Bindja e Klodian Duros: “Fitojmë me Norvegjinë!”

560
Sigal

Lojtari i dytë me më shumë ndeshje me Kombëtaren “vari këpucët në gozhdë”: “Në 17 vjet fitova 10 trofe. Tani do të bëj trajnerin”

Pas 18 vitesh në futbollin profesionist në nivel klubesh dhe një karriere prej 78 ndeshjesh me ekipin Kombëtar (për një periudhë 11-vjeçare), Klodian Duro, një nga lojtarët më të spikatur të futbollit shqiptar dhe që ka veshur fanellat e 8 ekipeve në Europë, vendosi të “varë këpucët në gozhdë”, në moshën 35-vjeçare. “Vjen një moment, kur duhet ta marrësh patjetër këtë vendim, por kur i bëj një bilanc gjithë karrierës sime futbollistike, atëherë ndihem me të vërtetë krenar për atë që kam dhënë në fushë dhe kënaqësinë që kam marrë prej saj, me dhjetë trofe të koleksionuara, – tha Duro për gazetën “Telegraf”. Mesfushori polivalent i Kombëtares (lojtari i dytë më më shumë ndeshje me Kuqezinjtë), ka luajtur me katër ekipe në Shqipëri: Elbasanin, Tiranën, Vllazninë dhe Partizanin, teksa ka koleksionuar në total 9 trofe (midis tyre 3 kampionate), ndërkohë që ka luajtur në Turqi, Gjermani, Qipro dhe Austri. 12 gola ndërkombëtarë janë një tjetër pasuri e tij, ku spikasin gjashtë të tillë me Kuqezinjtë, të shënuar pikërisht ndaj Rusisë, Bullgarisë, Bosnjës, Maltës dhe Qipros, teksa ka ndërtuar edhe disa të tjerë për shokët e ekipit. Në ekipin Përfaqësues, Klodiani ka punuar me trajnerët Medin Zhega, Sulejman Demollari, Xhuzepe Dosena, Hans-Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe. Goli i tij i fundit me Kombëtaren është ai në barazimin 1-1, në ndeshjen kundër Bosnjës në “Qemal Stafa” (7 tetor 2010), por me trajnerin kroat Josip Kuzhe që e ndoqi nga një dhomë e Spitalit Amerikan, ku ai ishte shtruar pas hemorragjisë cerebrale.

 – Klodian, pas 17 vitesh në futbollin e luajtur, si në Shqipëri ashtu dhe në Europë, vendose të “varësh këpucët” në gozhdë. Përse tani?

– Jam i vetëdijshëm për vendimin e marrë. Gjithsesi, në futboll, siç ka një fillim ka dhe një fund. Ky moment erdhi edhe për mua. Tërhiqem nga futbolli i luajtur, por jo nga ky sport. Duke e parë të gjithë karrierën time të gjatë, duke i bërë edhe një bilanc të asaj që kam arritur ndihem krenar me arritjet dhe trofetë. Kam luajtur në nivele të larta.

– Shumë ish-lojtarë të njohur të Kombëtares apo të futbollit tonë kanë zgjedhur të vazhdojnë karrierën e trajnerit. A është kjo në planet tuaja?

– Sigurisht. Kam marrë licencën “UEFA A” të trajnerit. Besoj se, kam një përvojë të mirë në futbollin profesionist, si në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera ku kam luajtur, përfshirë Turqinë, Gjermaninë, Austrinë dhe Qipron. Kam luajtur kundër disa prej ekipeve më të mira në Europë, përfshirë Bajernin e Munihut, Borusian e Dortmundit, Mançester Sitit, Fenerbahçes, Rapidit të Vjenës, etj.

– Duro, 17 vjet më parë, në vitin 1996, ju luajtët ndeshjet e para si futbollist profesionist me ekipin e Elbasanit. Si e kujtoni fillimin tuaj?

– Për herë të parë kam luajtur për ekipin e qytetit tim, Elbasanit, në vitin 1996. Ia dola të fitoja besimin e trajnerit tim të parë, Astrit Sejdinit, i cili ka një rol të veçantë në të gjithë karrierën time. Ruaj kujtimet më të bukura për të. Pas dy sezoneve shumë të mira, si për mua dhe për Elbasanin, hodha hapat e sigurt drejt futbollit profesionist.

– Transferimi i parë te Tirana solli edhe titullin e parë në sezonin 1998-1999. Sa i veçantë mbetet ai për ju?

– Tepër i veçantë. Ishte sezoni im i parë te një skuadër e madhe si Tirana, me shumë tituj. Fituam titullin dhe Kupën e Shqipërisë me trajner Sulejman Memën. Dhashë edhe kontributin tim. E konsideroj edhe sot si një stacion i rëndësishëm në karrierën time.

