Sigal

Lajme të mira për Luftëtarin sa i përket situatës financiare të klubit për pjesën e mbetur të sezonit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës është miratuar fondi prej 300 milionë lekësh të vjetra për klubin e futbollit, shumë që siguron një pjesë të mirë të pagesave për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmi u dha nga drejtuesi i Luftëtarit, Gentian Nora, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook falënderoi të gjithë ata treguan dashamirësi për të kaluar këtë situatë, në veçanti, deputetin e Gjirokastrës dhe  njëkohësisht Ministrin e sapozgjedhur të Bujqësisë, Bledi Çuçi.

“U riktheva te ekipi në një moment të vështirë, kur shumë mendonin se ekipi do të rrënohej. Por, ju e dini mirë që kemi kaluar shumë vështirësi dhe me parë dhe ja ku jemi duke u ringritur. Po them duke u ringritur, sepse jam i bindur që çdo gjë do të shkojë mirë pas miratimit nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkisë së fondit për sportin dhe kjo do të na ndihmojë shumë edhe ne si staf teknik në punën tonë. Nga Janari do të kalojnë në llogari të klubit 300 milionë dhe më pas të ardhura të tjera plus nga sponsor, UEFA etj.

Përveç bashkisë dhe anëtarëve të këshillit që treguan pozitivitet një falënderim i veçantë i shkon deputetit Bledi Çuçi për përkrahjen ndaj Luftëtarit. Shembull që duhet ndjekur, Luftëtari është i të gjithëve! Bëhu Luftëtar, kemi nevojë për ju”.