Bujar Qesja: Asllan Kasa, luani i përkushtimit dhe i humanizmit

41
Sigal

-61 vite i është falur sporteve dhe 1 milion vizitave

Shkrimtar i 50 veprave letraro artistike

-Jeta e thjeshtë, por e ngarkuar e një njeriu të rrallë

-Aftësia dhe profesionalizmi e kalojnë imagjinatën

-Dy herë në gjëndje të rëndë shendetësore, por Zoti e ka në ruajtje

-Mburrja jo vetëm e Shijakut dhe Durrësit, por e tërë Shqipërisë

-Veprimtaria shumë itensive, nuk ndalet

-Shpërblimi më i mirë: mirënjohja dhe respekti i popullit

-Puna e tij e jashtëzakonshme, gjithnjë shpresë dhe terapi për njerëzit

 

Nga BUJAR QESJA

Më në fund ndalem tek Asllan Kasa. Ka disa gjëra që përkojnë në perfeksion. Asllan do të thotë luan. Dhe luani është simbol i qendresës. Horoskopi ka shenjën e luanit. Mjaft njerëzve, u vihet emri luan. Simbolet e avantazhojnë këtë emër, kur bëhet fjalë ta zemë “lufton si luan”, “qendron si luan”, “u përball si luan”, “ai është një luan i vërtetë”, ‘luanët nuk mposhten”, e mund të vazhdoj gjatë kështu. Gjithçka këtu luan me një emër. Edhe ai luan është, jo mbret i kafshëve, por mbret i njerëzve në nevojë, që kërkojnë derman, shërim dhe shërbim. Dhe ky luan është në sinonimin tjetër, Asllan. Dhe lapsi im, i dorëzohet 81 vjeçarit Asllan Kasa. Mendimi vërtitet dhe përqendrohet tanimë plotësisht tek Asllan Kasa. Vëmëndja ime është ulur këmbëkryq dhe është në zhbirilim të plotë për atë punë që ka kryer në këtë jetë, luani ynë Asllan Kasa.

Njihem me Llonin, shkurtimi i emrit të tij sipas varjantit të të folmes së Shqipërisë së Mesme, prej herësh. Në kohë të ndryshme kam hedhur rradhë, por jo të përqëndrohesha kësisoj. Për raste të veçanta jam ndalur dhe kaq. Vitet kalonin dhe Asllan Kasa, apo Luani i Kasajve, e rrit kilometrazhin e shpejtësisë së punës. Janë të rrallë njerëz si ky shijakas magjistar dhe margaritar i punëve, që ta nisin ditën me sulm, e ta sosin në mbrëmje sërish me sulm. Mëndja dhe fiziku i tij tërë kohës, në pushtetin e jetës aktive. Zoti që kur e krijoi këtë njeri, apo supernjeri e ka spostuar veç dhe diç ka folur me të. Nuk është e nevojshme të pyes Llonin se çfarë  është thënë. Sepse vetë puna dhe jeta i këtij njeriu, është teksti i plotë i asaj që i është folur.

Asllan Kasa që kur është ngjizur në bark të nënës, u trajtua si një engjëll. Ai u lind për punë të mira, për mbarësi, për ti sjell fat njerëzisë, për t’u mos u lodhur asnjëherë dhe për të shërbyer kurdoherë. I pesti nga tetë fëmijët, e pa dritën e diellit me 8 janar të viti 1943. E në këtë 8 janar të vitit 2024, ky Asllan Kasa është në 81 vjetorin e lindjes. Jetë reativisht e gjatë, jetë e cila pret të shtohet me përvjetorë të tjerë. Lloni punon, e punon vazhdimisht. Njerëzve u zgjidhet, apo i zbutet halli. Dhe këtë e bën ky zotni i rrallë, ta quajmë si ta duam i mjeksisë popullore, i mjeksisë profesioniste, i mjeksisë përshtatëse, autodidakte të pasuruar me njohuri dhe kulturë të kohës. E mund të vazhdonim më gjatë me etiketime. Ai nuk vuan nga këto. Si gjerdan i florinjtë qendron më parë në zemër se në gjoksin e tij, fjala humanizëm dhe për ta bërë më të prekshme dhe më të kapshme për lexuesin, detyrohem ta ndaj në rrokje hu-ma-ni-zëm. Kjo është armë më e fuqishme, i këtij luani të fortë gjithnjë shpresë për njerëzit.

