Demollari: “Kombëtares i mungoi ‘truri”

538
Sigal

Ish-trajneri i Përfaqësueses: “Në humbjen me Gjeorgjinë pashë një skuadër të paimpenjuar seriozisht”

 Ish-trajneri i Kombëtares, Sulejman Demollari, tha për gazetën “Telegraf” se, Shqipëria bëri një ndeshje nën mesataren e saj, në humbjen 2-1 me Gjeorgjinë. Sipas ish-kapitenit të Dinamos dhe Kombëtares, kuqezinjve u mungoi freskia fizike dhe impenjimi i fortë. “- Mesi i fushës thuajse nuk funksionoi. Ishte reparti më i dobët. Mungoi një lojtar krijues, ose futbollisti që jep pasimin e fundit. La shumë për të dëshiruar mezi i fushës. Dihej mungesa e Alban Mehës dhe Burim Kukelit. Nuk e pamë lojtarin që krijoi lojën, pavarësisht zëvendësimeve që bëri trajneri.

 Çuditërisht këtë regjisor e pashë te Shpresat, të cilën e ndoqa kundër Maqedonisë. Gjelbërim Taipi ishte me të vërtetë një lojtar i talentuar”. “Sula” ka luajtur 45 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, ndërsa ka qenë dhe kapiteni i ekipit “Shpresa”, që arriti të ishte midis tetë ekipeve më të mira të Europës në vitin 1985. Në dhjetor të vitit të kaluar, “Demo” u përzgjodh ndër “10 sportistët e shekullit”, një anketë e organizuar nga gazeta më e vjetër sportive në Shqipëri, “Sporti Shqiptar”, së bashku edhe legjendat Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, Ela Tase, Ymer Pampuri, Pavlina Evro dhe Elisabeta Karabolli.

  – Zoti Demollari, Kombëtarja shqiptare humbi 2-1 me Gjeorgjinë, por më shumë se rezultati ra në sy perfomanca jo e mirë e lojtarëve dhe një impenjim i zbehtë i tyre. Cili është gjykimi juaj për atë humbje?

 – Dihet se ndeshjet miqësore janë në funksion të trajnerit, për të parë gjendjen e lojtarëve dhe për të përgatitur sa më mirë për takimet zyrtare, pra për të bërë dhe zgjedhje më të mira për ndeshjen zyrtare me Norvegjinë, të cilën do ta luajmë në transfertë (në Oslo, më 22 mars 2013). Të godet shumë rezultati, pasi humbja gjithmonë të krijon përshtypjen se nuk bëmë një lojë pozitive. Megjithatë, më qartë mesazhet i ka marrë trajneri De Biazi. Gjithsesi, mendimi im është se në atë ndeshje lojtarët ishin të rënduar fizikisht, dhe kjo u vu re në pjesën e dytë, kur tempi dhe ritmi nuk ishte optimal.

 – Trajneri Xhani De Biazi i bërë të gjitha ndërrimet që kishte në dispozicion, pra tetë të tilla, por dhe lojtarët zëvendësues nuk arritën t’i jepnin freski lojës?

 – Ndërrimet janë normale, pasi aktivizimi i sa më shumë lojtarëve është dhe një nga qëllimet e miqësoreve. Megjithatë, dua ta ritheksoj se nuk pashë një ekip të freskët fizikisht, ndërsa besoj se një muaj më pas, pra kundër Norvegjisë, do të kemi një skuadër më të impenjuar dhe në këtë tregues. Dukej qartë se, lojtarët nuk ishin në gjendje optimale dhe nuk mund të ruanin ritmin në 90 minuta lojë.

 – Një pjesë e mirë e lojtarëve titullarë shqiptarë nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre në Europë. A mendoni se ky fakt, ka ndikuar edhe në kondicionin fizik të tyre dhe ka reflektuar në lojë?

 – Patjetër. Kjo është një e dhënë që e ka shqetësuar dhe trajnerin De Biazi, pasi bëhet fjalë për lojtarë titullarë të ekipit Kombëtar. Nuk duhet të harrojmë se kishim edhe disa mungesa të rëndësishme. Rezultati, pra humbja flet vetë, por u pa se ka lojtarë që nuk janë në gjendjen e tyre optimale.

 – Ku çaloi loja e Shqipërisë?

 – Mesi i fushës thuajse nuk funksionoi. Ishte reparti më i dobët. Mungoi një lojtar krijues, ose futbollisti që jep pasimin e fundit. La shumë për të dëshiruar mezi i fushës. Kjo dhe nga mungesa e Alban Mehës dhe Burim Kukelit. Nuk e pamë lojtarin që krijoi lojën, pavarësisht zëvendësimeve që bëri trajneri.