– Vllanzia është një tjetër klub i madh për ju, i shoqëruar edhe një tjetër titull kampion…

– Te Vllaznia kam bërë një nga sezonet e mia më të mira futbollistike. Një periudhë shumë e fortë për mua, çka më bëri të ndihesha më i sigurt në karrierën time në të ardhmen. Fituam titullin kampion në sezonin 2000-2001 me trajnerin malazez Dervish Haxhiosmanoviç, një titull që do ta kujtoj gjithmonë me kënaqësi. Dua të kujtoj ish-presidentin Myftar Çela, një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

– Shënuat për skuadrën shkodrane në Ligën e Kampioneve, çka u hapi edhe dyert e Europës për ju. Si e kujtoni?

– Shënova dy gola kundër Rejkavikut të Islandës, nga një në çdo takim, por që mjaftuan për t’u kualifikuar. Humbëm në Islandë 2-1, por fituam në “Qemal Stafa” 1-0, me golin tim. Ky ishte një nga momentet më të mira në karrierën time. Nuk ishte e lehtë në vitin 2001, kur ekipet shqiptare ndodheshin në një fazë tranzicioni dhe rimëkëmbje. Në turin e dytë luajtëm kundër Gallatasarajit, një prej ekipeve më të mëdha në Turqi dhe në Europë. Gallatasaraj një sezon më parë kishte fituar Kupën UEFA në vitin 2000. Shorti na vuri përballë një gjiganti si Gallatasaraj. Pavarësisht dy humbjeve, ne bëmë një paraqitje të mirë dhe fati ishte me mua.

– Si ndodhi që u transferuat te Gallatasaraji?

– Trajneri rumun Mirçea Luçesku e pëlqeu lojën time dhe këmbënguli të nënshkruaja për Gallatasarajin. E shprehu qartë se, donte të më kishte nën urdhrat e tij. Eksperienca në Turqi ishte mjaft e mirë për mua, si e para jashtë Shqipërisë. Të firmosësh një kontratë trevjeçare me Gallatasarajin është një gjë e rëndësishme. Ishte si një ëndërr e bërë realitet. Besoj se, dhe sot shumë shqiptarë apo të huaj do të donin të vishnin fanellën e atij klubi. Loriku e provoi. Të mos harrojmë faktin se, këtë edicion të Ligës së Kampioneve, Gallatasarajin e ndali vetëm Reali. Të firmosja për Gallatasarajin kërkonte impenjim maksimal. Në Turqi kam luajtur me Samsunspor dhe Malatiaspor, ku më këtë të fundit kam bërë një sezon shumë të mirë. Të vije nga Kategoria e Dytë dhe të kualifikoheshe për Kupën UEFA rrallë ekipe e kanë bërë në Turqi.

– Rikthim në Shqipëri te Partizani për një gjysmësezoni dhe sërish në Turqi, te Rizespori…

– Të luash në nivele të larta, padyshim që do të kesh dhe luhatje. Gjithmonë kam ditur të zgjedh mirë ekipet e mia dhe të ringrihem. Luajta për Partizanin, në pjesën e parë të sezonit 2003-2004, pasi më pas u transferova në Turqi, te Caykur Rizerspori. Jam krenar që, Partizanin në atë kohë e lashë në krye të klasifikimit dhe në atë kohë rivalizonim me Dinamon dhe Tiranën.

– Nga Turqia në Gjermani, tek Arminia Bielefeldi i Bundesligës gjermane. Si shkoi eksperienca jua atje, teksa ndodheshit edhe një një ekip me Ervin Skelën dhe Fatmir Vatën?

– E konsideroj një nga kulmet e karrierës sime si futbollist profesionist. E dëshiroja të bëhesha pjesë e një kampionati të madh si Bundesliga. Besoj se, ia arrita me punë dhe përkushtim. Ishte një periudhë e mirë për skuadrën, përpos edhe paraqitjeve tona, si të Ervinit dhe Fatmirit. Krijuam një ekip solid. Bielefeldi erdhi nga Bundesliga 2 dhe rivalizoi me gjigantët e futbollit gjerman, si Bajerni, Shalke, Dortmundi, Verder Bremenin apo Hamburgu. E mbyllëm kampionatin në vendin e shtatë. Vetëm për një vend nuk shkuam në Kupën UEFA. Atmosfera e futbollit gjerman ishte e jashtëzakonshme, është një nga kampionatet më të fortë në botë. Ju e shihni, në finalen e Ligës së Kampioneve këtë vit janë dy ekipe gjermane, Bajerni dhe Borusia e Dortmundit.

