Bedri ALIMEHMETI/ BIXHI, “balerina” i bardhebluve

1050
Sigal

 Dossier / Mesfushori i Tiranës së viteve 60-të, që u përpoq ta ngrinte futbollin në art

Një nga rrugicat e shumta që derdhen në të dy krahët e rrugës së “Kavajës”, ose më saktë në “Rrugën e “Futbollistëve” siç janë mësuar ta quajnë prej kohësh tiransit, është “Hajdar Hidi”. Nga kjo rrugicë nëpër fushat e blerta të futbollit ndër vite kanë zbritur talente të spikatur. Madje, bëhet fjalë për një listë të gjatë, mes të cilëve bien në sy futbollistë, që kanë veshur jo vetëm fanellën bardheblu të Tiranës, të Partizanit e Dinamos, por edhe atë të ekipit kombëtar. Kështu duke renditur të parët kampionët e hershëm të Tiranës së viteve 30-të si Maliq Petrela, Hasan Balla, Sllave Llambi e Foto Janku, lista vijon me Koc Paci, Sedat Ohri, Masar Mëniku, Mico, Aristidh e David Papadhopulli, Mario, Alfred e Edmond Ruco, Luigj (Bixhi) Bytyçi, Esad, Gani e Parid Beliu, Naim e Agron Balla, Ilia Llanga, Petrit Dedej, Sulë Mazreku, Astrit Ramadani, Jani e Romeo Rama, Fatos Daja, Ali (Liçe) Arbana, Kujtim Kika etj. Aty në gurët e kalldrëmtë të kësaj rrugice, nëpër kopshtet e familjeve Beliu, Kika, Dedej etj., u mbrujt së pari talenti i këtyre djemve, që u zhvillua më tej nëpër oborret e këndet sportivë të shkollave “Luigj Gurakuqi” e “Kostandin Kristoforidhi”, për të shpërthyer më pas në fushën “Puna”.

Pikërisht në këto ambiente nga mesi i viteve 50-të të shekullit të kaluar, në “spitot” siç quheshin në ato vite ndeshjet mes çunave të mëhallës filloi të binte gjithnjë e më tepër në sy loja tërheqëse e kosovarit të vogël Luigj Bytyçi, që

veçmas të tjerave, sa herë e kishte në zotërim i bënte edhe një përpunim të bukur topit. Këto dhe dëshira për t’u marrë me futboll, që në Tiranën e atyre viteve luhej shumë e me aq pasion, sa sot nuk mund të merret me mend, bënë që një ditë bashkë me shokët e mëhallës, të gjendej në ambientet e “fidanishtes” të seleksionerit të njohur Xhavit Demneri, ku talenti i tij nga dita në ditë mori formën e duhur dhe u konsolidua përfundimisht në rolin e mesfushorit. Me të rinjtë e Tiranës, Bixhi fiton dy tituj kampion. Viti 1959 e gjen në radhët e ekipit të të rriturve të 17 Nëntorit, ku bashkë me Enver Shehun, Met Metanin, Bedri Stërmasin, Teofil Baçin, Galip Caushin, Enver Radën dhe shokët e tij ardhur nga ekipi i të rinjve: Skënder Halili, Panajot Pano, Fatmir Frashëri e Eqerem Caslli, Bixhi më 29 nëntor ngre trofeun e parë për Tiranën, Kupën e 15 Vjetorit të çlirimit.

Pas kësaj thirret ushtar dhe në radhët e Partizanit më 1961 fiton kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Por, arritjen më të madhe me këtë ekip Bixhi e prek në vitin 1963, kur fiton medaljen e argjendtë në Hanoi (Vietnam) në Lojërat e Ushtrive të Bllokut të Lindjes. I rikthyer te 17 Nëntori, falë talentit e aftësive të tij të veçanta, sidomos në aspektin teknik Bixhi  bëhet pjesë e skuadrës së madhe së viteve 60-të, me të cilën shpallet katër herë kampion i Shqipërisë: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970 si dhe një herë fitues i Kupës (1963). Madje, në këto vite kulmore të talentit të tij, me intuitën unikale, teknikën, aftësitë e spikatura të një futbollisti “plejmejkër” (organizator) si edhe me golat që realizonte herë pas here, tifozët e etiketuan “Bixh balerina”. Lidhur me këtë fakt Bixhi thotë: “Jo vetëm në kohën kur luaja, por edhe sot kur rastis të më thonë, më vjen vërtet mirë. Them kështu sepse, për mua sportin edhe artin i bashkojnë disa fije të padukshme, pa thënë që në aspektin spektakolar të asaj që i dhurojnë shikuesve kanë shumë gjëra të përbashkëta. Dhe unë kur luaja në fushë jam përpjekur ta bëj këtë gjë. Pra futbollin tim ta ngrija në art. Ndaj më vjen mirë edhe sot, kur më thonë Bixh “balerina”.

