Shifrat e kontratës së Lionel Mesit hapën një debat të madh nëse argjentinasi i sjell Barcelonës kaq shumë para sa për të marrë një rrogë të lartë. Mark Mençen, drejtori dhe krijuesi i “2Playbook” dhe Ivan Kabeza, ekonomist dhe krijues “Laudem Partners” analizojnë situatën për gazetën “MARCA” dhe ndikimin që ka kapiteni në rrafshin ekonomik të katalanasve.
Për Mençen llogaritë e Barcelonës ishin në rregull përpara pandemisë, ndërsa për Kabezën kapiteni gjeneron më shumë të ardhura sesa ato që përfiton. Ai i sjell Barcelonës afro 200 milionë euro. Ekonomistët e kanë shumë të qartë ndikimin e Lionel Mesit dhe thonë se situata e tij duhet të ndahet në tre pika: ekonomike, sportive dhe emotive. “Ka disa gjëra që nuk mund t’i themi në mënyrë ekzakte për të treguar ndikimin dhe rëndësinë e Mesit.
Për shembull, katalanasit kanë fituar 36% të trofeve me të në fushën e lojës. Shumica e kontratave komerciale apo të sponsorëve kanë klauzolë speciale dhe të dedikuar për futbollistin. Edhe në nivelin emocional dyshja Barcelona-Mesi njihet në të gjithë botën. Ka shumë turistë që vijnë për të parë këtë lojtar, e ndjekin në rrjetet sociale”, shpjegon Kabeza. Me të gjithë këta parametra në tavolinë, ekonomisti nuk ka dyshime që Lionel Mesi sjell më shumë para sesa merr. “Në vit, Lionel Mesi sjell 130 deri në 200 milionë euro maksimalisht. Nëse shtojmë edhe premiot dhe gjithçka tjetër, ai nuk i merr këto para nga klubi”, analizon ai.





















