Bayerni bleu 10 super futbollistë me vlerën e një goditje të Barcelonës

305
Sigal

Barcelona nuk është një shembull për t’u marrë kur bëhet fjalë për merkaton e futbollistëve. Skuadra katalanase pak herë në vitet e fundit ka qenë e suksesshme në kryerjen e transferimeve të duhura. Krejt ndryshe është Bayerni, që gjithmonë ka arritur të bëjë lëvizjet e duhura në momentet e duhura. Leon Goretzka, Joshua Kimmich dhe Serge Gnabry konsiderohen si e ardhmja e futbollit te Bayern dhe në kombëtaren gjermane, por pavarësisht cilësive, blerja e tyre ka kushtuar më pak se 16.5 milionë euro. Leroy Sane ishte dhurata e fundit për tifozët nga drejtuesit e gjigantit bavarez, të cilët synojnë që të dominojnë edhe për shumë vite më radhë arenën futbollistike. 60 milionë eurot e shpenzuara për kartonin e 24-vjeçarit është tepër e lartë krahasuar me shumë marrëveshje që Bayern ka mbyllur në vitet e fundit.

Nëse kësaj liste i bashkohen edhe emra si Robert Lewandowski, Thiago apo dhe Jerome Boateng, shpenzimet totale arrijnë në jo më pak se 144 milionë euro, thuajse sa gjysma e atyre që nxjerrin nga xhepi shumica e skuadrave elitare në Europë. Thuajse një formacion i tërë, por shpenzimet e Bayern as nuk krahasohen me ato të shpenzuara nga Barcelona, që vetëm për të marrë Philippe Coutinho nga Liverpooli pagoi 145 milionë euro. Lëvizje që rezultoi e dështuar, pasi braziliani u transferua në formë huazimi te Bayerni. Fakte që tregojnë se Bayern shpenzon me mend kur futet në merkato, duke qenë edhe shembull për shumë skuadra që duan të arrijnë majat.