E zuri jetën në fillim si teknik nafte. Një e dhënë që as e dinim që e kishte, kundrejt që ai bëri më pas në këtë jetë aktive. E caktuan të punojë në minierën e Bulqizës. As diskutohet që shkoi. Por a folëm qëpar për Zotin? Pra Asllan Kasa ishte taksur për gjë tjetër. Kur ishte fëmijë, e kur shikonte që shokët coptoheshin e gjakoseshin duke luajtur, eh Asllan Kasa kryente detyrën e shëruesit. Zemër e madhe që atëherë, në fizikun e një vogëlushi. Përfytyrojeni sa e madhe është tani zemra e Asllan Kasës, kur që nga ajo kohë kanë kaluar 67 vite.

Çfarë personazhi ka kapur lapsi im? Sa madhështor, aq i thjeshtë. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë rritet në emër, në vlera, në karatë pune ky njeri i mrekullive. E kam njohur nga afër, aq sa njoha futbollin e “Lokomotivës”. Unë me laps, e Lloni me duart dhe mëndjen qiqër për ti shërbyer futbollit të Durrësit, pa interes, pa fitim, pa para. Dhe vinte nga Shijaku çdo ditë, pasi kryente e kryente punë të ndryshme, në dobi të njerëzve shumica të varfër, pa mëbshtetje e pa kacidhe në xhepa.

Duhet të jesh Llon Kasa, duhet të quhesh Luan Kasa që të bësh kryevepra njerëzore, të cilat quhen të tilla vetëm kur u jep njerëzve shërbesat e tua, me urdhërin e zemrës dhe të shpirtit të një humanisti pa cak, që nuk i mbaron e mira, apo që mund t’i soset bashkë me finishin  e jetës së tij.

Para se të futesh tek ura e famshme e Shijakut, ku kënga e vazhdon “mblodha ca bajoma”, në krahun e djathtë teksa devijon nga rruga kryesore, rrugica të çon tek dera e famshme e të famshmit Asllan Kasa. Klinika e tij private. E paisur me gjithçka duhet. Ka investuar ky pasha i bamirësisë dhe i humanzimit. Ka marrë çfarë duhet e si duhet. Dhe klinika e tij është plot. Nuk njeh moshë. Janë të çdo natyre. Burra dhe gra, të rinj e të reja, fëmijë të vegjël, të moshuar, të huaj apo shqiptarë, durrsakë, shijakas apo të ardhur të tjerë.

Dhe u shërben me shumë sportivitet, i pandryshuar nga vitet që e kam njohur tek “Lokomotiva”. Mbase emri “Lokomotiva”, e bëri Llon Kasën të bëhet si një lokomotivë e vërtetë, me motorra të fuqishëm zemrën dhe shpirtin e tij të pastër kristal, si ujrat e Valbonës. E mbajti futbollin e Durrësit, nga viti 1967 e deri në vitin 1993. Sa lezet kishte vrapimi i Kasës, kur dëmtohej një futbollist! Sa siguri jepnin duart e tij, që lëviznin nga turbinat e fuqishme të montuar po në zemrën dhe shpirtin e tij! Llon Kasa kishte brenda vetes klinikë, në daç edhe spital quaje. Aq siguri të jepte, aq aftësi manifestonte, aq garanci i kishte puna.

