De Biazi: “Shkolla ‘Nobel’ e një standardi të lartë”

4287
Sigal

Trajneri i Kombëtares: “Është më e mirë se disa shkolla italiane. Do të sjell ekipin për vizitë”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, mbeti i befasuar nga standardi i lartë arsimor i Shkollës Jopublike “Nobel”, gjatë një vizite të pazakonshme të italianit në ambientet e një prej institucioneve shkollore më prestigjioze në kryeqytet dhe më gjerë. Njëshi i bankinës kuqezi u prit me një ceremoni të veçantë dhe mbresëlënëse nga presidenti i shkollës “Nobel”, Mustafa Taçi.

VIZITË E RRALLË- Të hënën, trajneri i Kombëtares shqiptare drejtoi skuadrën mikse të Bashkimit Europian në miqësoren e improvizuar kundër Shqipërisë, në “Kupën e 100-vjetorit të Pavarësisë”, një aktivitet i ideuar nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, bashkatdhetari i tij, Etore Sekui. Mesditën e djeshme, trajneri karizmatik italian ia kushtoi vizitë së shkollës jopublike “Nobel”. “Një standard i lartë arsimor, për tu krijuar mundësinë këtyre fëmijëve dhe nxënësve që të marrin formimin e duhur për të ardhmen e tyre drejtuese”, – tha Xhani De Biazi për mediat. Tekniku i Kombëtares mori një panoramë të plotë informative rreth këtij institucioni arsimor nga vetë presidenti i shkollës “Nobel”, Mustafa Taçi. Një vizitë e De Biazit enkas në një shkollë, e cila ka përcjellë edhe dy matura drejt arsimit të lartë. Pa dyshim, duke njohur natyrën e ngrohtë të De Biazit, tashmë prej një viti në krye të Kombëtares, nuk munguan edhe batutat e nxënësve, të befasuar nga ajo vizitë e rrallë.

VLERËSIMET E TAÇIT – Presidenti i shkollës, Mustafa Taçi, duke nderuar mikun e shquar italian, theksoi se ambientet e pishinës olimpike, të një standardi të lartë ndërkombëtar, janë të hapur gjithmonë dhe në çdo moment për ekipin Kombëtar. “Vizita e trajnerit të kombëtares De Biasi, ndaj të cilit kam një konsideratë të veçantë për punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë duke rinovuar skuadrën, unë i uroj suksese dhe gjithë të mirat në punën e tij për ta çuar Shqipërinë lart e më lart. Portat e shkollës edhe për vetë trajnerin De Biazi janë të hapura, ata janë të mirëpritur në shkollën tonë. Kur të duan u vëmë në dispozicion edhe pishinat që ne disponojmë si shkollë”, u shpreh Presidenti i shkollës “Nobel”, Mustafa Taçi.

STANDARD I LARTË – Tekniku i dytë italian në krye të përfaqësueses sonë, pas aventurës së shkurtër të Xhuzepe Dosenës (2002), veçoi edhe standardin e lartë të gjetur në këtë shkollë ku e renditi edhe më të lartë se sa në disa shkolla italiane. Njëherësh italiani i kombëtares përcolli vlerësimin e tij për nivelin e kushteve të mësimdhënies që konstatoi vetë. “U befasova sinqerisht shumë nga standardet dhe eficenca e këtij institucioni arsimor, nga struktura por dhe nga organizimi i madh që më shpjegoi zoti Taçi, në lidhje me 250 nxënësit që janë prezent si në ciklin 9-vjeçar por edhe në atë 12-vjeçar. Ky staf pedagogjik ka një detyrë shumë të madhe për këta nxënës që nesër do të dalin drejtues në jetë. Me të vërtetë po shoh dhe po konstatoj një standard të admirueshëm, ndoshta edhe shumë më të mirë se shkolla të tjera në Itali”, – u shpreh De Biazi.  Trajneri e la të hapur mundësinë për një vizitë të ekipit Kombëtar shqiptar, pas ftesës së bërë nga presidenti Mustafa Taçi.