De Biasi vazhdon të hajë “koka”, i bën “gjëmën” edhe trajnerit të Armenisë

241
Nëse deklarata e trajnerit të Armenisë para ndeshjes se De Biasi “nuk do të hante kokën e tij”, dukej shumë bindëse, tashmë pas zhvillimeve të fundit nuk është më e tillë, pasi jo më larg se dje trajneri ka dhënë dorëheqjen, duke u larguar kështu 1 vit pas ardhjes në detyrë në krye të kësaj skuadre. Fitorja që mori Shqipëria ishte dyfish humbje për Armeninë, ose më saktë për trajnerin që dukej se ndihej i detyruar që të jepte dorëheqjen, falë edhe rezultateve tepër të dobëta, pasi Armenia ndodhet në vendin e fundit me vetëm një pikë. Në deklaratën zyrtare, ish-trajneri tha për mediat se “erdha në Armeni një vit më parë me objektivin për të kualifikuar skuadrën në Euro 2016. Ishte një sfidë e madhe. Në kontratë ishte theksuar qartë një gjë e tillë sepse ne duhej të grumbullonim sa më shumë pikë për të siguruar kualifikimin. Gjithsesi, tashmë më duhet t’i jap fund kësaj aventure dhe kjo është arsyeja e vërtetë”. Ky largim nuk vjen i çuditshëm për shqiptarët, pasi kujtojmë se për shkak të De Biasit dhe të Kombëtares sonë, kanë dhënë dorëheqjen Bento i Portugalisë, për atë humbje në ndeshjen e parë kualifikuese të Europianit dhe Advokat i Serbisë, pas ndeshjes famëkeqe të Beogradit më 14 tetor. Kjo sigurisht që është një tregues i mirë që ne si skuadër po grumbullojmë, duke u bërë në një farë mënyre edhe “tmerri” i trajnerëve ndërkombëtar, e ku i dihet ndoshta radhën do ta ketë Morten Olsen, trajneri i Danimarkës. 
Shqipërinë me Francën, falë Kombëtares, nuk i ndajnë më 1909 km
Ndeshja që zhvilloi Kombëtarja jonë ndaj Armenisë e tregoi qartë sesa forcë ka ky ekip, duke fituar me kthim rezultati, ndërkohë që e shohim përherë e më afër Francën, jo vetëm 1909 km distancë që kemi, por shumë herë më pak dhe kjo afërsi nuk matet me km në fakt, por me pikë, e deri më tani, nëse i referohemi pikëve, kemi bërë gjysmën e rrugës, që i bie 954.5 km të përfunduara. Se a do të shkojë deri në fund rruga e nisur, kjo nuk dihet por mund të ndihet nga shqisat qoftë “matematikore” apo ato ndijore që tregojnë për një shkurtim distancash me frankofonët, diçka që sigurisht e kemi pritur shumë. Me Kombëtaren po shkojmë në Europë dhe ja përse duhet tu japim një mbështetje të gjerë, që ta vazhdojnë këtë rrugë më 4 shtatorin e ardhshëm me të njëjtin perfeksion që kanë ecur deri më tani. Me Armeninë ishte në tërësi një fitore që vlen në shumë aspekte, në shumë anë dhe dolëm të fituar si asnjëherë tjetër, pasi nga 29 mars, edhe pse nuk duhet të tregohemi euforikë, Franca na duket shumë më afër sesa është, e kjo jo nga euforia por nga vërtetësia dhe nga ajo se çfarë po shohim ditë për ditë, ose më saktë ndeshje pas ndeshjesh. Takimi me Armeninë tregoi shumë më shumë sesa tre pikë të fituara, e disa nga këto “ndryshime” do i parashtrojmë më poshtë:
Shqipëria thyen tabu- Nuk janë të largëta vitet kur Shqipëria bënte ndeshje shumë të mira, luante gjatë gjithë minutave saktë, por që në fund të takimit, pothuaj në ato sekondat e “vdekura” siç njihen, pësonte gol, pësonte duke humbur kështu mundësinë e grumbullimit të pikëve, edhe pse në lojë nuk ishte paraqitur aq keq. Dhe kjo sigurisht që nuk sillte rezultatet e dëshiruara, duke grumbulluar vetëm zhgënjime, paçka se dëshira ishte gjithmonë shumë e madhe. Në kohët që po jetojmë tani, futbolli përfaqësues kombëtar po tregon një rritje shumë të madhe, diçka që vihet re shumë qartë dhe kujtimet i kemi shumë të freskëta, e sigurisht që fitorja ndaj Armenisë ishte e bukur, por nuk do të ishte kaq e bukur nëse nuk do të kishim pësuar. Forca që tregoi ekipi, forca psikologjike, është ndoshta një nga dukuritë që, jo se nuk ka qenë, shpalos një tjetër “bukuri” të kësaj kombëtareje, duke arritur kështu të thyejë edhe tabunë e kthimit të rezultateve.
