Çudira shqiptare/ Briken Çalja pa trajner në Tokio, vendin e kishte zënë presidenti i federatës

126
Sigal

Për të marrë medalje në Olimpiadë nuk mjafton vetëm të kesh sportistë të zotë, por duhet të funksionojnë të gjitha hallkat. Mirëpo mjafton të shohësh se çfarë ndodhi sot me Briken Çaljen për të kuptuar se ne, Shqipëria pra, bën çudira edhe në sport.

Briken Çalja, i cili u rendit i katërti në botë dhe humbi vendin në podium vetëm për një kilogram, nuk ishte i shoqëruar këtë kompeticion nga trajneri i tij Gerald Toska. Vendin e tij e kishte zënë presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza. Me gjithë respektin për këtë të fundit, sepse edhe ai dikur ka qenë shtangist, kompeticione të tilla kërkojnë seriozitet dhe përkushtim, jo vetëm presidentin e federatës që i fërkon shpatullat dhe kokën sportistit pas garës…

Shqipëria mirë që nuk ka psikolog me vete dhe është e kufizuar në shumë detaje të tjera, por të paktën sportistët elitarë, ata që garojnë për medalje, duhet të kenë edhe trajnerin e tyre personal. Fundja është edhe çështje psikologjike për sportistin. Prania e trajnerit që e ka stërvitur tërë kohën sportistin dhe njeh avantazhet e dobësitë e tij, është thelbësore në gara të tilla. Vendet e tjera shkojnë me staf të zgjeruar me qëllim që sportistët e tyre të marrin më të mirën, ndërsa tek ne në vend të trajnerit shkon presidenti i federatës. Unike! Dhe nuk është rasti i vetëm…

E njëjta gjë edhe me atletikën, ku Gjergj Ruli është edhe presidenti i federatës edhe trajneri i Izmir Smajlajt. Imagjinoni pak që Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova të mos kishin në Olimpiadë trajnerin e tyre Driton Kuka…! E pamendueshme! Pastaj fillojmë të kërkojmë “fajtorin” tek gjërat e tjera…

Edhe sot nuk është bërë publik nga Komiteti Olimpik Shqiptar lista e delegacionit që kanë udhëtuar në olimpiadën e Tokios, megjithëse gazeta “Panorama Sport” prej disa ditësh ka kërkuar në rrugë zyrtare listën e plotë të delegacionit që ka udhëtuar drejt Japonisë.