 – Kjo humbje sa na e zbeh entuziazmin para ndeshjes me Norvegjinë?

 – Unë do të shihja në një këndvështrim të kundërt. Më mirë që ndodhi në një ndeshje miqësore, pasi trajneri dhe lojtarët do të nxjerrin mësimet e duhura për ta përgatitur sa më mirë takimin me Norvegjinë.

– Ju ishit i pranishëm edhe në ndeshjen e Kombëtares U-21, në barazimin 0-0 me Maqedoninë, në Laç. Cili është gjykimi juaj?

 – Shpresat bënë me të vërtetë një lojë të pëlqyeshme, sidomos në pjesën e dytë. Trajneri Skënder Gega ka përzgjedhur një grup shumë të mirë lojtarësh. Tani është momenti i konsolidimit të këtij grupi. Dallova një lojtar shumë të mirë, numrin 8, Gjelbërim Taipin (luan në Maqedoni, me Shkëndijën e Tetovës), i cili mund të afrohet me Kombëtaren A. Ekipi ynë goditi dy shtylla, ku të paktën ajo e dyta e Ginos, duhet të ishte një gol.

 “Cana dhe Bogdani, shtyllat e skuadrës”

 Erjon Bogdani, të mërkurën shënoi golin e tij të 18-të me Kombëtaren, duke e përmirësuar rekordin e tij si golashënuesi më i mirë i Shqipërisë. “Er-Bomber” ndiqet nga afër nga Alban Bushi (14 gola), Ervin Skela (11) dhe Altin Rraklli (11). Igli Tare, Sokol Kushta kanë shënuar nga 10 gola. Bogdani është në aktivitet dhe mund ta thellojë rekordin. “Erjoni është një lojtar i rëndësishëm për Kombëtaren, pavarësisht se ai tani është 35 vjeç. Është një pikë referimi në ekipin kombëtar. Ai dhe kapiteni Lorik Cana janë shtyllat e skuadrës”, – tha Demollari, i cili ka qenë kapiteni i përfaqësueses,

  SKEDA E NDESHJES

SHQIPËRI-GJEORGJI    1-2

E mërkurë, 6 shkurt 2013, stadiumi “Qemal Stafa”

Shënues: Bogdani 25’ / Vatsadze 41’, Lobzhanidze 82’

Shqipëria: E.Berisha (Ujkani 45’), Osmani (Vajushi 45’), Curri, A.Lila, Agolli (Arapi 73’), Roshi (G.Lika 76’), E.Bulku (Muzaka 89’), Cana, Vila (Hysaj 61’), Bakaj (Sadiku 55’), Bogdani (Bala 66’). Trajner: De Biazi

Gjeorgjia: Kvaskhvadze, Lobzhanidze, Grigalava (Okriashvili 46’), Kandelaki, Khizanishvili, Kashia, Kobakidze (Dzaria 63’), Dzalamidze (Kankava 46’), Kenia (Gelashvili 60’), Targamadze, Mchedlidze (Vatsadze 20’, Tomashvili 78’). Trajner: T. Ketsbaja

Gjyqtar: Dimitar Nakarovski (Maqedoni)

  MIQËSORET E DE BIAZIT

1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri 0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji 1-2

Bilanci: 6 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

Xhani De Biazi harron të vetët “Pashë talente te Kombëtarja U-19”