Se mos vetëm tek Durrësi punoi Llon Kasa? Ekipet e Shijakut, të Peqinit, të Kavajës, të Krujës, Dinamos e mbase edhe të tjera, e kanë provuar dhe shijuar punën e shijakasit. Para se t’i futej këtij zanati, Kasa mbaroi shkollën e mesme mjeksore. Por dashuronte edhe profesionin e gjeologut. Filloi studimet në fakultetin e gjeologjisë. Por rrisku ishte ndarë gjetiu. Ndryshoi studimet nga shtresat e tokës, tek anatomia e njeriut. Kthesa 360 gradë. Dhe Llon Kasa tërë kohën ka mbetur njeri i kthesave të mëdha, të kthesave që i dhanë emër dhe nam në të katër anët. Dhe ai meritonte gjithçka, pasi sakrifikonte dhe përkushtohesh përgjithçka. Mbaroi Universitetin e Sporteve dhe dyert e karierës u hapën katër kanatash.

Nga klubet shqiptare të futbollit, ky luan i masazhit dhe i fizioterapisë kalon në klubin e njohur turk të Gençlerbirligisë. Gati 10 vite aty. Manazhoi mjaft mirë edhe disa talente të futbollit shqiptar si Erion Bogdani, Bledar Mancaku e ndonjë tjetër. U bë edhe shtetas turk. Mësoi edhe gjuhën turke. Por ndërkohë ky Asllan i florinjtë nga duart dhe i artë nga mëndja, nuk iu nda ekipit kombëtar të futbollit. I domosdoshëm edhe këtu. Shkëlqeu edhe më shumë. Janë me qindra raste që flasin në favorin e rritjes së emrit dhe të famës, dëmtime menisku dhe këputje ligamenti, fraktura të ndryshme në kokë, në trup, në duar dhe në këmbë. Dhe të gjitha këto i zgjidhte ai dhe vetëm ai, Asllani luani i Kasajve.

Por Lloni është marrë në rininë studentore me sport. Ka qenë atlet i aftë. Luajti edhe futboll dhe volejboll. Dhe iu përkushtua atyre më pas në rolin e doktorit, duke e merituar edhe këtë titull. Diplomën ja dha puna. Vulën dhe firmën ia dhanë njerëzit, të cilët ishin të favorizuar nga këto shërbime. Punoi në disa shkolla në Shijak. E më pas ngriti “çadrën” mjeksore, në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës. Aty lulëzoi profesionalisht. E ktheu kabinetin e tij në të mirfilltë mjeksor. Dhe vinin nga i gjithë vendi. Tërë jetën Asllan Kasa e ktheu në kabinet gjigand mjeksor, si në shkollë, si në shtëpi, si në klubet ku punoi, si në ekipin kombëtar. Veprimtaria e tij shumë planëshe dhe shumë itensive, u kthye në akademi, ku jepeshin leksione praktike për më të rinjtë dhe ku i shërbehej me humanizëm dhe profesionalizëm një populli të tërë.

Prandaj edhe është luan Asllan Kasa. Prandaj edhe njerëzit e duan luanin e tyre, pasi ai i “kafshon” të keqen dhe u fal të mirën, të dobishmen, të duhurën, të kërkuarën, atë që veç mirë bën. Nga futbolli i kombëtares, tek kombëtaret e gjimnastikës, peshëngritjes, volejbollit, basketbollit e të tjera ekipe. Të gjithë duan shërbimet e këtij floriri të mjeksisë sportive. Përvoja e Asllan Kasës shtrihet edhe tek yjet e futbollit Van Basten, Shevçenko, Lorik Cana, Foto Strakosha, Hamdi Salihi, Erion Bogdani, Altin Rraklli, gjimnastja Mimoza Risto etj.

A mund të numërohen pacientët e tij, të planifikuar dhe jo të tillë? Ekziston regjistri i Kasës në këtë rast. Janë kaluar 900 mijë vizita, shërbime dhe kartelizime. Me siguri këtu nuk mund të renditen, me qindra raste të tjera sporadike të ndodhura në fushat sportive apo në urgjencat e momentit. Shifrat lëvizin pandërprerë, ashtu sikundër nuk ndalet puna e Asllan Kasës.

