Zyrtarizimi te Partizani po vonon, zbulohen prapaskenat e Da Silvës me të kuqtë

105
Sigal

Viktor da Silva është një nga lojtarët, me të cilin Partizani ka arritur marrëveshjen paraprake për transferimin në kryeqytet, por firma dhe prezantimi zyrtar po shtyhet dita-ditës.

Fillimisht ishin procedurat mjekësore arsyeja. Braziliani ka pasur probleme të shpeshta fizike në sezonin e shkuar me fanellën e Vllaznisë dhe te Partizani donin të ishin të sigurt për gatishmërinë fizike të tij, të shtyrë edhe nga fakti që në finalen e Kupës ndaj Laçit e la fushën i dëmtuar.

Tashmë procedura mjekësore është mbyllur dhe gjithçka mbi detajet e kontratës është gati, por sërish zyrtarizimi po shtyhet. Kësaj here një pjesë të fajit e ka edhe Vllaznia.

Klubi shkodran ka detyrime financiare të prapambetura ndaj 27-vjeçarit dhe lojtari ka kërkuar nga ana e Partizanit që ta presë të mbyllë llogaritë me shkodranët, përpara se të nisë aventurën e re, me qëllim për të mos u dhënë drejtuesve shkodranë ndonjë avantazh të mundshëm, që do të mund ta shfrytëzonin për të mos i shlyer borxhin.

Gjithsesi, me aq sa dihet mediatikisht, Da Silva kishte kontratë për 2 vite me Vllazninë, me opsionin për të rinovuar edhe për 2 të tjerë në rast se të dyja palët bien dakord.

Da Silva ka refuzuar të aktivizojë klauzolën e rinovimit dhe këtë rast rregulli i FIFA-s i jep tërësisht të drejtë edhe nëse prezantohet te Partizani.

Gjithsesi, ky hezitim i ishlojtarit të Kievos të shtyn të mendosh se kontrata me Vllazninë mund të ketë prapaskena të tjera.

Mesfushori i avancuar aktualisht po shijon pushimet në Barcelonë, teksa në ditët në vijim me shumë mundësi çështja me Vllazninë do të jetë mbyllur dhe do të zyrtarizohet si lojtari i ri i Partizanit.