Te skuadra e Vllaznisë, merkato duket së është bërë “detyrë shtëpie”, pas eliminimit nga turi i dytë në Konferencë Ligë. Kështu, sot në mesditë klubi shkodran ka zyrtarizuar afrimin në skuadër mesfushorin shtatlartë të Dinamos, Bakari Gudiabi. Senegalezi ka qenë titullar i padiskutueshëm për Ilir Dajën te Dinamo, ndërsa ka zhvilluar 35 ndeshje në Superiore me këtë skuadër. Ndërkohë që 24-vjeçari shihet si një alternativë e rëndësishme përkrah Ardit Krymit, apo për ta zëvendësuar atë në rastet e dëmtimeve, pasi luajnë të dy në të njëjtin pozicion. Por senegalezi mund të përdoret edhe si qendërmbrojtës, duke i dhënë trajnerit Edi Martini më shumë fleksibilitet në prapavijë. Pra, kjo është merkato me një “xhol” të nevojshëm për Vllazninë.
Ndërsa një tjetër emër është përfolur në ambientin e Vllaznisë në këtë merkato. Bëhet fjalë për Sebastjan Spahiun, mesfushorin shkodran që deri para pak kohësh ishte pjesë e Mes Rafsanjan në Iran.Ai largohet nga Egnatia, dhe tashmë është një objektiv i “lakmueshëm” nga ekipe të ndryshme të Superiores. Përjashtim nuk bën as Vllaznia që duket se do të tentojë të marrë fantazistin në Shkodër, qytetin e tij të origjinës. Për Spahiun ky do të ishte një rikthim në Superiore, ku më parë ka mbajtur veshur fanellat e Laçit dhe Egnatias në vendin tonë. Megjithatë gjithçka për momentin qëndron vetëm në kuadrin e zërave sepse një ofertë zyrtare në drejtim të Spahiut mungon nga Vllaznia.

