Tifozët dhe qytetaria- Tifozeri e zjarrtë dhe asgjë më tepër. Janë të rralla kombëtaret që mbështeten ashtu si Kombëtarja Shqiptare, e kjo vjen pikë së pari nga fitoret e skuadrës dhe nga ajo se çfarë përçojnë në mbarë popullsinë shqiptare. Kush e ndoqi ndeshjen vuri re disa detaje, edhe pse nuk mund të quhen shprehimisht kështu, që ndodhën me tifozët në stadium. Në rregull, duhet pranuar, ishin disa “tifozeri”, grupime më saktë, që dukej se nuk kishin ardhur që të mbështesnin Kombëtaren por të krijonin zhurmë dhe shamatë, duke u rrahur dhe ofenduar njëri me tjetrin, emrat e tyre nuk do i japim sepse nuk meritojnë publicitet, qoftë edhe negativ, por publicitet meriton padyshim ana tjetër e tifozëve, ata që për këtë pjesë negative reaguan me fjalët “Turp, turp” dhe “Jashtë, jashtë”, duke u treguar vendin atyre që nuk e kanë në stadium por diku tjetër, e se ku gjithkush ka gjykimin e vet. Por “qershia mbi tortë” e tifozëve dhe reagimi më i bukur më saktë, ndodhi në fakt që në fillim të ndeshjes, atëherë kur po këndohej himni armen dhe një pjesë e vogël turpërisht euforike e tifozëve filluan ta fishkëllenin himnin e miqve, duke krijuar kështu një skenë aspak të hijshme për “mikpritjen” që po ata shprehen se kemi ne si shqiptarë, e shumica dukej sikur e kuptoi këtë gabim foshnjërak dhe filluan ta duartrokisnin himnin deri në fund, disa u lodhën ndoshta sepse ishte shumë i gjatë si himn, por pjesa më e madhe me duartrokitje mbytën fishkëllimat dhe ata “atdhetarët fishkëllyes” e lanë atë punë aq “krenare” dhe “dobiprurëse”. 
Renditja në grupin I
Portugalia 9 pikë
Danimarka 7 pikë
Shqipëri 7 pikë
Serbia* 1 pikë
Armenia 1 pikë
Shënim/ Serbia ka -3 pikë
Ndeshjet e mbetura të Kombëtares në Kualifikueset e EURO 2016:
4 shtator/ Danimarkë – Shqipëri
7 shtator/ Shqipëri- Portugali
8 tetor/ Shqipëri- Serbi
11 tetor/ Armeni – Shqipëri
Shqipëria dhe kualifikimi, statistikat thonë “po”
Paraqitjet e deritanishme të Shqipërisë, në mos kalim direkt në më të mirat e Europës do na japë një vend në play-off, por ashtu siç dihet, rregulli i UEFA-s për këtë pikë, duke qenë se një skuadër do të jetë tek, nisur nga grupi me 5 ekipe, grupi I pra, që jemi ne, do të ketë kualifikim të drejtpërdrejtë për atë ekip të renditur në vendin e tretë në grupin e tij, por në krahasim me çdo vend tjetër të tretë të çdo grupi ka grumbulluar më shumë pikë, e deri më tani Shqipëria renditet në vendin e tretë në grupin e vet, me 7 pikë, por njëkohësisht ka një performancë më të mirë se vendet e treta të grupeve të tjera. Në këtë “renditje” të vendeve të treta, Shqipëria ka një barazi pikësh me Skocinë dhe Hungarinë, ndërkohë që ndjekin me një pikë më pak Zvicra, Norvegjia dhe Ukraina. 
Fitorja e Shqipërisë dhe mediat e huaja, vlerë pozitive për ne
Një fitore e madhe padyshim ajo e Shqipërisë ndaj Armenisë, jo se nuk pritej por nga mënyra se si filloi dhe u zhvillua takimi, e bëri edhe më me vlerë dhe më të gëzueshme për të gjithë. Sigurisht që nuk kemi pse flasim për jehonën që kjo fitore pati në Shqipëri, pasi dihet nga të gjithë duke qenë se u përjetua, ama një sy i hidhet asaj se si e kanë paraqitur mediat e huaja këtë fitore tonën, duke u bërë kështu një nga skuadrat që akoma “nuk e kemi parë humbjen me sy” në këto eliminatore për Euro 2016. Pikë së pari është UEFA ajo që e nis fjalën me titullin
UEFA- Edhe pse nuk futet tek mediat, UEFA meriton të përmendet duke qenë se është institucioni më i lartë i futbollit në Europë, e ndërkohë titulli që ka përdorur është “Shqipëria përmbys kërcënimin Armeni”, duke u bazuar në vijimësinë e takimit.
Mediat armene- Shansi për sukses, por diçka e tillë nuk erdhi. Kështu shprehen armenët që e panë veten afër një fitoreje të madhe, por që në fakt nuk ndodhi ashtu, duke humbur kështu, të paktë nëse ndjekim logjikën, shansin për vendin e tretë, pasi siç shkruajnë edhe mediat vendase, Shqipëria është pothuaj e pakapshme me 6 pikët e avantazhit.
Gazzeta Dello Sport- Bëjnë lojë fjalësh për pasaportën e De Biasit, duke e quajtur italo-shqiptari, nisur nga fakti se tani është edhe shtetas shqiptar, falë pajisjes me 28 mars me pasaportën e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa shprehen se fitorja e Shqipërisë është padyshim një hap më tepër për praninë e këtij ekipi në Francë.
Mediat serbe- Padyshim një nga ekipet që më shumë janë mërzitur për fitoren e Shqipërisë është padyshim Serbia dhe mediat serbe e kanë shfaqur qartazi këtë, duke u tallur në një farë mënyre edhe me kombëtaren e tyre, që ka po aq pikë sa Andorra dhe Gjibraltari, ndërkohë që Shqipëria tashmë quhet thjeshtë e pakapshme, nisur nga diferencat në pikë.