– Rikthimi te Tirana u shoqërua me të tjerë trofe…

– Tirana është një ekip që, e kam dashur gjithmonë. Jam lindur këtu. E gjithë familja ime jeton këtu. Në tre sezonet që kam luajtur, 2005-2008, kam fituar disa trofe. E konsideroj si shtëpinë time të dytë. Jam ndjerë mirë me këtë ekip. Është skuadra më e madhe në Shqipëri. E kam dashuruar këtë ekip, edhe për faktin se kishte kërkesa të mëdha.

– Qipro është stacioni juaj i tretë ndërkombëtar, pas Turqisë dhe Gjermanisë, ku patët rastin të shkëlqenit në kompeticionet e UEFA-s, madje kundër edhe Mançester Sitit. Si e kujtoni?

– Kam luajtur për dy nga ekipet më të mëdha të Qipros, Omonia Nikosian dhe Apolon Limasolin. Qysh në sezonin time të parë fitova zemrat e tifozëve qipriotë. Omonia falë dhe golave të mi kaloi dy ture në Ligën e Europës dhe në tretin u përballëm me Mançester Sitin, me lojtarë si Robinjo. Të shënosh kundër Mançesterit nuk është një gjë që bëhet përditë. Jam krenar për karrierën time në Qipro. Kam shkruar emrin tim me germa të mëdha në ekipin e Omonias. Me Apollonin fitova Kupën e Qipros. Ajo që më bën krenar kudo që kam luajtur jashtë Shqipërisë, është të ngriturit e flamurit shqiptar.

– Lask Linc në Austri i dha fund karrierës suaj jashtë vendit…

– E konsideroj një eksperiencë të bukur dhe të vlefshme. Epilogu im vjen me rikthimin te Tirana, ku për dy sezone, pavarësisht problemeve që i dinë të gjithë, me falë dhe sjelljes sime profesionale i superova të gjitha gjërat. Te Tirana i dhashë fund edhe karrierës së luajturit futboll. E kam pasur ëndërr të luaja futboll, me ekipet më të mëdha në Shqipëri dhe ia arrita. S’ka më bukur, pasi vesha dhe fanellën e ekipit Kombëtar.

– Jeni lojtari i dytë me më shumë ndeshje me ekipin Kombëtar, 78 një më pak se Altin Lala. Si e kujtoni ndeshjen e parë me Përfaqësuesen?

– Kam qenë konstant me klubet dhe me ekipin Kombëtar. Kam debutuar në një ndeshje miqësore kundër Turqisë, në prill të vitit 2001, ku fituam 2-0 në Gaziantep, me trajnerin Medin Zhega. Përkoi shumë bukur, pasi ishte ndeshja ime e parë dhe e nisa mbarë. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe besoj se kam lënë gjurmën time me Përfaqësuesen. Ruaj kujtimet me të mira për trajnerët Hans-Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han, Josip Kuzhe është një kënaqësi më vete. Kulmet gjatë këtyre ndeshjeve janë fitoret 3-1 me Rusinë dhe fitorja 2-1 me Greqinë, kampione e saposhpallur e Europës në “Euro 2004”. Fitorja me Greqinë e konsideroj si arritjen më të madhe të futbollit shqiptar, kjo për shumë arsye. Një fitore e madhe. Si Tiranën ashtu dhe Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë ta shohim në atë festë të jashtëzakonshme.

– Gjashtë gola me Kombëtaren, kë veçoni?

– Që të gjithë janë të bukur, pavarësish se kujt i shënon, por ato të realizuar në ndeshje zyrtare kanë tjetër peshë. I kam shënuar Rusisë, Bullgarisë, Bosnjë dhe Maltës në ndeshje zyrtare, si dhe Qipros e Maltës në miqësore.

– Më 7 qershor, Shqipëria do të përballet kundër Norvegjisë. Si e parashikoni?

– Mendoj se, me pak fat dhe përkushtim ne mund ta fitojmë atë ndeshje. Trajneri Xhani De Biazi po bën një punë shumë të mirë. I kemi të gjitha shanset. Sigurisht, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Jam i bindur se, mund të arrijmë një rezultat pozitiv, i cili do të na krijonte një pozicion shumë komod, dhe pse jo, edhe një kualifikim të mundshëm. Duke marrë shkas edhe nga ndeshja e parë, ku fituan në Oslo me golin e Salihit, mendoj se, me qetësi si dhe me mbështetjen tifozëve ne do të dimë të marrim rezultatin të aq shumë kërkuar. Unë do të jem në stadium dhe sigurisht do të thërras “Forca Shqipëria!”.