Me të dy klubet kryeqytetas në kampionate e në takime për kupa të Shqipërisë e aktivitete të ndryshme në bagazhin e tij ka rreth 400 ndeshje. Të shumta janë edhe takimet ndërkombëtare, që ka zhvilluar si në Kupën ballkanike ashtu edhe në kupën e kampioneve të kontinentit. Vlejnë të përmenden takimet me Rapidin e Bukureshtit, Cernomoren e Varnës, Beshiktashin e Fenerbahçen Stambollit, Kilmarnokun e Skocisë, Standartin e Liezhit etj. Në vitin 1970, kur kishte ende për t’i dhënë futbollit, pikërisht pak kohë para takimit historik (16 shtator 1970, 2-2) me Ajaksin e Amsterdamit, në një mbledhje të stërzgjatur për një akuzë absurde, stisur gjatë një udhëtimi jasht shtetit Luigj Bytyçin e largojnë përgjithnjë nga futbolli. Kështu u ul sipari i karrierës së shkëlqyer të një futbollisti, që u përpoq ta ngrinte futbollin në art. Ndërkohë edhe pse u diplomua në universitetin e sporteve në degën “mësues i edukimit fizik”, Bixhi gjithë jetën ushtroi profesionin e radioteknikut.

Tashmë edhe pse në pension (14 200 lekë të reja, kjo është shuma që merr çdo muaj) Bixhi ndodhet gjithnjë pranë klubit Tirana, ku ka kontribuar për shumë kohë si anëtar i kryesisë. Ndërkohë gjithnjë e më shumë e lumturon dhe e mrekullon i nipi, Luisi. “Ky, – thotë Bixhi – do e marrë dhe do ta çoj më tej stafetën e futbollit tim”.

Të veçanta nga jeta e Bixhit

 Nata e vitit të ri 1959

 “Nuk e harroj kurrë, – thotë Bixhi, – vetëm pak ditë pasi kishim fituar Kupën e 15 vjetorit të çlirimit më morën ushtar. Ishte fundi i dhjetorit 1959, kur në Skelë të Vlorës, në komandën e Flotës Luftarake Detare, takova shokun tim Panajot Panon. U përqafuam. Ai kishte katër ditë aty. Natën e vitit të ri me ato pak ushqime që më kishte dhënë nëna e kaluam bashkë. Kujtuam shokët, Tiranën, vajzat në xhiron e mbrëmjes dhe njerëzit e afërt. Jashtë frynte, binte shi dhe deti gjëmonte”.

Adriatiku skuadra e FLD

        “Kështu u quajt në atë kohë, – kujton Bixhi – skuadra e Flotës Luftarake Detare, që u formua nga ne rekrutët e sapoardhur nga të katër anët e Shqipërisë. Në përbërje të saj nga Tirana ishim pesë futbollistë: Zyhdi Shehu, Panajot Pano, unë, Muharrem Shehu dhe Gëzim Saraçi, nga Vllaznia e Shkodrës: Osë Djepaxhia, Nazmi Miloti dhe të tjerë nga rrethet. Mbas disa ditë stërvitje zhvilluam një ndeshje miqësore me ekipin e flotës Sovjetike, fituam ne 2-0. Të dy golat i shënoi Pano. Më pas shkuam në Tiranë, ku zhvilluam një ndeshje miqësore me Partizanin në një “Qemal Stafa” të tejmbushur, që përfundoj 0-0. Pas kësaj Pano, unë, Zyhdi Shehu, Gëzim Saraçi e Osë Djepaxhia u bëmë pjesë e skuadrës së kuqe”.

