”, ishte kjo analiza e specialistit të futbollit Dorian Bubeqi për 16 javët e luajtura në Kategorinë e Parë.

LEGJIONARËT

Broja sulmuesi i vetëm i Çelsit në këtë periudhë

Zhvillimet e fundit te skuadra e Çelsit duket se e favorizojnë Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar ka marrë një tjetër konfirmim për të qenë zgjedhja e parë e trajnerit Mauricio Poçetino, pas dëmtimit të Kristofer Nkunkusë dhe largimi i Xhekson në Kupën e Afrikës. Nkunku sapo ishte rikthyer nga dëmtimi i rënë në gju në fazën përgatitore, ka pësuar një dëmtim të ri muskulor dhe trajneri tha se ai do të mungojë në ndeshjet e ardhshme të Çelsit. Kështu, Broja mbetet sulmuesi i vetëm i Çelsit në këtë periudhë të vështirë dhe do të mbajë peshën e sulmit bashkë me Palmerin, Sterlingun dhe Mudrikun.

Karton i verdhë, Manaj mungon ndaj Gallatasarajt

Sulmuesi Rei Manaj po kalon një periudhë shumë të mirë në kampionatin turk me Sivasporin. Në javën e 18-të ai i dha fitoren skuadrës së tij me dy gola në fund, duke u kthyer në protagonist kryesor i fitores së Sivasporit ndaj Kajserispor,  dhe duke i dhënë tre pikët skuadrës së tij. Por ai do të mungojë në sfidën kundër Gallatasarajit javën e ardhshme, për shkak të kartonit të verdhë që mori në minutën e 95-të të takimit. Kështu, ai e plotësoi numrin e kartonëve dhe mungesa e tij do të jetë një humbje e madhe për Sivasporin. Manaj është golashënuesi më i mirë i skuadrës deri më tani, me 11 gola të shënuar.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 17

E premte, 19 janar 2024

Elbasani-Korabi                      17:00

E shtunë, 20 janar 2024

Kastrioti-Bylis             13:30

Lushnja-Tomori                       13:30

Apolonia-Flamurtari    13:30

E dielë, 21 janar 2024

Vora-Luzi 2008                      13:30

Besa-Burreli                            13:30

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Bylis             16        39

2.AF Elbasani  16        36

3.Vora             16        30

4.Flamurtari                 16        30

5.Apolonia                  16        26

6.Korabi                      16        23

7.Lushnja                    16        18

8.Kastrioti                   16        15

9.Burreli                      16        15

10.Luzi2008                16        12

11.Besa                       16        11

12.Tomori                    16        10