SKEDA

Klodian Duro

Datëlindja: 21 dhjetor 1977 (age 35)

Vendilindja: Tiranë

Roli: Mesfushor sulmues

KARRIERA

1996–1998  Elbasani        48   (11)

1998–1999  Tirana          27   (1)

1999       Elbasani        11   (0)

2000–2001  Vllaznia        44   (8)

2002       Samsunspor      9    (0)

2002–2003  Galatasaraj     0    (0)

2002–2003  Malatiaspor     18   (3)

2003       Partizani       11   (3)

2004       Caykur Rizespor 11   (1)

2004–2005  Arminia Bielef. 19   (0)

2005–2008  Tirana          84   (25)

2008–2009  Omonia          26   (6)

2009–2010  Apollon Limasol 25   (2)

2010–2011  LASK Linz       18   (3)

2011–2013  Tirana          30   (4)

Ekipi Kombëtar

2001–2012  Shqipëria A     78   (6)

  6 vende dhe 12 skuadra

 Klodian Duro ka luajtur futboll në gjashtë vende të ndryshme: Shqipëri (Elbasani, Tirana, Vllaznia dhe Partizani); Turqi (Gallatasaraj, Malatiaspor, Samunspor dhe Caykur Rizespor); Gjermani (Arminia Bielefeld): Qipro (Omonia dhe Apolon Limasol) si dhe në Austri (Lask Linc). Në total, Duro ka veshur fanellat e 12 ekipeve të ndryshme.

 14 gola ndërkombëtarë

 Mesfushori elbasanas gjatë karrierës së tij 18-vjeçare ka realizuar 12 gola në ndeshje ndërkombëtare në nivel klubesh dhe me ekipin Kombëtar: 3 në Ligën e Kampioneve; 5 në Kupën UEFA dhe 6 me Përfaqësuesen (4 në ndeshje zyrtare dhe 2 në ndeshje miqësore). Në total ai ka realizuar 86 gola, përfshirë dhe ato të Kupës së Shqipërisë.

 10 trofe me 3 ekipe

 Gjatë karrierës së tij shembullore, Klodiani ka fituar 10 trofe: 7 me Tiranën (2 kampionate, 3 Kupa dhe 2 Superkupa); 2 me Vllazninë (1 kampionat dhe 1 Kupë të Shqipërisë) si dhe një Kupë të Qipros me Apollon Limasolin. Duro ka dhënë një kontribut të madh në fitimin e trofeve për klubet me të cilat ai ka luajtur, në Shqipëri dhe Qipro.

  78 ndeshje, i dyti pas Lalës

 Klodian Duro është lojtari i dytë me më shumë ndeshje me ekipin Kombëtar, duke u aktivizuar në 78 takime, një më pak se Altin Lala, që mban edhe rekordin me 79 përfaqësime. Të dy lojtarët tashmë janë tërhequr nga futbolli. Lojtari i tretë me më shumë ndeshje është Erjon Bogdani me 76 (ende në aktivitet). Ervin Skela ka 75 ndeshje.

TROFETË

ME TIRANËN

Kategoria Superiore        2

Kupa e Shqipëris     ë          3

Superkupa e Shqipërisë     2

ME VLLAZNINË

Kategoria Superiore        1

Superkupa e Shqipërisë     1

ME APOLON LIMASOL

Kupa e Qipros              1

NDESHJET NDËRKOMBËTARE

KOMPETICIONI         N    G

Liga e Kampioneve    6    3

Kupa UEFA            12   5

El. K.Botërori       25   1

El. K.Europian       29   3

Miqësore             23   2

Gjashtë golat me Kombëtaren

El. EURO 2004

Rusi-Shqipëri 4-1

Miqësore

Shqipëri-Maltë 3-0

El. EURO 2008

Shqipëri-Bullgari 1-1

El. EURO 2008

Shqipëri-Maltë 3-0

Miqësore

Shqipëri-Qipro 6-1

El. EURO 2012

Shqipëri-Bosnjë 1-1

NDESHJET NDËRKOMBËTARE

KOMPETICIONI         N    G

Liga e Kampioneve    6    3

Kupa UEFA            12   5

El. K.Botërori       25   1

El. K.Europian       29   3

Miqësore             23   2

TROFETË

ME TIRANËN

Kategoria Superiore        2

Kupa e Shqipëris     ë          3

Superkupa e Shqipërisë     2

ME VLLAZNINË

Kategoria Superiore        1

Superkupa e Shqipërisë     1

ME APOLON LIMASOL

Kupa e Qipros              1

Pritet rekord shikuesish në “Qemal Stafa”, si në ndeshjen kundër Greqisë në vitin 2004

