Bledi Kadiu: Me Butrintin, vlerësim si një finale që duhet ta fitojmë

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Kukësit, Bledi Kadiu, ka besim te skuadra për ta mundur kundërshtarin

Agron KAJA

NOA

Kampionati kombëtar i Kategorisë së Parë 2025-2026 e ka ulur siparin e tij, por jo verdiktin e fundit të sezonit. Rregullorja e garës është treguar korrekte ndaj dy skuadrave ballshiote. Bylis zbriti nga Superiorja dhe do të luajë në Kategorinë e Parë, ndërsa Bylis B që u ngjit në Kategorinë e Parë duhet të rikthehet në të Dytën. Nisur nga ky rast, skuadra e Kukësit që u eliminua nga Bylis B në Play-out, do të luajë një tjetër finale, këtë herë me Butrintin si skuadër e Kategorisë së Dytë. Dhe te skuadra kuksiane i kanë nisur përgatitjet për përballjen e datës 28 maj, ku trajneri i verilindorëve Bledi Kadiu, dje tregoi për gazetën “Telegraf” të gjitha përgatitjet për ta fituar këtë sfidë. “Nuk e kishim menduar këtë situatë, kjo na risolli aty ku duhet të ishim, jo të zbrisnim. Kur e morra drejtimin e Kukësit, skuadra kishte 9 pikë, por duke ecur me ekipin e arritëm mundësinë që edhe Play-out-in ta shmangnim. Gjithsesi, sot jemi në këtë situatë pas së cilës do të uroja të mos kemi fatin si me Bylisin, ku pësuam gol në minutat e fundit dhe humbëm penallti në minutën e 120-të”, kështu e nisi dje bisedën trajneri Bledi Kadiu, i cili më pas tregoi edhe situatën te skuadra që ai drejton, njëherësh edhe synimin për ndeshjen me Butrintin. “Nuk e kishim menduar, por duke e vlerësuar këtë situatë, besojmë se është një mundësi për Kukësin për të qënë pjesë e Kategorisë së Parë. Na çuditi fakti që ndeshja me Butrintin u la për t’u luajtur në datën 28 maj, shumë larg. Skuadra sarandiote ishte shpërndarë dhe kërkoi më shumë kohë përgatitore, ndërsa kemi mësuar se po mbledh lojtarë për këtë ndeshje. Nga ana jonë jemi munduar ta plotësojmë këtë hapësirë përgatitore me stërvitje dhe ndeshje miqësore. Të shtunën e kaluar luajtëm me Dinamo B, ku edhe pamë gjëndjen e lojtarëve. Situata është e mirë dhe të gjithë futbollistët po e presin me sportivitet këtë sfidë”. Për teknikun korçar kjo është si një finale. “Është një finale që do ja dalim. Po ta them që tani se e kemi të fituar, e nënvleftësoj kundërshtarin. Së bashku me ekipin, e vlerësojmë si një finale ku duhet t’ia dalim. Episodet dhe fati duhet të bëjnë diferencën në favorin tonë”, ishte kjo biseda me trajnerin e Kukësit, Bledi Kadiu.

Lamtumira zyrtare e Silvinjos dhe stafit të tij: Faleminderit!

Dje në mesditë u zhvillua ceremonia e lamtumirës, për ish-trajnerin e Kombëtares Silvinjo dhe stafin e tij Doriva dhe Zabaleta. Presidenti i FSHF-së Armand Duka u tregua i emocionuar që në nisje të saj: “Ju falënderoj për kontributin tuaj në futbollin shqiptar”, u shpreh kreu i FSHF-së, i cili më pas tregoi edhe konsideratat e tjera zyrtare. “Jemi sot (dje), për të falenderuar kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, simboli i futbollit shqiptar dhe i të gjithë shqiptarëve. Gjatë tre viteve, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta kanë dhënë kontribut maksimal, kanë përjetuar momente të bukura, jo vetëm në rezultate. Ajo që mbetet është edhe dinjiteti me të cilin ata kanë përfaqësuar fanellën shqiptare. Përkushtimi me të cilin ata kanë punuar gjatë këtyre viteve dhe në fund të fundit mbetet miqësia dhe dashuria jonë”, shkruhej ndër të tjera dje në portalin Neësport.al.

Një foto pa fjalë, me shumë të veçanta!

Në 24 vite që Armand Duka është në krye të FSHF-së si President, nuk kishte ndodhur të bëheshin bashkë trajnerët e Kombëtares për t’ia lënë stafetën njëri-tjetrit. Kjo ishte një nga të veçantat e prezantimit të Maran ditën e martë, pas largimit të Silvinjos nga stoli i Kombëtares. Tregues që shpreh pjekurinë dhe evolimin e trajningut në futbollin shqiptar. Fjalët e zemrës nga Silvinjo mund të jenë edhe pikë orientimi për trajnerin Maran, i cili në këtë foto duket sikur mediton fundin e tij në të tilla momente përqafimi.

Naxhi Shensoi largohet si fitues, përshëndetet me Laçin

Pas disa muajsh bashkëpunimi dhe emocionesh, dje skuadra e Laçit dhe trajneri Naxhi Shensoj kanë vendosur ta mbyllin zyrtarisht bashkëpunimin. Vendim ky që ishte paralajmëruar nga vetë trajneri, i cili para përfundimit të sezonit deklaronte se kishte ardhur vetëm për t’i dhënë një dorë klubit në realizimin e objektivit për rikthim në Superiore. Drejtuesit e klubit pritet të nisin kërkimet për trajnerin e ri.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026       

PAS VENDIMIT TË FSHF

E enjte, 28 maj 2026

Kukësi-Butrinti                       15:00

(Fituesi në Kategorinë e Parë)

RENDITJA PËRFUNDIMTARE

Skuadrat                    Nd       P

1.Laçi                          33        79

2.Skënderbeu              33        77

———————————–

3.Pogradeci                 33        68

4.Iliria                          33        45

5.Besa                         33        39

6.Kastrioti                   33        39

———————————–

7.Burreli                      33        37

8.Korabi                      33        36

———————————–

9.AF Luftëtari             33        34

10.Kukësi                    33        31

———————————–

11.Apolonia                33        28

12.Lushnja                  33        26

 

Braziliani Kordiero largohet nga Besa

Nëpërmjet një falenderimi në rrjetet sociale, dje braziliani Uilliam Kordiero u largua nga Besa. “Fundi i një epoke! Një tjetër sezoni i erdhi fundi. Unë dua të falënderoj klubin, presidentin Bizhdili dhe drejtori Romeo, trajnerët dhe lojtarët. Largohem nga këtu me mirënjohje dhe respekt për këtë institucion. Faleminderit”.

Verdiktet ende të papërfunduara, sezoni 2025-2026

# Laçi kampion, Skënderbeu nënkampion

#Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti në Play-off

Ndeshjet: Pogradeci-Kastrioti 3-0 dhe Iliria-Besa 0-2

Ndeshja finale: Pogradeci-Besa 1-0

Ndeshja për Superiore: Teuta-Pogradeci 1-0

 

#AF Luftëtari dhe Kukësi në Play-out

Ndeshjet: AF Luftëtari-Sopoti 1-1 dhe Kukësi-Bylis B 1-1

Sopoti në Kategorinë e Parë, Bylis B në Kategorinë e Dytë

Kukësi-Butrinti, finale për Kategorinë e Parë (28 maj)

#Apolonia dhe Lushnja zbritën në Kategorinë e Dytë