Pengu

        Jo një herë, por thuajse në të gjithë grumbullimet e ekipit Kombëtar të asaj kohe Bixhi ishte pjesë e futbollistëve të përzgjedhur. Por, për fat të keq në asnjë nga ato të pakta ndeshje që zhvillonte përfaqsuesja shqiptare, nuk qe e thënë të zbriste në fushë me uniformën kuqezi. Gjithsesi tashmë pas kaq shumë vitesh Bixhi nuk dëshiron të kujtojë, ndonëse për të vijon të mbetet një peng.

Familja

        Për Bixhin, Skënder Jareci, futbollisti i shquar i Dinamos kishte qenë një idhull në kuptimin e plotë të fjalës. Madje, për nga mënyra sesi manovronte gjatë lojës shokët e mëhallës shpesh herë e thirrnin “Skënder Jareci”. “Mahnitesha, – thotë ai – nga gjithçka bënte ai në fushë si në aspektin tekniko-taktik, atë intiutiv e organizativ. Madje, edhe përpiqesha t’i gjasoja”. Më pas jeta e solli, që Iva e bija të bëhej bashkëshortja e tij. Por, për fat të keq i madhi Skënder Jareci nuk jetonte më.

Kosovarët e Tiranës

 Pas Riza Lushtës e Naim Kryeziut, dy kosovarët e talentuar që shkëlqyen te Tirana e viteve 30-të e më pas në kampionatin italian në radhët e Juventusit e Romës, ku fituan edhe trofe, te bardheblutë e viteve 60-të shkëlqyen Skënder Halili, i biri i Ahmetit nga Pllava e Gucisë dhe Luigj Bytyçi i biri i Sebastianit, argjendarit nga Peja, që kishte ardhur në Tiranë, në vitin 1911. Ndonëse me prejardhje kosovare Bixhi ndjen kënaqësinë e të qenit tiranas, si dhe të kontributit të dhënë për këtë trevë dhe komunitetin e saj të nderuar.

Goli kampionatit

        Ka ndodhur në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1968. Luhej në Lushnje ndaj Traktorit. Nëse barazonte Tirana, titullin e fitonte Partizani, që atë ditë e kishte të lehtë me Apoloninë e Fierit. Takimi u luajt në një terren të rënduar nga shiu. Nga kryeqyteti kishin udhëtuar me tren në hekurudhën e sapo inauguruar Rogozhinë-Fier me mijëra tifozë. Të parët në avantazh kaluan lushnjarët me anë të Xhoxhit (2′). Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë Ishka barazon shifrat, 1-1. “Në minutën e 70-të, – kujton Bixhi – gjendesha i pambuluar në afërsi të harkut të zonës së rreptësisë lushnjare, kur Astrit Nurishmi me të pa pozicionin tim të favorshëm më dhuron një top, të cilin e kam goditur fluturimthi. Dhe, 2-1. Kanë kaluar kaq vite, por mua më duket sikur i ndjej ende përqafimet e shokëve. Pas përfundimit tifozët janë futur në fushë dhe na kanë ngritur mbi supet e tyre”. Ishte ky titulli i nëntë kampion për Tiranën, për të cilin  kishte “firmosur” Bixhi.

SKEDA

Emri: Luigji (Bixhi)

Mbiemri: Bytyçi

Datëlindja: 11 prill 1940

Vendlindja: Tiranë

Roli: Mesfushor organizator

Ekipet si futbollist:

Të rinjtë e Tiranës 1957-1959

Ekipi i Tiranës 1958-1959 dhe 1962-1970

Ekipi i Partizanit 1959-1962

Trofe:

Kampion me Partizanin më 1961

Kampion me Tiranën në sezonet: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970

Fitues i Kupës së Shqipërisë

Me Partizanin 1961 dhe Tiranën 1963

Me Tiranën fitues i Kupës së 15 vjetorit të clirimit  më 1959

Fitues i medaljes së argjendë me Partizanin në Hanoi (Vietnam) në Lojrat e Ushtrive të Bllokut të Lindjes.

Ekipet që ka drejtuar si trajner:

Të rinjtë dhe ekipin “Shpresa” U-21 të klubit Tirana

Arsimimi: Universiteti i Sporteve (1973), dega mësuesi dhe kurse specializimi për trajner futbolli çertifikuar në kategoritë III, II dhe I

Vlerësime: “Mjeshtër i Madh”, “Medalje e Artë”, “Mjeshtër Sporti”, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, si dhe është dekoruar me “Urdhërin e Punës” dhe Urdhërin “Naim Frashëri” kl. III.