Bayerni me një dorë te titulli, Perla e Kimmich ndëshkon Dortmundin

298
Sigal

Bayerni i Mynihut me një dorë në titullin kampion të Bundesligës, që do të ishte i teti radhazi për bavarezët. Ekipi i drejtuar nga Hansi Flick fitoi 0-1 sfidën direkte me Borussian e Dortmundin në “Signal Iduna Park”, duke e çuar në shtatë pikë diferencën me verdhezinjtë, që janë ndjekësit më të afërt. Një hendek që vështirë se mund të kapërcehet nga të besuarit e Lucien Favre në shtatë javët e mbetura të Bundesligës.

Takimi u vendos nga një eurogol i Joshua Kimmich pak para se të mbyllej pjesa e parë, në një moment mjaft të mirë për vendasit, që kishin dominuar deri në atë çast me kontrollin e lojës dhe rastet e krijuar. Kimmich tregoi klasin e tij me një parabolë të pakapshme për Burkin, finalizim ky i denjë për një sulmues të nivelit të Messit e Ronaldos.

Gjatë pjesës së dytë Robert Lewandowski pati disa mundësi  për të dyfishuar rezultatin, por qe i pafat (në minutën e 83-të goditi shtyllën).

Për të dytën ndeshje radhazi talenti i Dortmundit, Erling Haaland mbeti thatë, edhe pse i pati mundësitë për ta tundur rrjetën, veçanërisht në fillim të sfidës kur goditja e tij u ndal thuajse në vijën fatale nga një mbrojtës. Madje talenti norvegjez la fushën në minutën e 71-të, për shkak të një problemi muskukor, duke shkaktuar frikë te stafi verdhezi. Me 64 pikë në 27 ndeshje Bayerni tashmë është pa rivalë në Bundesligë. Dortmundi mbetet në kuotën e 57 pikëve.