Bogdani: “Siena, për ty jam gjithmonë gati!”

442
Sigal

Sulmuesi shqiptar i Sienës: “Dua t’i ofroj përvojë skuadrës sime. Mund t’ia dalim në Parma!”

Sulmuesi shqiptar i Sienës, Erjon Bogdani duket se do të marrë një rol protagonisti në përballjen kundër Parmës, takim që do të luhet të dielën e ardhshme. Duke folur për gazetarët italianë, “Er-Bomber” tha se, suksesi i arritur kundër Xhenoas ishte shumë i rëndësishëm. “E kishim shumë të nevojshme pas humbjes me Kaljarin”, – tha Bogdani, i cili pikërisht në atë takim shënoi dhe golin e parë të tij sezonal.

– Bogdani, të dielën mbërritën tri pikë për skuadrën, kjo ishte gjëja kryesore apo jo?

– Po, ishte shumë e rëndësishme të fitonim. Në pjesën e dytë, pas golit, vuajtëm, por ishte gjë normale, sepse nuk qemë në momentin më të mirë psikologjik, pas humbjes me Kaljarin. Na duhej një përgjigje dhe erdhi.

– A mendon se këtu ka ndikuar grumbullimi i skuadrës?

– Pas Kaljarit, bëmë një udhëtim të gjatë dhe ktheheshim nga një humbje. Ndaj ishte e drejtë të pushonim e të grumbullonim forcat, përveçse duhej të përgatiteshim për ndeshjen e radhës, duke menduar edhe për dy të skualifikuarit. Për mua, nuk është se ka ndonjë ndikim të madh. Sidoqoftë, përshtatem. Nuk jam unë ai që vendos, por klubi dhe trajneri.

– Kohët e fundit po gjeni më tepër hapësirë…

– Unë jam lojtar që dua t’i ofroj përvojë skuadrës në çdo moment që të më kërkohet. Jam stërvitur gjithmonë për të qenë në dispozicion të trajnerit dhe shoqërisë. Tani jam i kënaqur që kam gjetur hapësirë, por, si unë, ashtu edhe të gjithë shokët, duam të luajmë dhe e dimë se duhet të jemi gati në çdo moment.

– Erjon, çfarë i mungon Sienës në fazën sulmuese?

– Sipas meje, jemi paraqitur përherë mirë. Në pjesën e parë krijuam disa raste, por nuk i shfrytëzuam. Për këtë arsye besoj se nuk kemi mangësi në fazën sulmuese, duke parë edhe atë çka bëri Xhenoa. Kampionati i këtij viti është shumë i ekuilibruar dhe vështirësitë për të dalë në lojë më duken gjë e zakonshme dhe te të gjitha skuadrat. Duke u rikthyer tek e diela, ndeshja nuk ishte e lehtë dhe besoj se zhvilluam lojë të ekuilibruar, arritëm të merrnim tri pikët, u mbrojtëm mirë.

– Siena luan më mirë me dy sulmues, apo me një qendërsulmues e dy gjysmësulmues?

– Kjo varet nga rrethanat. Të dielën, në pjesën e parë, nuk ishim keq me një sulmues të vetëm, por edhe në pjesën e dytë u treguam të zotë për të ushtruar presion dhe e gjetëm menjëherë golin. Pastaj edhe unë luajta shumë i tërhequr, duke u kthyer edhe në mbrojtje. Varet shumë edhe nga skuadra që kemi përballë dhe nga mënyra se si shkon ndeshja.

– Të dielën do të luani në Parma, çfarë ndeshje pret?

– Me kthimin e lojtarëve të skualifikuar, unë mendoj se kemi një skuadër të mirë. Pastaj, çdo ndeshje është histori më vete. Pas fitores me Xhenoan duhet të stërvitemi mirë e të përgatitemi në maksimum për ndeshjen me Parmën. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, nëse arrijmë të godasim, edhe renditja jonë do të përmirësohej shumë.

ISH-TRAJNERI AKUZON UJKANIN: “GABOI NË GOLIN E DYTË”

Një Palermo e lodhur, e shoqëruar edhe me një gafë të Samir Ujkanit dhe mbrojtësit Munjoz, në humbjen 4-1 me Romën. Ky është konkluzioni i ish-trajnerit të siçilianëve, Delio Rosit. Ujkani u akuzua haptazi për përgjegjësi në pësimin e golit të dytë të Romës, të realizuar nga Pablo Osvaldo (31′, 2-0). “Ai top nuk duhet të mbërrinte në zonë. Pozicioni i mbrojtësve të Palermos ishte i gabuar. Mjaftonte që ata të ishin një metër më përpara dhe sipas meje, Ujkani nuk do të kishte pasur atë vështirësi. Mbrojtja e Palermos bëri një gabim të madh, nuk ishte vendosur. Nuk është më ajo Palermo që kisha unë, nuk është më”. Trajneri aktual i Palermos, Gasperini e komentoi kështu pësimin e golit të dytë dhe pyetjen se kush ishte fajtor, Ujkani apo Munjoz?: “Ishte një defekt i komunikimit, Munjoz dëshironte të mbronte daljen e portierit (Ujkanit), por përkundrazi e lexoi keq atë, e përsëris, ishte një defekt i komunikimit midis të dyve”.

ZBULOHET SHARJA VULGARE E EDGAR ÇANIT

Mediat polake kanë publikuar sharjen e rëndë që, sulmuesi shqiptar i Polonia Varshavës, Edgar Çani, ia ka adresuar trajnerit të tij, pikërisht dhjetë ditë më parë në sherrin e famshëm që pati me të në fund të ndeshjes me Belçatovin. Sharja i kushtoi lojtarit të përfaqësueses sonë fillimisht zbritjen demonstrative nga autobusi i skuadrës dhe më pas edhe largimin nga skuadra e parë, te ajo e të rinjve dhe nxjerrjen në tregun e shitjes. “Spierdalaj”, fjalë të cilën sigurisht që polakët e kishin maskuar me tri pika në një pjesë të saj ka kuptimin “mos më çaj k… ” në shqip. Zbulimi është bërë siç duket nga një prej lojtarëve të skuadrës që është kujdesur t’ia thotë njërës prej gazetave dhe më pas ajo është shpërndarë menjëherë në të gjitha mediat e tjera.