Baroni i drogës rreh me shpulla drejtorin e Albpetrol për një tender

429
Sigal

Fieri është kthyer në një zonë krimi. Muajt e fundit, lufta mes grupeve mafioze që kontrollojnë Bashkinë e Fierit, oligarkëve, disa deputetëve dhe zyrtarëve të korruptuar lokalë, ka nisur të dalë jashtë kontrollit. Lufta mes klaneve po mbahej e maskuar deri ditën kur deputeti Petro Koçi, pjesë e klaneve për pushtet, tendera dhe influencë në Fier, deklaroi se bosët e drogës po pastronin paratë e pista me tendera. Me këtë mesazh, Petro Koçi goditi kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, duke akuzuar si të kapur nga krimi. Në fakt, që Armando Subashi është një ‘lolo’ në duart grupeve mafioze në Fier, që bën letrat e tenderave për bosët e drogës, që e ka kthyer bashkinë në qendrën e organizatave kriminale, kjo është e vërtetë, por nuk është e vërteta e plotë.

Pjesa tjetër e së vërtetës është se Subashi, i rreshtuar me krahun e drogës, ka përballë krahun e korrupsionit. Petro Koçi dhe bajlozi i madh i korrupsionit Baftjar Zeqaj, në bashkëpunim me segmente mediatike, luftojnë gjithashtu për të kapur ndonjë ‘llokmë’ nga pushteti në Fier.

Klani i Koçit dhe Zeqajt e shohin veten jashtë loje. Zeqaj dhe Koçi kontrollojnë vetëm një pjesë të pushtetit, konkretisht kompaninë Albpetrol, përmes drejtorit të ri Flamur Mato. Por, edhe për Albpetrol po zhvillohet në një luftë e egër. Drejtori kontrollohet nga klani i Petros dhe Zeqajt, por tenderat i duan kokat e krimit. Ditët e fundit, administratori i Albpetrol, Flamur Mato, është rrahur me shpulla nga një ushtar i njërit prej baronëve të drogës në Fier. Flamur Mato, viktimë e luftës mes klaneve në Fier, është rrahur publikisht dhe për të dhënë një mesazh.

Baroni i drogës, i cili u ka shpëtuar ekstradimeve dhe veprimit të drejtësisë në Shqipëri, kishte urdhëruar Maton për t’i dhënë një tender me vlerë të madhe njërës prej kompanive që kontrollohet nga kokat e krimit. Mato, nën presionin e klanit Zeqaj kishte bërë rezistencë. Në këto rrethana ka ardhur edhe reagimi i kapos së trafiqeve të drogës, duke rrahur Maton.

Në rrethet politike dhe mediatike thuhet se në të njëjtën formë është rrahur më parë edhe kryetari i bashkisë, para se të dorëzonte përfundimisht bashkinë në duart e mafies.

Rrahja e Matos ka derdhur kupën. Pas rrahjes së Matos, Petro Koçi reagoi publikisht, duke i dhënë një mesazh SPAK-ut. Pas mesazhit të Koçit, në mes hynë faktorë të tjerë, për të arritur një pakt, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë dhe pa kosto. Petro Koçi tentoi ta tërhiqte mesazhin, por ndërkohë kishte pushtuar mediat. Çështja e Fierit sot ka marrë përmasa të mëdha dhe nuk dihet rrjedha e saj. SPAK ka thirrur Petro Koçin për të dëshmuar. Sipas burimeve, Petro Koçi nuk ka rrëfyer të vërtetën e përplasjeve mes klaneve në Fier, por ndërkohë SPAK mësohet se ka nisur sekuestrimin e dosjeve të tenderave./Pamfleti