 Trajneri i Kombëtares A, Xhani De Biazi, para disa ditësh ndoqi në Romën turneun ndërkombëtar të Italisë për moshat U-19, në të cilin Shqipëria e drejtuar nga Foto Strakosha, luajti kundër Rusisë, Italisë dhe Greqisë. Shqipëria fitoi 2-0 me Greqinë, barazoi 1-1 me Italinë dhe humbi 1-0 me Rusinë. “Nuk isha i pranishëm në ndeshjen me Rusinë, të humbur 1-0 nga skuadra jonë, por në dy të tjerat, në ato kundër Italisë dhe Greqisë, i ndoqa me shumë seriozitet. Sipas mendimit tim, Shqipëria luajti mirë kundër Italisë, ndërsa ndaj Greqisë dallohej qartë dhe diferenca teknike dhe ne ishim më të fortë se grekët, dhe nga pikëpamja fizike. Besoj se, turneu na ndihmoi për të ndërtuar një skuadër U-19 me të rinj të talentuar. Pashë të paktën tre apo katër lojtarë, të cilët më bindën me lojën e tyre dhe mund të kenë një të ardhme. E përgëzova edhe trajnerin Foto Strakosha për punën e bërë”, – tha De Biazi për gazetën “Telegraf”. Këto ndeshje u zhvilluan edhe në kuadër të përgatitjeve të eliminatoreve të ardhshme të Kampionatit Europian 2013-2014 të asaj moshe, takime që do të luhen në Bullgari, më 12-17 nëntor 2013. Shqipëria ka rënë në një grup me Greqinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë.Për praninë e De Biazit në ndeshjet e Shqipërisë U-19 shkruajtën edhe mediat lokale të Romës, madje e cilësuan si një fakt se, turneu ishte i rëndësishëm edhe për shkak të asaj vizite, sa kortezie po aq dhe pune. “Për mua si trajner, është kënaqësi të ndjek ndeshjet e kombëtareve të tjera të Shqipërisë, dhe, siç e kam shprehur gjithmonë dera është e hapur për këdo që e meriton!”. Gjatë një interviste për gazetën, menjëherë pas kthimit nga Italia, trajneri i Kombëtares U-19, Foto Strakosha, tha: “Jemi në vazhdimësi seleksionimesh të disa futbollistëve, përveç atyre që i kishim në dispozicion në eliminatoret e Europianit, ndeshjet e të cilit u luajtën në Vlorë gjatë tetorit të vitit të kaluar. Tetë prej atyre lojtarëve ishin të vitlindjes 1995. Duhet të shikonim edhe futbollistë të tjerë. Qëllimi ynë është që, deri në momentet e fundit, pra fillimit të eliminatoreve të Euro U-19 (2013-2014) të përzgjedhim lojtarët të cilët janë në gjendjen më të mirë të mundshme, për të përfaqësuar ekipin Kombëtar. Pra, kemi filluar të mendojmë që tani”.

Turneu Ndërkombëtar i Romës

Romë, 15-17 janar 2013

15.01.2013

Shqipëri-Rusi   0-1

16.01.2013

Shqipëri-Itali 1-1

Shënues: Gavazaj

17.01.2013

Shqipëri-Greqi 2-0

Shënues: Ymeraj, Vasilidhis (aut.)

Juventusi blen shqiptarin Elvir Maloku

  Pas Elvis Kabashit, një tjetër futbollist shqiptar ka hyrë në familjen e madhe juventine, ekipit me më shumë tituj në Itali. Sulmuesi i ekipit HNK Rijeka, Elvir Maloku është bërë pjesë e Juventusit, pasi i kaloi me sukses provat disaditore. Mediat italiane dhe ato kroate e kanë konfirmuar transferimin e 16 vjeçarit tek ‘Zonja e Vjetër’, ku do t’i bashkohet ekipit të të rinjve. “Juventusi e ka mposhtur konkurrencën e disa klubeve të njohura evropiane, duke e bërë të vetin talentin e Rijekës, Elvir Maloku. Nga sezoni i ardhshëm, trajneri Antonio Conte do ta ketë në dispozicion këtë futbollist me perspektivë”, shkruan e përditshmja italiane “Tuttosport”. Rijeka, klub kroat, është 70 për qind në pronësi të pronarit të Specias në Itali, Gabriele Volpi. Maloku, i cili nuk i ka mbushur ende 17 vjeç, ishte pjesë e ekipit të kadetëve të Rijekës. Paraqitjet e shkëlqyeshme që pati në Kroaci e shpërblyen futbollistin kosovar, i cili ka nënshtetësi kroate. Marrëveshja u arrit falë marrëdhënieve të mira të udhëheqësve të Juventusit me pronarin e Specias, Volpi. Maloku, i cili pritej të provohej në Juventus nga 4 deri më 8 shkurt, ka zhvilluar ndeshje miqësore me njërin nga ekipet e shkollës së futbollit të ekipit italian, ku i ka treguar vlerat e tij dhe i ka bindur “bardhezinjtë” ta mbajnë në Itali. Para se të transferohej në HNK Rijeka në vitin 2011, Maloku kishte luajtur në NK Lokomotiva (2004-2007) dhe NK Stari Grad (2007-2011). Këtë sezon, ngjyrat e Juventusit po i mbron futbollisti i ri shqiptar Elvis Kabashi, i cili e pati mundësinë të ftohet në ekipin e parë dy herë në ndeshje kampionati në Serie A. Në të ardhmen, edhe Maloku mund ta ndjekë rrugën e bashkëkombësit të tij.

Tre lojtarë

Pas Riza Lushtës në kampionateve të viteve 1940, dhe Elvis Kabashit, i cili u ble në merkaton e verës, Elvir Maloku është shqiptari i tretë që do të veshe fanellën e Juventusit.