Shkrimi po shtohet në rradhë, ashtu sikundër shtohet edhe gama e gjëra e asaj që ka bërë ky 81 vjeçar në këtë segment kohor. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo tablo e ngjeshur, e ngarkesave të pazakonta në angazhimet e një njeriu, Asllan Kasa çfaqet me kostumin tërheqës të shkrimtarit. Dhe çfarë prodhimtarie edhe këtu? Janë botuar mbi 50 libra. Lëvrimi është në të gjitha fushat, pa sposutar asnjë gjini krijuese. Pena e Asllan Kasës, këtij doktori me diplomën e jetës dhe të punës aktive dhe itensive, ka prekur romanin, dramën, komedinë, humorin, poezinë, tregimet satirike, novelat, tregimet, përrallat, rrëfenjat, esset për të gjitha moshat.

Dhurata më e çmuar kur u takuam me 21 shtator 2023, ishte një çantë e madhe me libra. Të gjitha dedikuar një miku të hershëm të gazetarisë, me shkrimin tërheqës si vetë krijimtaria e tij:

-Bujarit, në shenjë mirnjohje dhe respekti, për shërbimet që i bën komunitetit!

Asllan Kasa.

Kujtime dhe dhurata më të bukura, nuk mund të bëhen. Ku e gjen kohën? Ku e gjen gjithë këtë vullnet? Ku e ka të fshehur tërë këtë pasion? Sa e mbarë paska qenë dita e 8 janarit 1943 për familjen Kasa, kur ka lindur ky djalë i artë i Shijakut dhe jo vetëm. E do mjek, apo ndihmës mjek? E do masazhator, apo fizioterapist? E do ortoped, apo kirurg të kockovae? E do studiues, apo përdorues në praktikë të njohurive? E do këshilltar, konsulent, apo “skllav” të krijimtarisë letraro artistike? E do të punës, apo edhe të zbatimit të dëshirave të miqve dhe të shokëve në humor dhe në gëzime? Retorika e këtyre pyetjeve nuk ndalet, ashtu sikur nuk ka ndërmënd të ndalet ora e pamatur e punëve të ngjeshura të Asllan Kasës.

I ka fituar të gjithë titujt e mundshëm. “Mjeshtër i Madh”, Urdhërat “Naim Frashëri”, Urdhëri “Nënë Tereza”, “Qytetar Nderi i Shijakut”, “Mirënjohja e qytetit të Durrësit”,” Ambasadori i Paqes”, “Mirënjohja e Federatës Shqiptare të Futbollit”. Edhe kur u ndodh në Turqi, ka merituar shumë tituj dhe vlerësime. Por dekoratën më të madhe, titullin më të madh ja kanë dhënë shqiptarët dhe jo vetëm, duke e trajtuar si humanistin dhe fisnikun më të madh të tyre.

Prind i rrallë. Bashkshort si ai. Gjyshi i djegur për nipërit dhe mbesat. Mik i veçantë dhe shok i preferuar. Qytetar ekselenc i Shijakut të zemrës. Ky Asllan, me sinonimin e luanit u takon të gjithëve, prandaj dhe çmohet e respektohet nga të gjithë.

Asllan Kasa 81 vjeç. Kuotë inkurajuese jetësore. Energjitë jo vetëm nuk i shteren por vazhdojnë të burojnë nga fiziku i fortë dhe gjenerues vlerash. 90-tat janë më afër dhe deri tek shekulli, duhen edhe pak vite. Jam i sigurtë që ky Kasë kështu, as ka për të lëvizuar.

Me çantën në dorë, ku ka vendosur “magjinë e tij të punëve, shikohet të lëvizë anekënd Durrësit, Shijakut dhe më gjërë. Dera e klinikës mbetet gjithnjë e hapur. Mjekon, operon, lexon, krijon, shkruan, boton dhe lëviz pa pushim. Kaloi kovid dhe ndërhyrje serioze në zemër. Mbijetoi. Urata popullore, do ta ruaj gjithnjë këtë njeri të rrallë të punëve të mbara dhe fisnike. Njerëzit e duan edhe për shumë kohë pranë vetes. Dhe ai sigurisht do të jetë.

Asllan Kasa! Jeta vazhdon.