  Interesim i jashtëzakonshëm për sfidën ndaj vikingëve

  Sfida zyrtare eliminatore Shqipëri-Norvegji është parashikuar të luhet në Tiranë në datën 7 qershor dhe interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm. Besnikët e Kombëtares Shqiptare “Tifozat Kuq e Zi” kanë nisur organizimet shumë  më herët. Interesim të tillë ka pasur vetëm në prag të ndeshjes më Zvicrën. Më tej, Sula flet edhe për organizimet e grupimit të tij që siç thotë ai do të jenë madhështore. Organizimet i kemi nisur shumë kohë më përpara kemi krijuar grupet e punës që do të merrem me koreografinë, me shtypjen e bluzave të reja të TKZ-së dhe gjithashtu po mendojmë për një festë para dhe pas ndeshjes. Ai konfirmon vendtakimin para ndeshjes të tifozëve “Te Piramida” në Tiranë, ku TKZ po bënë planifikimet e fundit për një festë që do të nisë qysh në mesditën e 7 qershorit, duke i ftuar të gjithë tifozët që ti bashkohen festës së tyre. Tifozat Kuq  e Zi tashmë kanë publikuar edhe parullën “Unë Besojmë” që është shndërruar në një “maskotë” për tifozët e Kombëtares nëpër rrjetet sociale. “Unë Besoj, është një parullë që i përshtatet këtij moment shumë të rëndësishëm në të cilën ka arritur Kombëtarja, por kjo nuk dmth që Tifozat Kuq e Zi besojnë vetëm tani, Ne  e kemi dëshmuar se kemi besuar gjithnjë, madje edhe atëherë kur jemi mposhtur nga skuadra si Luksemburgu” ka përfunduar ai. Se ka një interesim të madh biletash e ka konfirmuar edhe vet Federata Shqiptare e Futbollit, pavarësisht që akoma shitjet nuk kanë nisur, dhe për këtë ka një arsyetim, eliminimin e tregut të zi.

 Gjasula: “Jam i lumtur për Kombëtaren”

  Jurgen Gjasula duhet të presë ende për të bërë pushimet verore, pasi mesfushori i MSV Duisburgut në Bundesligën e Dytë gjermane ka marë ftesën e Kombëtares shqiptare për ndeshjen zyrtar e kundër Norvegjisë, më 7 qershor, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Lajmin e dhanë mediat gjermane. Për Gjasulën kjo do të jetë hera e parë që, ai do të vishet kuqezi. Ka qenë vetë trajneri Xhani De Biazi, ai që udhëtoi në Duisburg për të diskutuar të gjitha detajet me Gjasulën. “Jam shumë i lumtur për ftesën”, – citohet Gjasula nga mediat gjermane. “Pas një viti të vështirë kjo është një gjë shumë e bukur, një shpërblim për punën e madhe të bërë’. Gjasula ka mbërritur në Gjermani në moshën 4-vjeçare dhe është formuar si futbollist atje. Ai dëshiron të arrijë në formën opitmale, dhe për këtë arsye ai nuk do të udhëtojë me skuadrën në Majorka. Në fakt, Gjasula nuk e ka përtëritur kontratën e tij me MSV Duisburgun. Shqipëri ndodhet në vendin e dytë në grupin E, më dy pikë më pak se Zvicra, e para. Nëse fiton në Norvegjinë ka shanse të mira të kualifikohet për në Botërorin e Brazilit.

Hasan Lika: “Partizani po ndërton një skuadër fituese”

 Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, është i bindur se Partizani do të bëj një sezon të mirë pas rikthimit në Kategorinë Superiore  Partizani do të hyjë në sezonin e ardhshëm me pretendimet që ka pasur historikisht. Ne jemi një skuadër që do të ndërtohemi për të fituar. Të kuqtë kanë nevojë për t’u përforcuar, ndonëse do të ketë dhe konfirmime. “Te Partizani do të qëndrojnë një pjesë e mirë e lojtarëve që kontribuuan në ngjitjen në Superiore, të cilët e ndjejnë peshën e kësaj fanelle. Natyrisht që do të bëjmë përforcime dhe kjo do të varet nga ana financiare. “Realisht tifozët e Partizanit janë baza e suksesit. Gjatë këtyre viteve me vuajtjen e ekipit kanë vuajtur dhe ata. Tifozët e kanë ndjekur Partizanin kudo dhe rikthimi në Superligë është dhe një meritë e padiskutueshme e tyre”, – tha Lika.