Sigal

Juventus është kthyer në një skuadër “kanibale” në Seria A duke mos njohur kundërshtarë. Bardhezinjtë fitojnë minimalisht 1-0 derbin ndaj Interit në duelin e zhvilluar në stadiumin “Juventus Stadum”. Fraksioni i parë ishte spektakolar me një ritëm të çmendur, por që nuk prodhoi asnjë gol. Zikaltrit ishin më të qartë në 30 minutat e para duke pasur më shumë zotërimin e topit, ndërkohë që rastin më të pastër për shënim e kishte Gagliardini. Mesfushori i Interit goditi shtyllën, duke i dhënë mundësinë Scezney-it që të kontrollonte topin më pas. 30 sekonda më pas ishte Perisic, i cili nuk gjeti portën në një mundësi shumë të mirë.

Në minutën e 34-t, Juventusi zgjohet duke krijuar disa mundësi të mira shënimi. Bentacur dhe Chiellini krijuan dy shanse shënimi, por Brozovic dhe Handanovic i mohuan golin e avantazhit bardhezinjve, të cilët kontrolluan pjesën e mbetur të fraksionit të parë.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me një mundësi shumë të mirë për Interin, teksa në minuan e 47-të, Matuidi i dha mundësinë Politanos që të godiste në zonën e vogël para portës, por Bonucci u gjend në vendin e duhur duke e ndalur. Juventus kundërpërgjigjet menjëherë duke humbur dy mundësi shumë të mira shënimi në minutën e 50-të, teksa Dybala goditi shumë keq brenda zonës edhe pse ishte krejtësisht i lirë. Bardhezinjtë më tej morën kontrollin e lojës duke qenë disa herë kërcënueshëm në portën e zikaltërve, teksa do të merrnin shumë shpejt frytet.

Në minutën e 65-të, pas një aksioni të Cancelos në krahun e majtë, portugezi jep një krosim magjik për Mandzukic, i cili e ka të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë me kokë. Lucianno Spalletti kërkoi reagim të menjëhershëm nga ekipi i tij duke hedhur në fushë Keita dhe Lautero Masrtinez, por torinezët mbrohen mjaft mirë. Bardhezinjtë ndërkohë nuk shfrytëzojnë hapësirat që lë pas Interi i hedhur i gjithi në sulm në kërkim të golit të barazimit. Kampionët e Italisë ruajtën deri në fund golin e shënuar në fraksionin e dytë duke u ngjitur në kuotën e 43 pikëve, 11 më shumë se Napoli i vendit të dytë (me një ndeshje me pak) dhe 14 më lart se Interi. “Zonja e Vjetër” ka fituar 14 ndeshje nga 15 të mundshme, duke barazuar vetëm ndaj Genoas.